1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Johannes Hahn: Qeveri me mbështetje të gjerë politike

Nuk ka kohë më, të formohet një qeveri me bazë të gjerë dhe se Brukseli nuk ka sjell asnjë sugjerim konkret për koalicionet. Ky është mesazhi kryesor i eurokomisionerit për zgjerim të BE-së Johannes Hahn në Shkup.

Eurokomisioneri Hahn, i cili vizitoi Maqedoninë të enjten (09.02.2017), ka thënë se politikanëve të Maqedonisë nuk iu ka sjellë ndonjë sugjerim konkret për formimin e qeverisë, por megjithatë sipas tij është e domosdoshme që sa më shpejt të formohet qeveria e re e vendit dhe drejtuesit e partive politike parlamentare të tregohen të përgjegjshëm.

"Jam këtu që t'i dëgjoj politikanët. Nuk do t'i jap këshilla asnjërës parti se si të veprojë në të ardhmen. Por që të gjithë duhet ta dinë se janë përgjegjës për vendimet që marrin”, është shprehur Hahn.

Partitë kanë arritur mjaft këto dy vitet e fundit. Kishim Marrëveshjen e Përzhinës dhe u realizuan zgjedhje të besueshme të pranuara ndërkombëtarisht. Por, sipas komisionerit Hahn zgjedhjet nuk janë fundi i procesit. Qëndrimi jonë është që sa më shpejt të formohet qeveria e cila përpara ka shumë sfida në fushën e reformave, gjyqësisë dhe sigurisë.

Qeveria e re duhet të ndjekë rrugën euroatlantike

"Qeveria e re duhet të ndjekë rrugën euroatlantike. Politikanët duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre dhe të vendosin në të mirë të perspektivës së popullit. Kjo nënkupton se kanë shumë sfida përpara. Sa më shpejtë të ketë qeveri aq më mirë është”, vlerëson komisioneri i BE-së Johannes Hahn.

BDI kërkon plotësimin e kushteve para deponimit të nënshkrimeve

Hahn gjatë qëndrimit në Shkup ka realizuar takime të veçanta me të gjithë përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Parlamentin e Maqedonisë për të diskutuar përpjekjet për formimin e Qeverisë. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me eurokomisionerin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë në Kuvendin e Maqedonisë, tha se pret materiale të dokumentuara nga LSDM që të thërrasë takim me Kryesinë Qendrore dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm.

"Nuk kam biseduar me prapavija. BDI nuk është një parti që vepron me standarde të dyfishta, që vepron prapa shpine, por bisedojmë me të gjithë dhe nuk kemi asnjë hasmëri me asnjë parti politike në vend”, deklaron Ahmeti. Në takim me Hahn, Ahmeti ka përsëritur pesë opsionet, të cilat BDI i ka në dispozicion, duke e theksuar qëndrimin e tyre të njohur se vendit i duhet zgjidhje, megjithatë jo çfarëdo zgjidhje, por zgjidhje për stabilitet, përforcim të paqes, marrëdhënieve ndëretnike, të cilat do të siguronin reforma në sundimin e ligjit.

LSDM kërkon mbështetje nga partitë shqiptare për qeverinë

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas takimit me eurokomisionerin, Johanes Hahn, ka thënë se fjala është fjalë. Edhe nëse thuhet me gojë, por edhe nëse shkruhet. "Do të bëjmë gjithçka që të mbarojë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për formimin e qeverisë. Ne nuk ikim nga platforma, disa herë kemi potencuar se kemi aspekt pozitiv për platformën, pasi është sfidë për diçka që për një pjesë të qytetarëve të Maqedonisë paraqet pengesë në përditshmëri. Ne e kemi hapur konceptin për një shoqëri për të gjithë. Sot jam i pari nga koalicioni i LSDM-së, që kërkon nënshkrime që të fitojë mandat, kërkoj nënshkrime nga partitë shqiptare që të fitojë mandate”, ka deklaruar Zaev.

Gashi: Përkrahje me kushte të caktuara

Përfaqësuesit e Lëvizjes” BESA” në takimin me Hahn kanë shprehur gatishmëri për të dhënë firmat e tyre në mbështetje të Zaevit për formimin e qeverisë, por se paraprakisht duhet të arrihet marrëveshje rreth platformës shqiptare. "Ne i kemi përgatitur nënshkrimet për të mbështetur LSDM-në, por nuk i kemi dhënë akoma. Mbështetja me nënshkrime nuk do të thotë që do të përkrahim automatikisht edhe programin për qeverinë por kjo varet nga konsultimet, varet kush do të jenë ministrat e kështu me radhë. Kemi thënë disa herë se nuk do të përkrahim qeveri, ku bëjnë pjesë edhe persona të inkriminuar”, ka deklaruar Afrim Gashi, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes "BESA”.

Sela: Me kërkesat e shqiptarëve nuk ka pazarllëk

Ndërsa kryetari i LR-PDSH-së Ziadin Sela, ka thënë se Bashkimi Evropian shpreh interes të madh për stabilitetin e vendit dhe formimin e shpejtë të Qeverisë së re, e cila duhet të përkushtohet në reformat e nevojshme. Sipas Selës ende nuk ka kompromis për punën e Prokurorisë Speciale e as me platformën shqiptare. Gjithnjë sipas tij LSDM nëse dëshiron ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, atëherë ajo duhet të merret seriozisht me këtë çështje dhe jo të bëhen pazare me kërkesat shqiptare. "Bashkërisht konkluduam se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion dhe nuk duhet assesi të mbahen”, ka thënë Ziadin Sela kryetar i LR-PDSH-së.

PDSH nuk do të mbështesë asnjë qeveri

Ish-kryetari i PDSH-së, Menduh Thaqi pas takimit me eurokomesarin Johannes Hahn deklaroi se Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti janë marrë vesh për Qeverinë e ardhshme dhe sipas tij, kjo është e vërteta e vetme. Ai mohoi zërat se ka dhënë mbështetje për Ali Ahmetin dhe tha se ka kërkuar dorëheqjen e tij, për shkak të rezultatit në zgjedhje.

"Erdha për dy arsye në këtë takim, për të takuar mikun tim dhe të shqiptarëvee z. Hahn dhe për qytetarët që i ka marrë malli për një opozitar të vërtetë. Partitë e tjera dëshmuan që nuk janë opozitare, por pro qeveritare”, ka thënë ish-kryetari i PDSH-së, Mendu Thaçi. Gjithnjë sipas tij, PDSH që ka dy deputet në Parlamentin e ri nuk do të përkrah asnjë qeveri.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski ishte i vetmi lider partiak, cili nuk u prononcua para gazetarëve për bisedimet që ka pasur me eurokomisionerin për zgjerim të BE-së Johannes Hahn.