1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Joachim Herrmann: Bisedimet e anëtarësimit me Turqinë të ndalen menjëherë

Kandidati kryesor i CSU-së, Joachim Herrmann dëshiron që të mos paguhen më ndihmat për një anëtarësim të mundshëm të Turqisë në BE. Në intervistë me DW ai mbron më tej edhe kërkesën për një kufi maksimal për refugjatët.

Joachim Herrmann, ministri i Brendshëm i Bavarisë i CSU-së kërkon që pas tensioneve të fundit ekstreme me Turqinë të ndiqet një politikë e qartë gjermane përballë Presidentit Erdogan: në intervistë me kryeredaktoren e DW, Ines Pohl dhe me moderatorin Jaafar Abdul Karim në Berlin, juristi 60 vjeçar tha: "Ne të CSU-së nuk kemi parë asnjëherë ndonjë kuptim në këto negociata anëtarësimi. Ne e mbështesim shprehimisht që ato tani të marrin fund." Dhe qeveria gjermane duhet të angazhohet, që paratë që i venë Ankarasë të ndalen: "Përballë sjelljes së tanishme të qeverisë turke, nuk ka më shkas që BE të përcjellë vit pas viti shuma miliardëshe në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm të Turqisë. E gjitha kjo duhet të ndalet". Por kontaktet me Turqinë qeveria duhet t'i ruajë, edhe sepse dikur do të vijë një kohë pas Erdoganit, tha Herrmann. Edhe marrëveshja e BE me Turqinë në politikën ndaj refugjatëve duhet të mbetet në fuqi.

"Kufijtë e hapur nuk më entuziazmuan"

Sërish politikani i CSU-së u shpreh për vendosjen e një kufiri të sipërm prej rreth 200.000 refugjatësh në vit për Gjermaninë. Politikën e dyerve të hapura të kancelares dy vjet më parë ai nuk e kishte regjistruar me entuziazëm, por në muajt e mëpasëm ishte para së gjithash Bavaria që kontribuoi në pranimin dhe në integrimin e refugjatëve, u shpreh ministri i Brendshëm i Bavarisë. Herrmann mbrojti edhe ndërprerjen e rregullit për bashkimin familjar për shumë refugjatë: "Ka pasur kohë kur njerëzit janë përpjekur njëherë që të sigurojnë familjet, përpara se të sigurojnë veten. Tani kemi një zhvillim, kur të rinjtë përpiqen të sigurojnë veten, dhe pastaj dikur të tërheqin edhe gruan e fëmijët. Prandaj këtu shtrohet pyetja dhe me këtë merret edhe Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët: kush është i rrezikuar në radhë të parë?" Në mars të vitit të kaluar, qeveria federale e kufizoi shumë bashkimin familjar. Që atëherë, ky bashkim është kufizuar për të gjithë refugjatët, që kanë statusin e refugjatit të luftës civile, por për të cilët nuk ka dëshmi se janë vetë të përndjekur. Herrmann u shpreh për DW që ky rregull të shtrihet edhe më tej në kohë.

"AfD është raciste"

Në mënyrë të qartë Herrmann u distancua nga "Alternativa për Gjermaninë" (AfD): "Me racizmin e AfD nuk kemi fare të bëjmë. AfD ka zero kompetencë në sigurinë e brendshme. Ajo bën lloj-lloj deklaratash, por për mua ato nuk janë fare bazë orientimi", tha Herrmann. Kjo parti populiste e djathtë, në bazë të anketimeve të fundit mund të futet në Bundestag me 10 përqind të votave.

Me Merkelin në një ishull të vetmuar

Herrmann mund të ishte ndoshta ministri i ardhshëm i Brendshëm i Gjermanisë. Në Berlin qarkullon me këmbëngulje fjala se kandidati kryesor 60 vjeçar i CSU-së mund ta pasojë në post pas zgjedhjeve parlamentare ministrin e Brendshëm Thomas de Maziere (CDU). "Unë nuk spekuloj për poste", tha Herrmann në intervistë me DW. Emërimi i tij është edhe një dëshirë e kryetarit të partisë, Horst Seehofer, i cili synon që të theksojë me këtë kritikën e CSU-së për politikën ndaj refugjatëve të Merkelit. Herrmann vetë thuhet se ka një raport të distancuar ndaj Merkelit. Por në fund të intervistës ai gjithsesi vendosi për kancelaren: kur u pyet nga moderatorët se cilin nga politikanët gjermanë do të merrte me vete në një ishull të vetmuar, ai nuk u mendua gjatë: "Kancelaren, natyrisht!" Dhe e quajti kryetaren e partisë simotër të CSU-së një "grua inteligjente".