1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Jubileu i një modeli suksesi

60 vjet më parë shumë sipërmarrës gjermano-perëndimore nuk e pranonin ndarjen ekonomike të Evropës. Ata themeluan Komision për Lindjen të ekonomisë gjermane. Një histori suksesi.

default

Logo o Komisionit për Lindjen

Komisioni për Lindjen i Ekonomisë gjermane feston 60 vjetorin. "Që nga dita e parë Komisioni për Lindjen ka punuar për të kapërcyer ndarjen ekonomike të Evropës si pasojë e luftës", thotë Eckhard Cordes, kryetari i Komisionit. Ishte viti 1952. Republika e re Federale ndodhej në mes të mrekullisë ekonomike, festonte një sukses pas tjetrit në eksport, por vetëm në Perëndim. Ekonomia pas perdes së hekurt, të ashtuquajturit blloku i Lindjes, ishte "terra incognita" për sipërmarrësit gjermanë.

"Në fund të viteve '40 dhe fillim të viteve '50 lidhjet ekonomike me Lindjen ishin prishur. Nuk kishte më përfaqësi të ekonomisë gjermane në shtetet e Paktit të Varshavës", thotë Cordes. "Nuk kishte më marrëveshje tregtare. Dhe të gjitha ato që shihni sot, dhomat e tregtisë së jashtme që kemi në këtë rajon, ky rrjet i dendur marrëdhëniesh, të gjitha këto janë ndërtuar 60 vitet e kaluara."

Ndryshim përmes tregtisë

Por rruga deri këtu ka qenë e gjatë, pasi mes dy blloqeve të mëdha sundonte ftohtësi e akullt. Lufta e Ftohtë ishte përpjekja për të dëshmuar si sistemin më të mirë përkatësisht ekonominë e tregut në Perëndim dhe ekonominë e centralizuar në Lindje. "Kur kjo filloi asokohe, ekonomia gjermane nuk negocionte me sipërmarrje por me ekonomi shtetërore. Atëherë ishte rrjedhojë logjike që të bashkoheshim, të këmbenim njohuri dhe kontakte, të bashkonim burimet dhe ekonomia të fliste me një zë në drejtim të Evropës Lindore. Kjo ishte ora e lindjes së konceptit për Komisionin e Lindjes."

Iniciativa më e vjetër rajonale e ekonomisë gjermane u themelua në 1952 nga sipërmarrës dhe shoqata ekonomike si Shoqata Federale e Industrisë Gjermane. Motoja e saj ishte: "Ndryshim përmes tregtisë", një bindje e cila në planin politik gjeti mbështetjen dhe nxitjen e politikanëve si Egon Bahr dhe Willy Brandt, pasi kredoja e tyre politike ishte: "Ndryshim përmes afrimit". Vlen të përmendet se ekonomia perëndimore gjermane tradicionalisht e lidhur me kristiandemokratët, ishte asokohoe më përpara se vetë Partia Kristiandemokrate (CSU), e cila e dënonte atëherë ashpër politikën e socialdemokratëve Bahr dhe Brandt.

Pragmatizëm para ideologjisë

Por pragmatizmi triumfoi mbi ideologjinë. Rezultati ishte pozitiv: në fillim të viteve '50 volumi tregtar gjerman me Evropën Lindore ishte thuajse zero. Në fund të viteve '80 pjesa e eksporteve në Evropën Lindore në totalin e eksporteve të Gjermanisë Perëndimore u rrit në 6 për qind, ndërsa në 2011 eksportet e Gjermanisë në Evropën Lindore ishin 17 për qind të gjithë eksporteve gjermane. "Kështu eksportet në Evropën Lindore janë më të mëdha se ato në SHBA me 7 për qind dhe madje më të mëdha se ato në Kinë me 6 për qind", thotë Cordes.

Komisionit të Lindjes i përkasin sot shoqata të rëndësishme sipërmarrësish gjermanë dhe rreth 180 sipërmarrje gjermane. Por më e rëndësishmja: ai ka kontakt me 21 vende në Evropën Lindore dhe Juglindore dhe në Azinë Qendrore. Kush dëshëron të bëjë sot atje biznes duhet t'i drejtohet Komisionit për Lindjen për këshillim dhe ndihmë. Kjo është me vlerë: rreth 6.500 sipërmarrje gjermane janë të përfaqësuara sot në Rusi, rreth 1.000 në Kazakistan dhe 820 në Uzbekistan.