1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Jo vendim rutinë në Bundestag

Qeveria gjermane synon që baza ligjore për ombrellën e shpërimit të euros ESM dhe për paktin fiskal evropian të jetë punë e kryer deri në fund të majit. Mirëpo opozita nuk ka ndër mend të lëshojë pe.

Bundestagu këshillohet për ndihmat financiare në rrafsh evropian.

Bundestagu këshillohet për ndihmat financiare në rrafsh evropian.

Ai duket serioz dhe plot vetëbesim. "Mos mendoni se miratimi do t'u vijë kallëp në gojë", paralajmëron kryetari i fraksionit të Partisë Socialdemokrate Frank-Walter Steinmeier duke e drejtuar vështrimin nga banka e qeverisë në Bundestagun Gjerman. Ora sa ka kaluar 9.30 në këtë 29 mars dhe Ministri i Financave Wolfgang Schäuble sapo është përpjekur për 23 minuta që të zgjojë interes për paktin fiskal evropian dhe për mekanizmin evropian të stabilitetit ESM, i cili planifikohet të nisë në korrik).

Ministri i Financave Wolfgang Schäuble

Ministri i Financave Wolfgang Schäuble

Ombrellën e shpëtimit qeveria gjermane mund ta miratojë në parlament me shumicën e vet, mirëpo për ratifikimin e frenit evropian të huave në paktin fiskal nevojitet një shumicë prej dy të tretash. Kjo nuk mund të arrihet pa miratimin e opozitës. Qeveria është e mendimit se ombrella e shpëtimit dhe freni i huave janë të lidhur drejtpërdrejt njëri me tjetrin, prandaj ajo planifikon që votimi për këto dy projekte të bëhet njëkohësisht..

Secili të pastrojë para portës së vet

Vendimtare për stabilizimin e monedhës së përbashkët është, që të luftohen arsyet e krizës, si futja e tepruar në hua dhe mungesa e aftësisë konkurruese, thotë Schäuble. Secili pastron "para portës së vet, ne e bëjmë me politikën tonë dhe të tjerë e bëjnë gjithashtu, dhe pastaj na duhet një strukturë për bashkim stabiliteti, gjë që nuk e kemi arritur në vitet nëntëdhjetë." Kur ta kemi siguruar këtë, thotë Ministri i Financave si replikë për kërkesat e fundit të OECD-së, për ta zgjeruar në një bilion euro ombrellën e shpëtimit, atëherë muri mbrojtës nuk duhet të jetë më aq i lartë. "Murin kundër zjarrit mund ta ndërtosh të lartë sa të duash, kjo nuk sjell gjë në qoftë se nuk luftohen problemet."

Mirëpo, sado energjikisht i thekson përparësitë e zbatimit shpejt të paktit fiskal evropian Wolfgang Schäuble, Partia Socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe E Majta nuk duan ta ndjekin. Kësisoj qeveria nuk do të jetë në gjendje t'i përmbahet planit të vet kohor, sipas të cilit më 25 maj (pas vetëm dy muajsh këshillime parlamentare) do të vendoset nga Bundestagu jo vetëm për ESM-në, po edhe për paktin fiskal.

Kryetari i fraksionit parlamentar të Partisë Socialdemokrate Steinmeier thekson se në paktin fiskal ka ende nevojë për sqarime ligjore, që "nuk janë për t'u nënvlerësuar". Është fjala për vendime, që ndërhyjnë thellë në rendin kushtetues të vendit, ndoshta edhe në të drejtat e parlamentit, thotë Steinmeier. Si vepron freni i huave në paktin fiskal kundrejt frenit kombëtar të huave? A ka shtrëngime për fedratën dhe për landet? A ka konsekuenca për rendin financiar brendashtetëror si dhe për të drejtën buxhetore? Kush përgjigjet për shkelje të mundshme në të ardhmen?", pyet Steinmeier. Qeveria nuk mund vërtet të presë mbështetje nga radhët e Bundestagut kur këto pyetje nuk kanë marë përgjigje, thotë Steinmeier. Përveç kësaj, shton ai, displina buxhetore është në fakt e domosdoshme, por kur 27 shtetet në Evropë nuk bëjnë gjë tjetër njëkohësisht, veçse të kursejnë pa kuptim e fantazi, atëherë nga kjo nuk mund të lindë gjë. Pakti fiskal duhet plotësuar doemos me elemente rritjeje ekonomike, vijon ai.

Kritikë edhe nga Të Gjelbrit

Ngjashëm argumenton kryetari i fraksionit të Të Gjelbërve, Jürgen Trittin. Vetëkuptohet që Evropa duhet të dalë nga kurthi i huave, huat e reja duhet të kufizohen dhe huat e vjetra duhet të reduktohen, thotë ai. "Duhet të kufizojmë spekulimin dhe duhet të investojmë në rritje ekonomike të qëndrueshme. Kjo është ajo që duhet të realizojmë. Mirëpo, për këtë kemi kohë deri në fund të vitit." Edhe Franca do ta ratifikojë paktin fiskal më e herëta në vjeshtë, vijon Trittin. Shumë më e rëndësishme është njëherë, të realizojmë ESM-në, thotë Trittin.

Autor: Sabine Kinkartz / Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica