1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jovanka Broz do të varroset pranë Titos?

Qeveria e Serbisë do ta respektojë dëshirën e Jovanka Brozit. Ish-bashkëshortja e Titos, e cila ndërroi jetë të dielën, ka kërkuar që të varroset në Shtëpinë e Luleve pranë ish-presidentit të RSFJ.

Qeveria e Serbisë ka vendosur që të pranojë kërkesën e fundit të Jovanka Brozit, që të varroset pranë ish-burrit të saj, Josip Broz Tito, në varrezat në muzeun e historisë së Jugosllavisë, të njohur edhe si Shtëpia e Luleve në Beograd. Në kumtesën e lëshuar pas seancës së kabinetit qeveritar thuhet se komisionin për varrimin e Jovanka Brozit do ta drejtojë zëvendëskryeministri Rasim Ljajiq. Ndërsa kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka bërë të ditur se Jovanka Broz do të varroset pranë varrit të Titos, apo në afërsi të varrit të tij.

Pas vdekjes se Jovanka Brozit të dielën paradite Daçiq tha se "Jovanka ka qenë një prej dëshmitarëve më të mira të historisë së ish-Jugosllavisë, e cila është përndjekur për një kohë të gjatë. Ndërkohë që padrejtësitë historike ndaj saj kanë filluar të korrigjohen tepër vonë, në ditët dhe vitet e fundit të jetës së saj".

Jovanka Broz ka ndërruar jetë në Beograd të dielën (20.10.2013) në moshën 89-vjeçare, pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë. E veja e ish-presidentit të RSFJ ka jetuar në Dedinje të Beogradit, pak a shumë e vetmuar, prej vdekjes se Titos në vitin 1980. Ajo ka lindur në fshatin Peçani në Likë, më 7 dhjetor 1924. Në moshën 17 vjeçare i është bashkangjitur Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe ka marrë pjesë aktive në luftën çlirimtare prej fillimit të saj në vitin 1941. Fundin e luftës e ka pritur në Slloveni, ndërsa për meritat e saj në luftë është nderuar me disa çmime. Me Titon është njohur në kohën e desantit në Drvar (një prej betejave më të njohura të Luftës së Dytë Botërore, ku është plagosur edhe vetë Tito). Ndërkohë që me Titon është martuar zyrtarisht në vitin 1952. Ajo ka qenë bashkëshortja e tretë e Titos. Në vitet e fundit të jetës së Titos ajo ishte e izoluar nga opinioi. Ndërsa pas vdekjes së Titos në vitin 1980 Jovanka Broz është nxjerrë me dhunë nga shtëpia, ku ka jetuar më parë dhe është vendosur në një shtëpi tjetër. Kishte mbetur edhe pa pasuri të tjera, pa liri lëvizjeje, pa pasaportë, pa të drejtë paraqitjejeje në opionion. Vitet e fundit shteti i Serbisë kishte filluar të kujdesej pak më shumë për Jovanka Brozin, por shëndeti i saj kishte marrë tatëpjetën.

Reagimet në Kroaci

Lajmi për vdekjen e Jovanka Brozit është dhënë në të gjitha mediat kryesore në vendet e ish-Jugosllavisë. "U largua mbretëresha", komentojnë mediat e sotme në Kroaci, të cilat gjërë e gjatë njoftojnë për jetën dhe vdekjen e Jovanka Brozit. "Jeta e saj tragjike personifikon më së miri vendin e pafat, në të cilin kemi jetuar dikur, vendin i cili u zhduk në gjakderdhje", shkruan gazeta kroate "Jutarnji List". Sipas saj, bashkëshortësia ideale ideologjike e kroatit Tito me një serbe ka qenë edhe kombinimi më i mirë i shtetit të themeluar nga vetë Tito.

Gazeta shkruan se "me vdekjen e Titos kishte filluar edhe golgota e Jovankës, e cila jetonte e izoluar, e padëshiruar nga askush, e hedhur dhe e lënë vetëm në një pallat, i cili shkatërrohej nga dita në ditë".

Gazeta "Veçernji List" rikujton se serbja e re ishte martuar për Titon, edhe pse ishte më e re se ai plot 32 vite. "Ajo ka qenë interesante për shumë media, por vitet e fundit ka jetuar në një izolim të thellë".

Shkoi simboli i Jugosllavisë

"Vdekja e ikonës së Jugosllavisë, të vesë së Titos, Jovanka Broz", shkruan gazeta gjermane "Der Spiegel", e cila rikujton se Jovanka ka qenë dikur personi më i respektuar, ndërsa në vitet pas vdekjes se Titos më i izoluar në ish-Jugosllavi. Ndërsa gazeta Tageszeitung për vdekjen e Jovanka Brozit raporton në tekstin me titull: Largohet simboli i fundit i Jusollavisë.