1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shpërbërja e Jugosllavisë

Jugosllavia u shpërbë nga brenda, nuk u shkatërrua nga jashtë

Jugosllavia ka qenë shteti i vetëm i Evropës që gjatë luftës së Ftohtë nuk bënte pjesë në asnjë bllok. Ajo bashkëpunonte me vendet e tjera të botës së tretë, të cilat nuk ishin futur apo nuk mund të futeshin në blloqe.

default

Ndërkohë që Evropa pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u nda në dy blloqe politike, Jugsollavia e udhëhequr nga Josip Broz Tito zgjodhi një rrugë të ndërmjetme: pas prishjes së marrëdhënieve me kreun e Bashkimit Sovjetik Josip Visarionoviç Stalinin, në vitin 1948, Tito u distancua nga blloku lindor i vendeve komuniste. Por, anëtarësimi në bllokun perëndimor nuk ishte i mundur, për shkak të sistemit komunist të Jugosllavisë. Në vazhdim Tito vendosi marrëdhënie të mira me shumë liderë në mbarë botën.

Rüdiger Rossig

Rüdiger Rossig

Jashtë blloqeve

Në vitin 1956 ia doli që së bashku me presidentin e Indisë Jawaharlal Nehru dhe atë të Egjiptit Gamal Abdel Nasser, të nisë lëvizjen për një politikë jashtë blloqeve. Zyrtarisht grupimi i vendeve të pavarura u themelua në vitin 1961 në kryeqytetin jugosllav në Beograd. Për një shtet shumëetnik si Jugosllavia, marrja pjesë në grupin e vendeve të pavarura ishte e një interesi të veçantë. Por ky lloj "mbietniciteti" humbi pas rrëzimit të komunizmit në Evropë. Gjatë këtij ndryshimi përfitoi nacionalizmi i grupeve të ndryshme etnike.

Jugosllavia ka qenë ndër motorët e shteteve të pavarura. Prandaj me shkatërrimin e saj, u dobësua edhe kjo lëvizje, mendon balkanologu nga Berlini, gazetari Rüdiger Rossig. Por kjo lëvizje ishte dobësuar edhe më parë, për shkaqe të njëjta si edhe në Jugosllavi. Ajo ka të bëjë edhe me kapërcimin e ndarjes në blloqe. „Lëvizja e vendeve të pavarura e përcaktonte veten si pozicionim mes dy blloqeve dhe në këtë kuadër ka bërë propozime alternativë nga të dy këto sisteme. Në momentin kur u zhdukën dallimet e këtyre dy sistemeve, u zhduk edhe bazamenti i vendeve jashtë blloqeve.“

Asfa-Wossen Asserate, nipi i mbretit të fundit të Etiopisë.

Asfa-Wossen Asserate, nipi i mbretit të fundit të Etiopisë.

Shembull secesionizmi

Shkatërrimi i Jugosllavisë ishte një shembull shumë i keq për secesionistët në mbarë Afrikën, mendon Asfa-Wossen Asserate, këshilltar i sipërmarrjeve nga Etiopia dhe Gjermania në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme, autor dhe analist. Të gjitha vendet e Afrikës janë me popullësi shumëetnike, ku jetojnë me mijëra grupe të ndryshme etnike dhe fliten me qindra gjuhë të ndryshme, njësoj si në ish-Jugosllavi. Kufinjtë e vendeve në Afrikë janë vendosur sipas dëshirave të forcave koloniale, Britanisë së Madhe dhe Francës, shpesh edhe përmes territoreve të një grupi etnik.

Zhvillimet në Jugosllavi kanë nxitur shumë secesionistë në Afrikë, shpjegon Asfa-Wossen Asserate, nipi i mbretit të fundit të Etiopisë, Haile Selassie. „Deri atëherë vendet evropiane kanë mbështetur parimin ndaj Afrikës që të mos pranohet asnjë lëvizje secesioniste. Por me shkatërrimin e Jugosllavisë kjo tabu është thyer dhe tani lëvizjet secesionise janë të pranueshme. Më duhet t'ju them, se kjo ishte një ditë e zezë!“

Prof. Holm Sundhaussen, historian gjerman i Evropës Juglindore

Prof. Holm Sundhaussen, historian gjerman i Evropës Juglindore

Pasoja për paqen

Shpërbërja e Jugsllavisë ka pasur pasoja për paqen. Deri në fillimin e lufës në Kroaci, në vitin 1991, ekzistonte interesi për ruajtjen e Jugosllavisë, për të mos cënuar stabilitetin në rajon. Por diplomacia ndërkombëtare nuk ishte e gatshme për zhvillimet e shpejta atje, thonë Holm Sundhaussen, historian gjerman i Evropës Juglindore. „Përfundimi i konflikteve mes Lindjes dhe Perëndimit, shkatërrimi Bashkimit Sovjetik, i cili deri atëherë vlerësohej si superfuqi e që edhe sot është fuqi atomike, puçi në Moskë, bashkimi i Gjermanisë, lufta në Gjirin Persik në fillim të vitit 1991 - të gjitha këto bënë që të ndryshonin bazat e politikës ndërkombëtare. Atëherë nuk kishte pothuaj asnjë politikan dhe diplomat që të kishte ndonjë koncept se si duhej vepruar në një situatë të tillë.“

Profesori Sundhaussen është i mendimit se Jugosllavia ka pasur mundësi të kthehej në një "Bashkim të vogël Evropian". Por përpjekjet e politikanëve të atëhershëm të rajonit për të drejtuar një shtet të tillë dështuan, pohon Rüdiger Rossig. „Jugosllavia në fakt ka shpërthyer nga brenda, kurse ne do të flasim edhe 50 vjet të tjera sikur ajo të ishte shkatërruar nga jashtë. Jugosllavia u shpërbë nga klasa e brendshme politike, u shkatërrua dhe u plaçkit. Mendoj se nuk mund të arrihet asnjë hap përpara në hapësirat e ish - Jugosllavisë, veçanërisht sa i përket reformave politike dhe ekonomike, në qoftë se elitat nuk e kuptojnë këtë fakt.“

Autor: Selma Filipoviq/ Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora

  • Data 20.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Onjk
  • Data 20.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Onjk