1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Johannes Haindl: Riafirmoni marrëveshjen e Përzhinos

Fatos Musliu8 Qershor 2016

I ngarkuari i posaçëm i Gjermanisë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës në Maqedoni Johannes Haindl brenda një muaji e vizitoi për herë të tretë Maqedoninë. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Përzhinos.

https://p.dw.com/p/1J3Jm
Mazedonien Deutscher Botschafter in Österreich - nach Treffen in Skopje
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

"Ka dalje për krizën politike, dhe ky është lajmi i mirë. Është këtu marrëveshja e Përzhinos. Lajmi i keq është se procesi është bllokuar dhe koha po kalon. Vlerësimi im është se Marrëveshja e Përzhinos duhet të riafirmohet, sepse garanton kornizë për procesin dhe përparim në proceset euro-atlantike." Kështu u shpreh i dërguari i posaçëm i Gjermanisë, diplomati Johannes Haindl pas vizitës dy ditore në Maqedoni dhe takimeve me krerë të institucioneve më të larta në vend dhe liderë të partive.

“Për tejkalimin e krizës duhet të riafrimohet dhe ringjallet marrëveshja e Përzhinos, si një kornizë e detyrueshme, e vlefshme për procesin reformues që vjen, ndaj nuk duhet të ketë zvarritje në zbatimin e saj”, ka porositur Haindl.

Prioritetet sipas Haindl

Sipas tij politikëbërësit në Shkup duhet t'i përcaktojnë prioritetet, që do të mundësonin tejkalimin e krizës politike. Gjithnjë sipas diplomatit gjerman Johannes Haindl këto janë hapat e ardhshëm që duhen hedhur domosdoshmërisht. "Fillimisht partitë duhet të arrijnë pajtueshmëri për datën e zgjedhjeve dhe të bëjnë ç'është e nevojshme që të përmbushen kushtet për zgjedhje të lira dhe korrekte. E dyta, prokurorit special duhet t'i mundësohet që ta përmbushë mandantin lirisht dhe pa kurrfarë obstruksionesh. Dhe e treta, partitë duhet të dakordohen pa kurrfarë prolongimi për zbatimin e prioriteteve reformuese urgjente dhe t'i adresojnë mangësitë e theksuara në Raportin e Pribesë. Kjo mund të arrihet dhe realizohet. Duhet të shfrytëzohet momenti pozitiv. Megjithatë, ajo që është e domosdoshme tani është që të gjithë liderët politikë t'i vendosin në rend të parë interesat e vendit dhe ta bëjnë atë që është e domosdoshme që shteti të shkojë përpara dhe reformat të realizohen", deklaroi Haindl.

Takimet e ambasadorit gjerman

I dërguari i posaçëm i Gjermanis për krizën në Maqedoni Johannes Haindl e përshëndeti vendimin e Presidentit Gjorge Ivanov për tërheqjen e vendimit të mëhershëm për faljen e politikanëve, të cilët janë nën hetime. Me tërheqjen e abolimit nuk ka më vend për alibi, justifkime dhe shmangie të detyrimeve nga marrëveshja e Përzhinos.

Diplomati gjerman gjatë qëndrimit në Shkup realkizoi takime të veçanta me katër liderët nënshkrues të marrëveshjes së Përzhinos Nikolla Gruevski kryetar i VMRO-DPMNE-s, Zoran Zaev kryetar i LSDM-s. Ali Ahmeti kryetar i BDI-s dhe Menduh Thaqi kryetar i PDSH-s

Ali Ahmeti konsideron që tërheqja e tërësishme e faljeve nga presidenti Ivanov mundëson dialog për përpilim dhe miratim të reformave prioritare.

“Partitë politike duhet të angazhohen për miratimin e ligjeve dhe plotësimin e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare si dhe të mbështesin Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe Prokurorinë Speciale që ta bëjnë punën e vet të përcaktuar me ligj”, ka thënë Ahmeti pas takimit me ambasadorin gjerman Haindl.

Opozita shqiptare skeptike për tejkalimin e krizës

Ndërkaq, Thaçi tha se dyshon që përpjekja e Haindël do të rezultojë me ndonjë sukses dhe rezultat. “Nuk kam diçka të re t'ju them. Çështja është në vend. Rikthimi i Qeverisë së vjetër VMRO-DPMNE dhe BDI e ka komplikuar situatën”, është shpreh kryetari i opozitës shqiptare Menduh Thaqi.

Për VMRO-DPMNE-në zgjedhjet janë të pranueshme në çdo kohë, por nga ana tjetër nuk do të lejohet shteti dhe qytetarët sërish të jenë pengje të ankandit të ri me afatet kohore, siç ishte kjo në periudhën e fundit. "Me qëllim që të shmangen arsyet për justifikime për mosmbajtjen e zgjedhjeve, LSDM-ja do të duhet të japë konfrmim dhe të obligohet se lista zgjedhore është pastruar, ndërsa në periudhën e cila vijon me përkushtim të punojnë në forcimin e besimit ndaj listës zgjedhore, edhe pse ajo për VMRO-DPMNE-në asnjëherë nuk ka qenë segment kontestues", ka thënë lideri i VMRO-DOMNE-s Nikolla Gruevski.

Në takimin e kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev me Haindl u theksua, se dalja e vetme nga kriza politike është realizimi i detyrimeve të ndërmarra me marrëveshjen e Përzhinos nga ana e nënshkruesve dhe se prioritet i lartë për Maqedoninë është organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të drejta dhe të rregullta. "Për këtë qëllim është e domosdoshme të formohet qeveria për plotësimin e kushteve për zgjedhje dhe zbatimin e tyre dhe të përcaktohen afatet e sakta për kushtet kyçe për zgjedhje të drejta dhe të rregullta, ndërsa ato janë para së gjithash pastrimi i listës zgjedhore dhe sigurimi i raportimit objektiv nga mediat", ka thënë lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev.

Kjo është vizita e tretë e Johannes Haindl-it në Shkup gjatër një muaji qëkurse ai u ngarkua si i dërguar i posaçëm i ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë Frank-Walter Shteinmeier me mandat që të ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.