1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo reforma vetëm në letër

Fatos Musliu11 Tetor 2013

Në prag të raport-progresit të Komisionit Evropian për arritjet e Maqedonisë për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE, Shkupi ndërmerr aktivitete diplomatike, që raportprogresi të jetë sa më pozitiv.

https://p.dw.com/p/19xwG
Fotografi: AP

Raport-progresi, që duhet të publikohet javën e ardhshme, sipas burimeve diplomatike do të përfshijë vlerësime pozitive për kriteret politike, por edhe kritika veçanërisht për sferat, në të cilat janë vërejtur ngecje në realizimin e reformave. Analistë dhe ekspertë për çështje të eurointegrimeve vlerësojnë se reformat dhe obligimet, që ka Maqedonia si vend kandidat për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, kanë ngelur nën hijen e zgjidhjes së çështjes së emrit. Transparenca e institucioneve publike, reformat në jurisprodencë, pozita e mediave dhe raportet ndërfqinjësore janë fushat, në të cilat do të vlerësohen arritjet e Maqedonisë.

Kryetari i Institutit për Demokraci, Vlladimir Misev, është i mendimit se Maqedonisë i nevojiten reforma shtesë në pjesët e pavarësisë së gjyqeve. Është shenjë pozitive që KE në raportin e pranverës ka dhënë vlerësime pozitive për reformat në gjyqësi, por që të kemi gjyqësi të pavarur, duhen edhe shumë reforma, thotë Misev. “Edhe pse janë bërë reforma, mungon implementimi i tyre në praktikë. Gjyqtarët shpeshherë ankohen se nuk janë të pavarur në punën e tyre, ky është argument i mjaftueshëm, që në Maqedoni duhet edhe më tej të punohet për pavarësinë e gjyqësorit”, thotë Vlladimin Misev.

Kryetari i Institutit për Demokraci, Vlladimir Misev
Kryetari i Institutit për Demokraci, Vlladimir MisevFotografi: Vladimir Misev

Reformat në gjyqësi dhe sundimi i së drejtës janë kapitujt e parë, në të cilöt vlerësohen vendet kandidate për anëtarësim në BE, thotë profesori universitar Florijan Bibar. “Reformat mund të bëhen shumë mirë në letër, por nëse edhe më tej ka probleme, atëherë ato janë pengesë serioze për reformat e mötutjeshme. Partitë politike jo vetëm në Maqedoni, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perendimor, kanë ndikim në të gjitha sferat e jetës politike dhe publike, ku nuk anashkalohet edhe gjyqësia. Vetëm reformat e mirëfillta mund të krijojnë gjyqësi të pavarur“, vlerëson Bibar.

Çështjet e hapura me fqinjët

Maqedonia duhet të bëjë hapa konkrete edhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, pasi përveç Greqisë, që konteston emrin, edhe Bullgaria ka rezerva dhe kritika ndaj Shkupit lidhur me historinë dhe gjuhën.

Bllagoja Markovski nga Forumi Ballkanik për Siguri vlerëson se Maqedonia përpos emrit, në të ardhmen mund të ballafaqohet edhe me kërkesa të tjera të vendeve anëtare, siç është rasti me Bullgarinë, e cila kërkon nënshkrimin e një memorandumi për fqinjësi të mirë. “Praktika tregon se zvarritja e çështjeve të hapura mund të nxisë kërkesa të reja për anëtarësim në BE”, shprehet Markovski.

Edhe Bllagoja Zashov, ish ambasador, vlerëson se çështjet e hapura me fqinjët mund të paraqiten si problem serioz për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. “Emri me Greqinë, çështja e kombit dhe gjuhës me Bullgarinë, mosnjohja e kishës nga Serbia, janë çështje të hapura të Maqedonisë me fqinjët. Nuk duhet të na habitë fakti, nëse këtyre çështjeve i bashkangjitet edhe çështja komplekse, që mund ta parashtrojë Shqipëria për bashkësinë shqiptare në Maqedoni”, thotë Zashov.

Pozita e mediave nën vëzhgimin e KE

Komisioni Evropjan, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve MIA, në raportin e progresit, që ende nuk ështe publikuar, do ta kushtëzojë Maqedoninë edhe me një kriter të ri, i quajtur “kulturë mediatike”, ku prezantohen problemet me lirinë e shprehjes së lirë të mediave.

Universiteti në Shkup
Universiteti në ShkupFotografi: dpa

Profesori i fakultetit të gazetarisë në Shkup, Sefer Tahiri, thotë se gjendja aktuale e mediave në Maqedoni është tejet e komplikuar dhe se nevojitet një qasje serioze për të krijuar kushte normale, në të cilat do të punonin mediat, ku para së gjithash do të respektohej shprehja dhe mendimi i lirë. “Situata në sistemin mediatik është komplikuar nga degradimi në aspektin e shkeljes së normave kushtetuese dhe ligjore. Një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë e bartin edhe vetë pronarët e mediave, sepse ata i kanë lejuar politikanët t'i marin nën sqetulla, apo thënë më vrazhdë të kontrollojnë punën e tyre”.

Analistët dhe ekspertët vlerësojnë se raport-progresi edhe këtë vit do të jetë pozitiv për Maqedoninë, por çështja e pazgjidhur e kontestit të emrit do të pamundësojë marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.