1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jo zgjedhje të Serbisë në Kosovë

Autoritetet e Prishtinës, thonë se ato mbrojnë parimin e dy shtetësisë, ku qytetarët serb mund të votojnë për zgjedhjet në Serbi, por, nuk pranojnë që votimi në Kosovë të organizohet nga Serbia.

default

Akoma është e paqartë se si do të organizohen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë me 6 maj edhe në Kosovë. Autoritetet e Prishtinës, thonë se ato mbrojnë parimin e dy shtetësisë, ku qytetarët serb mund të votojnë për zgjedhjet në Serbi, por, nuk pranojnë që votimi në Kosovë të organizohet nga Serbia. Misioni i OSBE-së në Kosovë, nuk ka qëndrim rreth kësaj çështje dhe rrjedhimisht tash për tash, nuk dihet se si do të mund të votojnë qytetarët serb që kanë dy shtetësi edhe pse kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Në foto, Pieter Feith

Në foto, Pieter Feith

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Pieter Feith, takoi të marten presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, në të cilin takim u diskutua për zgjedhjet e Republikës së Serbisë. Peter Faith, nuk u prononcua për media, ndërsa, presidentja iu drejtua medieve me një deklaratë me shkrim.

Zgjedhje të një shteti tjetër, nuk mund të organizohen në Kosovë

“Zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë dhe çfarëdo zgjedhjesh të një shteti tjetër, nuk mund dhe nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës e njohin të drejtën e dyshtetësisë dhe angazhohen për respektimin e normave dhe të konventave ndërkombëtare në rastin e dyshtetësisë”, tha presidentja Jahjaga.

Në foto, presidentja Afitete Jahjaga

Në foto, presidentja Afitete Jahjaga

Sa i përket zgjedhjeve lokale serbe ndërkaq, Serbia ka hequr dorë nga organizimi i tyre në Kosovë, por, jo edhe përfaqësuesit e serbëve të veriut. Njëri nga ta, Kërstimir Pantiq, ka thënë për mediat lokale serbe se të paktën në dy komuna në veri, zgjedhjet lokale do të organizohen nga komisionet komunale, pa ndihmën e Beogradit zyrtar. Por, ministria e punëve të Brendshme e Kosovës sipas ministrit Bajram Rexhepi, me çdo kusht do të parandalojë këto zgjedhje.

Me rëndësi është që Beogradi nuk organizon zgjedhje në Kosovë

“Për ne është me rëndësi ajo pjesa zyrtare, që nuk do të pranohen zgjedhjet lokale dhe janë deklaruar se janë kundër organizimit. Ka individë të caktuar të cilët i përkrahin”, thotë Bajram Rexhepi.

Në foto, Bajram Rexhepi

Në foto, Bajram Rexhepi

Ministri Bajram Rexhepi, kërkon nga misioni EULEX dhe KFOR-i që të parandalojnë hyrjen e zyrtarëve dhe grupeve të ndryshme serbe në Kosovë. Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Karsniqi, tha se ky mision është duke e kryer punën konform kompetencave që ka.

EULEX, kontrollon pikat 1 dhe 31 në kufirin me Serbinë

“EULEX-i gjendet në pikat 1 dhe 31, ku së bashku me autoritetet vendore, bën kontrollimin edhe lejon hyrjen e personave të cilët hyjnë në mënyrë të rregullt, ndërsa i kthen mbrapa personat të cilët provojnë në mënyrë jo të rregullt të hyjnë në Kosovë”, tha zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi.

Por, analistët politik thonë se në veriun e Kosovës nuk duhet pritur çdo gjë nga misioni EULEX edhe në rastin e zgjedhjeve lokale serbe. Nexhmedin Spahiu, analist thotë.

Nuk duhet pritur që EULEX t'i kryej të gjitha punët në veri të Kosovës

Logoja e Eulex-it

Logoja e Eulex-it

“Misioni EULEX, ka kapacitete deri në masën sa para jepen për këtë mision, por, ajo që e bënë punën e EULEX-it të lëndueshme është qasja e institucioneve të Kosovës të cilat presin që EULEX-i t'i zgjidhë problemet në veri”, thotë Nexhemdin Spahiu.

Sidoqoftë, njëri nga përfaqësuesit politik të serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, ka thënë se policia e Kosovës nuk do të mund të parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në veri të Kosovës. Sipas tij, materiali i zgjedhjeve tashmë ekziston dhe zgjedhjet lokale të Serbisë sipas tij, do të mbahen me 6 maj edhe në veri të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu, Prishtinë

Redaktoi: Esat Ahmeti