1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Jo vetëm shkaqe sociale - protestat e të rinjve në Tunizi dhe Algjeri

Pas Tunizisë protesta të të rinjve, të shoqëruara edhe me të vrarë, pati gjatë fundjavës edhe në Algjeri. Por protestat nuk kanë vetëm shkaqe sociale.

default

Shumë evropianë vazhdojnë ta asociojnë edhe sot Algjerinë me dhunën dhe mungesën e stabilitetit dhe Tunizinë, me pushime me çmime të ulta në breg të detit nën hijen e palmave. Por këto përfytyrime të ndryshme janë të gabuara dhe nuk marrin parasysh një të përbashkët vendimtare: në të dy këto vende stabilteti i qeverisë po sfidohet për momentin me përmasa të paparashikueshme prej protestave të forta sociale.

Gjendja është shpërthyese në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sepse nëpër rrugë nuk po dalin vetëm disa fondamentalistë të vetmuar, por po derdhet i gjithë zemërimi i përfaqësuesve të shumicës së shoqërisë, të rinj nën 35-vjeç. Në të dyja vendet protestat janë shoqëruar me të vrarë. Në të dyja vendet forcat e sigurisë duket se nuk e përballojnë dot gjendjen dhe se acarimet e mëtejshme nuk përjashtohen.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Rainer Sollich.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Rainer Sollich.

Nuk është fjala vetëm për ngritjen masive të çmimeve të ushqimeve. Bëhet fjalë për mungesën e mundësive për t'u punësuar madje edhe për ata që kanë kryer studimet e larta, për korrupsionin, dhe një politikë ekonomike të gabuar - është fjala për mungesën e shpresave për një brez të tërë. Në këtë mënyrë edhe për protestën ndaj dy sistemesh, që nuk mund t'u ofrojnë qytetarëve të tyre perspektiva të besueshme për jetën.

Në Algjeri kemi zemërimin e kuptueshëm që shfrytëzimi i pasurive të vendit nuk shkon në favor të popullsisë. Tunizia ka dekada të tëra që kufizon liritë e qytetarëve të saj dhe ushtron një cenzurë mbytëse për mediet.

Protesta ka edhe në rrjetet sociale në internet. Ato duket se nxisin njëra-tjetrën dhe mund të çojnë në ndezjen e revoltave edhe në vende të tjera të rajonit. Regjimet e të dy presidentëve në moshë Abdelaziz Buteflika dhe Zine el Abidine Ben Ali, nuk kanë asnjë lloj koncepti dhe ideje për t'u përballur me zhvillime të tilla. Që të dy janë në fund të karierës së tyre dhe i lënë popujt e të dy vendeve në paqartësi, sa i përket së ardhmes. Ata bëjnë vetëm apele dhe i varin shpresat tek aparatet e tyre të sigurimit.

Evropa, fqinja e pasur e vendeve të Magrebit, është më tepër se indirekt e prekur prej problemeve të mprehta sociale në këtë zonë. Për këtë është për t'u çuditur që Europa nuk ka thënë deri tani asgjë për këto zhvillime. Nuk është ndonjë sekret që shumë prej të rinjve të pakënaqur në Algjeri dhe Tunizi do të emigronin më mirë sot se nesër për në Francë apo Gjermani. Presioni po shtohet, si në vendet e Magrebit edhe në drejtim të Evropës. BE nuk mund të mbrohet prej tyre vetëm me gardhe rrethues gjithnjë e më të lartë.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 10.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zvqz
  • Data 10.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zvqz