1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Joe Biden viziton Serbinë dhe Kosovën

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do të vizitojë në dy ditët e ardhshme Serbinë dhe Kosovën. Në të dyja vendet do të trajtohen tema të nxehta.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së Biden në kuadër të një turi në Ballkan qendron këtë të martë (16.08) në Serbi, ku do të dërgojë mesazhe bashkëpunimi dhe partneriteti, sepse kohët e fundit ka pasur disa gjeste që flasin për raporte më të ngushta. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian konsiderohet si i domosdoshëm për vazhdimin e përpjekjeve të Serbisë për anëtarësim në BE. Por në këtë rrugë Serbia ka dhe shumë pengesa.

Normalizimi i raporteve me Kosovën

Gjatë qëndrimit të Biden në Beograd do të trajtohen edhe çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe krimet e luftës. Por Zëvendëspresidenti Biden pritet ta inkurajojë Serbinë që të përshpejtojë edhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Kryeministri serb, Aleskander Vuçiq, ka premtuar disa herë, ndër të tjera edhe në intervistë me Deutsche Wellen, se do të angazhohet për zbardhjen e disa krimeve serbe, siç është vrasja e vëllezërve Bytyqi në Serbi, në kohën e bombardimeve të NATO-s, ku SHBA ka luajtur një rol vendimtar. Radikalët serbë, të udhëhequr nga Vojisllav Sheshel (pjesë e të cilëve deri në vitin 2008 ishte edhe Kryeministri Vuçiq, kanë paralajmëruar protestë kundër vizitës së zëvendëspresidentit Biden. Biden do të takohet edhe me Presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq dhe ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq.

Vizita në Kosovë

Pas qendrimit në Beograd, Biden do të shkojë për vizitë edhe në Kosovë, ku do të takohet me krerët e shtetit, Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa. Ata e kanë cilësuar këtë vizitë me rëndësi historike. Por vizita e Biden vjen në një kohë kur Kosova po kalon një periudhë tensionesh mes partive në pushtet dhe opozitës, për shkak të demarkacionit të vijës së kufirit me Malin e Zi. Ndërkohë që një temë tjetër e nxehtë që e pret Kosovën është përballja me ekstremizmin e dhunshëm, si dhe krimin e organizuar dhe korrupsionin. Biden do të marrë pjesë të mërkurën (16.08) në ceremoninë e emërimit të një rruge që çon në kampin e forcave amerikane të KFOR-it, me emrin e djalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden.