1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Jo punëtorë të dorës së dytë!"

Një incident në kantierin detar Meyer në Papenberg, ku dy të punësuar nga Rumania që strehoheshin në territorin e kantierit, humbën jetën në një zjarr, ngjalli një debat për kushtet e punës në firmat subkontraktuese.

default

Reinhard Göhner

A nxitet dumping-u i pagave në Gjermani dhe Evropë nga shtimi i kontratave për krah pune të huazuar? Dhe cilat janë problemet që lindin nga këto kontrata për punëdhënësit, punëmarrësit, por edhe sindikatat dhe politikën? Në intervistë me kanalin e dytë gjerman ZDF, Drejtori ekzekutiv i Ligës së Shoqatave gjermane të Punëdhënësve, Reinhard Göhner, thotë se megjithë incidentin, nuk sheh nevojë për ndryshime ligjore.

ZDF: Zoti Göhner, tani në Papenburg ju doni të hartoni një kartë sociale dhe të përfshini këshillin përfaqësues të punëtorëve në lidhjen e marrëveshjeve me firma subkontraktuese. Kjo të jep përshtypjen se po merren masa për të përmirësuar një gabim.

Reinhard Göhner: "Besoj se këto janë masa logjike. Kantieri Meyer, ashtu si kudo në ndërtimin e anijeve, duhet të kontraktojë një numër firmash subkontraktuese dhe për këtë arsye është edhe logjike që të pyesim se si paguhen punëtorët e këtyre firmave dhe në çfarë kushtesh punojnë. Tani madje duhet të kujdesemi edhe për kushtet e qerave të banesave për punëtorët e firmave subkontraktuese, pasi duket se janë të këqija."

ZDF: Në statutet e BDA-së thuhet fare qartë: 'Punëmarrësit nga firmat subkontraktuese nuk janë punëmarrës të dorës së dytë'. A është ky vërtet rregulli?

Reinhard Göhner: "Po. Për punëmarrësit nga firmat subkontraktuese vlen e gjithë e drejta gjermane e punës dhe sociale dhe natyrisht edhe marrëveshjet për pagat. Si rregull këta punëmarrës paguhen me pagat e përcaktuara në marrëveshjet tarifore ose dhe më mirë, 20 deri 30 euro ora, madje edhe në kantierin Meyer. Problemi i vështirë është se çfarë mbërrin nga këto para vërtet në duart e punëtorëve, të punësuar në firmën subkontraktuese. Firma që i jep porosinë një sipërmarrjeje subkontraktuese nuk mund të bëhet përgjegjëse për rastet e abuzimeve me pagat (...).

ZDF: Zoti Göhner ju jeni në të vërtet jurist për të drejtën e punës, keni qenë madje sekretar shteti në Ministrinë e Drejtësisë. Kur një punëtor në Gjermani punon, atëherë ai duhet të jetë në gjendje të jetojë me atë që fiton nga puna. Ky është në parim një rregull që ju e mbështesni si jurist i të drejtës së punë?

Reinhard Göhner: "Natyrisht, dhe çdo gjë tjetër nuk e konsideroj në rregull në aspektin social. Dhe pagat që paguhen në këto raste, si rregull janë paga sipas marrëveshjeve tarifore, për të cilat është rënë dakord me sindikatat gjermane. Kjo vlen për sipërmarrjet e logjistikës dhe për gjithçka që bëhet në punën me kohë të pjesshme. 100 për qind e kontratave për punë me kohë të pjesshme janë rregulluar në mënyrë të arsyeshme me marrëveshje tarifore."

ZDF: Megjithatë ka edhe dele të zeza në radhët e sipërmarrjeve gjermane, që përpiqen të punësojnë krah të lirë pune. Si duhet vepruar në këtë rast? Çfarë thotë shoqata e punëdhënësve? Si veproni me sipërmarrje të tilla?

Reinhard Göhner: "Në fushën e punës së huazuar nuk e konstatoj një abuzim të tillë. Dhe deri tani nuk është paraqitur asnjë rast i vetëm. Rasti i kantierit detar Meyer është një rast ku punëmarrësit nga firma subkontraktuese janë paguar me 20 deri 30 euro ora. Kemi raste të tjera p.sh. nga logjistika, apo në industrinë elektrike dhe metalurgji ku pagat janë po kaq të larta. Për këtë arsye besoj se në këtë diskutim ka pjesërisht edhe pasaktësi. Ne kemi një ekonomi që funksionon mbi bazën e ndarjes së punës. Ka natyrisht edhe punë të thjeshta, të cilat sipërmarrjet nuk i kryejnë vetë por me firma subkontraktuese. Dhe unë besoj se është e arsyeshme që këto punë të thjeshta, për të cilat nuk nevojitet kualifikim të kryhen edhe me paga më të ulëta. Duhet të rikujtojmë se Gjermania është një vend me paga të larta."

ZDF: Por disa prej punëtorëve thonë se marrin 7,5 euro në orë. Në Gjermani paga e ulët fillon me 9,5 euro, pra ky është kufiri. Do të thotë që kemi të bëjmë me krah të lirë pune?

Reinhard Göhner: "Po, 7,5 euro është një pagë shumë e ulët. Por sipërmarrja që jep porosinë paguan për këtë 20 deri 30 euro. Tani pyetja është, dhe kjo po trajtohet si duhet nga kantieri Meyer, si mund të garantojmë që sipërmarrja që jep porosinë të kontrollojë që këto para mbërrijnë vërtet në duart e punëtorëve të firmës subkontraktuese. Sigurisht për këtë nevojiten edhe masa të tjera dhe kjo po ndodh tani në kantierin Meyer."

ZDF: Kush duhet të kontrollojë në këto raste?

Reinhard Göhner: "Përgjegjës është punëdhënësi i firmës subkontraktuese. Ai duhet të garantojë respektimin e rregullave të marrëveshjeve tarifore, në të drejtën e punës dhe sociale."

Intervistoi: Wulff Schmiese, ZDF.