1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Jo vizione, por ndihma konkrete - Fjalimi i Obamës për Lindjen e Mesme nuk i përmbush shpresat

Fjala e Presidentit Obama për Lindjen e Mesme dhe revoltën arabe bëri një gjë të qartë: Ndikimi i SHBA është i kufizuar. Në ofertë nuk janë vizionet, por ndihma financiare për Tunizinë e Egjiptin.

Presidenti amerikan Barack Obama

Barack Obama

Shtetet e Bashkuara mbështesin me gjithë zemër rilindjen e demokracisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ata dënojnë shtypjen e protestave nga regjimet në Libi dhe Siri. Ata kërkojnë nga Izraeli dhe palestinezët, që të triumfojë më në fund arsyeja dhe largpamësia dhe të bien dakord, për për një zgjidhje me dy shtete. E gjitha kjo është e arsyeshme, e kënaqshme - por në të nuk ka asgjë vizionare.

Krahasuar me fjalën e tij drejtuar botës islame para dy vjetësh në Kajro, fjalimi i ri i presidentit amerikan nuk është vetëm nga toni më i matur. Barack Obama, nuk ka diçka substancialisht të re për të thënë. Për të tërhequr vemendjen ishte njohja e qartë e kufijve të viteve 1967, si bazë për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Gjithsesi qeveria e Izraelit ka protestuar menjëherë kundër këtij konstatimi. Dhe së dyti është fakt, se ai nuk ruajti nga kritika as partnerët e SHBA-së si Jemenin dhe Bahrainin.

Barack Obama flet për principet e politikës amerikane mbi Lindjen e Mesme

Barack Obama flet për principet e politikës amerikane mbi Lindjen e Mesme

Arabia Saudite nuk u përmend

Më interesante është ajo që nuk tha Presidenti i SHBA-së. Barack Obama e paralajmëroi Bahrainin që të mos mbyllë në burgje partnerët e mundshëm për dialog. Por ai nuk tha se në çfarë mënyre ai do të mbështesë në të ardhmen forcat demokratike në vende me rëndësi të tillë strategjike. Partnerin më të rëndësishëm të SHBA-së në rajon - Arabinë Saudite të pasur me naftë - në fjalimin e tij ai nuk e përmendi aspak. Pavarësisht se regjimi atje me gjithë reformat e ngadalta shkel rëndë të drejtat e njeriut, duke mishëruar kështu pikërisht të kundërtën e vizionit të një "pranvere arabe".

E vërteta është se vizioni i një "pranvere arabe" në të gjithë rajonin mund të dështojë, apo të çojë në kaos për shkak të përdorimit të dhunë brutale nga shumë regjime. Fjalimi i matur i Obamës reflektoi indirekt jo vetëm këtë shqetësim, por edhe pafuqinë e tij. Me sa duket as ai nuk ka vizion, se si do të shkojë më tej. Në fund të fundit vetë SHBA kanë vetëm ndikim të kufizuar mbi dinamikën në rajon. Por Obama, së paku lë të flasin veprat: Egjipti dhe Tunizia si shembuj të ndritshëm të revolucionit do të marrin ndihmë të lartë financiare, për të përballuar më mirë tranzicionin e vështirë drejt demokracisë. Një vendim i mençur, të cilit duhet t'i bashkangjiten edhe vendet evropiane.

Autor: Reiner Sollich/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama