1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

John Cryan do ta ristrukturojë me themel Deutsche Bank

Ristrukturimi radikal i Deutsche Bank do të kushtojë 9000 vende pune, deklaroi bashkëdrejtuesi i bankës John Cryan në konferencën e tij të parë të shtypit. Aksionerët ai i përgatiti shpirtërisht për vite më modeste.

Nga prezantimi i parë publik i bashkëdrejtuesitt të Deutsche Bank, John Cryan, i cili është qysh nga pranvera në këtë post pritej shumë. Mjaft i madh ishte edhe numri i ekipeve të xhirimit, i fotografëve dhe i gazetarëve, që kishin marrë rrugën për në kuartierin qendror të bankës në Frankfurt mbi Main. Kur Cryan të enjten në mëngjes (29.10) hyri në sallë pak para orës 09:00, shpërtheu një stuhi blicesh të kamerave, sepse deri më tani nuk janë publikuar imazhe të tij me logon e Deutsche Bank në sfond.

Gjëra që diheshin dhe risi

Më pas gjithçka u prit me interes, ndonëse shumë gjëra diheshin. Kjo për faktin se humbja e mbi gjashtë miliardë Eurove në tremujorin e tretë - kaq shumë banka nuk ka humbur ndonjëherë në një tremujor - ishte bërë publik tri javë më parë. Edhe rioerientimi i sektorëve të biznesit duke përfshirë edhe ekipin e ri drejtues nuk ishte më një risi. E më në fund mbrëmjen përpara konferencës së shtypit u përhap edhe lajmi i keq për aksionerët: për dy vjet resht nuk do të ketë më dividend. Një risi kjo në historinë e re të Deutsche Bank, një gjë e tillë për herë të fundit ka ndodhur përpara më shumë se pesë dekadash.

E pra çfarë kishte për të anoncuar shefi i ri? Edhe lajme të tjera të këqia, si p.sh. shifrat konkrete për shkurtimin e personelit: Cryan do ta bëjë bankën "më të thjeshtë dhe më efikase", e kjo do të thotë edhe më të zhdërvjellët. Gati një e treta e personelit do të tkurret. Nga rreth 100.000 punonjës që ka banka sot deri në vitin 2018 do të mbeten rreth 77.000 të punësuar. 9000 vende pune do të shkurtohen menjëherë në bankë, prej tyre vetëm në Gjermani 4000. Këtyre shkurtimeve u shtohen edhe 6000 vende pune në sektorët e jashtëm të shërbimeve, që do të thotë 20 përqind e atyre, që deri më sot kanë punuar për bankën nga jashtë. Krahas kësaj me shkëputjen e planifikuar të Postbank do të hiqen nga borderoja e bankës në Frankfurt edhe 15.000 punonjës. "Kjo asnjëherë nuk është punë e thjeshtë dhe ne na dhemb zemra që na duhet të marrim masa të tilla", tha Cryan duke siguruar, se ky "proces do të realizohet në një mënyrë korrekte dhe në bashkëpunim me këshillat profesionale".

Më pak botë e jashtme dhe më shumë kapital vetiak

Deutsche Bank do të thjeshtojë edhe biznesin në botën e jashtme. Nga dhjetë vende banka do të tërhiqet tërësisht si p.sh. nga Argjentina, Norvegjia dhe Zelanda e Re. E gjitha kjo do të kursejë rreth 3,8 miliardë Euro në vit, por në fakt i gjithë ristrukturimi kushton shumë para, sipas vlerësimit deri në 3,5 miliardë Euro. Njëkohësisht banka një ditë më parë komunikoi edhe objektiva financiare mjaft ambicioze. I ashtuquajturi "kapital i fortë bërthamë" deri në vitin 2018 do të ulet në një kuotë prej 12,5 përqind, Mbikqyrja Europiane e Bankave në fakt kërkon një tkurrje vetëm me tetë përqind. Kjo do të thotë, që një pozicion riskant në librezat prej 100 eurosh duhet të mbulohet me tetë euro nga kapitali vetiak. Por banka, që së fundi është kritikuar ashpër prej mbikqyrjes bankare, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të ndryshojë, në rast të kundërt të gjitha planet e bëra publike sot nga Cryan nuk do të kishin kuptim.

"Duam të bëhemi sërish një bankë normale"

Njeriu i ri në krye të bankës, i cili qysh nga vera e vitit të ardhshëm do të marrë përsipër i vetëm përgjegjësinë e Deutsche Bank i përgatiti shpirtërisht aksionerët për dy vite të vështira: nuk do të ketë dividende edhe as nuk priten shifra të bujshme. Viti 2018 do të jetë viti i së vërtetës, tha Cryan, paskëtaj ne duam të jemi sërish një bankë normale, nënvizoi ai. E kjo strategji e re do t'i sjellë frytet e saj në vitin 2020. Kjo strategji në linjat thelbësore nuk është e tij, por e paraardhësve të tij Anshu Jain dhe Jürgen Fitschen. Por që të dy nuk arritën t'i bindin aksionerët me zbatimin e këtyre planeve. Jain iu desh të largohet në verë, Fitschen do ta shoqërojë Cryan edhe për disa muaj. Ai nuk e la pa e thumbuar paraardhësin e vet duke vënë në dukje, se "nuk kemi problem me strategjinë. Ne e dimë shumë mirë, se në ç'drejtim duam të shkojmë", tha Cryan. "Megjithatë Deutsche Bank prej vitesh ka një problem të madh, për ta zbatuar këtë strategji."

Deutschland PK Deutsche Bank Jürgen Fitschen und John Cryan

Drejtuesit e Deutsche Bank John Cryan (djathtas) dhe Jürgen Fitschen (majtas)

Modest në paraqitje

Sidoqoftë John Cryan duhet të dëshmojë, që ai është personi i duhur, që edhe mund ta zbatojë strategjinë e re. Puna për ristrukturimin duhet të nisë me ritme të shpejta, ndaj ai nuk ka pasur as kohë për konferenca shtypi. Ai ka konsumuar mjaft kohë duke u përpjekur të hyjë në bisedime me autoritetet e mbikqyrjes. Me sa duket kishte shumë gjëra që duheshin ndrequr. Gjithashtu ai i ka lënë shumë kohë vetes që ta analizojë bankën me themel. Ajo që ai ka zbuluar, duhet t'ia ketë prishuar gjumin: sistemet e IT-së p.sh. janë në një gjendje jashtëzakonisht të keqe, të paktën 35 përqind e Hardware-ve janë të vjetëruar ose e kanë kaluar prej kohësh ciklin e jetegjatësisë. Për t'i sjellë këto në nivelin bashkëkohor, do duhet të investohen qindra milionë euro.

John Cryan u prezantua si një punonjës modest, i cili ka një plan dhe mjaft punë për të bërë. Konferenca e shtypit sot për një farë kohe duhet të jetë edhe prezantimi i fundit në publik, sepse ai ka mjaft për të bërë në kantjerin e madh të ndërtimit Deutsche Bank.

DW.COM