1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Josipoviq: Gjuha e urrejtjes në Kroaci është vetëm "incident"

Një javë para zgjedhjeve për Parlaementin Evropian në Kroaci, për Deutsche Wellen flet presidenti kroat Ivo Josipoviq. Ai flet edhe për raportet me vendet fqinje.

DW: Kohët e fundit ka pasur disa raste të gjuhës së urrejtjes në opinionin kroat. Mendoni se në Kroaci po bëhet një hap prapa në respektimin e të drejtave të njeriut?

Ivo Josipoviq: Kroacia i ka pranua me vendosmëri të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve. Asnjë retorikë individuale e ndonjë personi nuk do ta ndryshojë këtë parim. Natyrisht që nuk është mirë kur dëgjon gjuhën e urrejtjes dhe ndaj këtyre gjërave duhet reaguar. Por kur e krahasoni gjendjen me vendet e tjera: Holandën, Francën dhe Gjermaninë për shembull, atje ka pasur mbi këto baza edhe incidente të dhunshme. Ndaj nuk mund të pranojë kritikat se retorika e urrejtjes tek disa persona mund të trajtohet si paradigmë e politikës zyrtare të Kroacisë. Kroacia është një vend demokratik dhe do të respektojë të gjitha të drejtat e parashikuara me kushtetutë.

Në media është shkruar shpesh për "raportet e akullta mes Kroacisë dhe Serbisë", pas zgjedhjes së presidentit të ri Tomisllav Nikoliq. Me ish- presidentin Boris Tadiq ju keni pasur raporte shumë më të ngushta, së fundi së bashku keni parë edhe ndeshjen Kroaci-Serbi në Zagreb…

Ivo Josipoviq: Ashtu ëshë! Dhe unë kam qenë shumë i kënaqur e ai jo tepër, sepse Serbia ka humbur.

Çfarë duhet të ndodhë që raportet mes Kroacisë dhe Serbisë të nisin sërish  rrugën e përmirësimit?

Ivo Josipoviq: Teza e mediave se ka ardhur një kohë e akullt në raportet mes Kroaicsë dhe Serbisë nuk është e vërtetë. Këto pohime janë rrjedhojë e një retorike më të ftohtë, si pasojë e deklaratave të politikanëve të fqinjit tanë. Por gjërat që kanë nisur para tri vitesh po vazhdojnë në kontinuitet. Vendet tona po bashkëpunojnë për zgjidhjen e problemeve të hapura. Jemi ende shumë larg zgjidhjeve përfundimtare, por jemi duket bashkëpunuar në përndjekjen e kriminelëve, kriminelëve të luftës, hapjen e fabrikave, në sport, kulturë etj. Ministri i Jashtëm i Serbisë ka qenë tek unë për vizitë. Kam pritur edhe shefin e shtatmadhorisë së ushtrisë së Serbisë. Kryeministri ynë ka qenë për vizitë në Serbi. Ministrja jonë e Jashtme është takuar disa herë me homologun e saj serb. Madje edhe në Vatikan jam takuar dhe përshëndetur me presidentin e Serbisë Nikoliq. Por një takim zyrtar do të kemi atëherë kur të jemi të bindur se takimi ynë do të sjellë impulse të reja në raportet mes vendeve tona. Ne nuk kemi midis nesh kontestime diplomatike dhe nuk na duhet ndërmjetës. Nuk është e domosdoshme të takohemi në ndonjë vend neutral

Sa i përket komenteve për politikën e Bosnjë e Hercegovinës, Ju keni qenë shumë të përmbajtur. Pse?

Ivo Josipoviq: Politika jonë ëshë që të respektojmë sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe nuk duam të përzihemi në punët e brendshme të këtij shteti. Natyrisht që e respektojmë edhe përcaktimin tonë kushtetues, që të ndihmojmë popullin kroat jashtë vendit. Ne përpiqemi të ndihmojmë dialogun e brendshëm në Bosnje - Hercegovinë dhe besoj se kemi arritur suksese të mira. Ata e kanë një situatë më të komplikuar dhe nuk e kanë lehtë, por do të kenë mbështetjen dhe ndihmën tonë.

Si e shihni ju pozitën e Kroacisë në rajon? A është ajo me të vërtetë lidere?

Ivo Josipoviq: Nuk më pëlqen kjo fjalë, sepse nënkupton në një farë mënyre epërsi ndaj vendeve të tjera. Më shumë më pëlqen fjala partneritet dhe ky partneritet ngarkohet nga historia dhe lufta. Në anën tjetër, na lidhin shumë gjëra. Hyrjen tonë në BE e shoh si nxitje të partneritetit.