1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo pazar me vdekjen

Nina Werkhäuser7 Nëntor 2015

Bundestagu debatoi për një ligj delikat. Në të ardhmen ndalohet me ligj kthimi në biznes i eutanazisë, por lejohet ndihma për dhënien fund të jetës personave të sëmurë për vdekje, kur ata e kërkojnë shprehimisht këtë.

https://p.dw.com/p/1H1Kz
Deutschland Sterbehilfe
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Berg

Një lloj tensioni ndjehej në sallën plenare të Bundestagut kur ajo filloi të mbushej në orët e mëngjesit (06.11) - Për debat qëndronin katër ligje konkurruese për eutanazinë, ofrimin e ndihmës për vdekjen. Detyrimi i votimit brenda fraksionit u hoq, pasi pati qëndrime nga më të ndryshmet brenda vetë partive. Më shumë se 600 deputetë gjermanë hynë në sallë, më shumë se zakonisht. Në ditët para votimit në Bundestag toni mes grupeve të ndryshme u ashpërsua, duke iu përgjigjur kështu temës tejet të ndjeshme - bëhet fjalë se si mund të menaxhohet më mirë gjendja e të sëmurëve për vdekje, kur këta vetë duan t'i japin fund jetës. Prej 145 vitesh Gjermania nuk ka pasur një ligj të tillë, tanimë një ligj i tillë bëhet realitet.

Shoqatave të "ndihmës për eutanazinë" t'u hiqen mundësitë

Në një kohë që presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert shpjegon procedurën e komplikuar të votimit, hyn me nxitim kancelarja në sallë. Ajo e mbështet iniciativën që ka më shumë nënshkrime. Një iniciativë e startuar nga dy deputetë, Michael Brand i CDU-së dhe Kerstin Griese e SPD-së. Ata duan pasurimin e kodit penal me një paragraf të ri: Kush, "nxit për qëllime përfitimi" vetëvrasjen e një tjetri në të ardhmen mund të dënohet deri në tre vite me burg në Gjermani. Aktualisht ndihma për largimin nga jeta në rastet e personave të sëmurë rëndë në Gjermani nuk është e penalizueshme.

Deutschland Debatte über die Sterbehilfe im Bundestag
Fotografi: picture-alliance/dpa/K.-D. Gabbert

Micahel Brand, i cili hapi debatin lëvdon faktin që tema e ofrimit të ndihmës për eutanazinë ka dalë më në fund nga "zona e tabuizimit". Pastaj ai sqaron se kundër kujt drejtohet projektligji që kanë përgatitur ata. "Po zënë vend njerëz që e nxisin për qëllime përfitime dëshirën për vetëvrasjen", thotë ai duke pasur parasysh firma që ofrojnë një ilaç vdekjeprurës kundrejt parave. "Oferta për ndihmë në rast dëshire për largimin nga jeta krijon edhe kërkesë". Kjo nuk duhet pranuar, thotë Brand.

"Mjekët kriminalizohen"

Ky argument nuk i bind kundërshtarët e projektligjit të Brand dhe Griese. Ata thonë se ka shumë pak njerëz që e ofrojnë këtë në formë komerciale, problemi fryhet shumë thonë ata. Më shumë ka mjekë paliativë, tek të cilët drejtohen në mirëbesim pacientët e sëmurë për vdekje. Në rast se ata ndihmojnë këta njerëz me dëshirën për të vdekur, argumenton deputeti i CDU-së, Peter Hintze, rrezikojnë që të ndiqen penalisht në të ardhmen. "Çfarë shteti i së drejtës do të ishte ky, që për të kapur një sharlatan, kërcënon me ndëshkim mijëra mjekë të përgjegjshëm?", pyet Hintze, projektligji i së cilit është i dyti në radhë në fund për nga numri i votave.

Deputetët krah Hintzes kërkojnë moskriminalizimin e mjekëve. Ky grup kërkon futjen më ligj "të së drejtës për dhënien fund të jetës me shoqërim mjekësor". Shumë debatues të tjerë pyesin nëse shteti e ekzagjeron me futjen në nene ligjore të një gjëje kaq private siç është vdekja. Deputetja e Të Gjelbërve Renate Künast kërkon që "shteti të qëndrojë larg kësaj çështjeje". "Të pranojmë vetëvendosjen në fundin e jetës", thotë Künast. Këtë e kërkojnë shumë gjermanë, thotë ajo. Projektligji që ka paraqitur grupi që përkrah deputeten Renate Künast parashikon liberalizimin më të madh në drejtim të ofrimit të ndihmës për vdekjen të personave pa asnjë shpresë e me dhimbje. Në anën tjetër të kundërt qëndron një projektligj, që kërkon të ndalojë plotësisht ofrimin e kësaj ndihme dhe ndëshkimin penal me 5 vjet heqje lirie. Ky projektligj i nënshkruar vetëm nga 35 deputetë nuk kishtë asnjë shans.

Deutschland Debatte über die Sterbehilfe im Bundestag
Michael Brand në BundestagFotografi: picture-alliance/dpa/K.-D. Gabbert

Çështje interpretimi

Një aspekt të rëndësishëm në debat përbënte edhe interpretimi juridik i konceptit "e kthyer në biznes". Deputetët rreth Brand dhe Griese thonë se kjo mund të thuhet kur ofrimi i ndihmës për të vdekur është në qendër të veprimit në fjalë. Me këtë mjekët që në raste të veçuara ofrojnë ndihmë personave të sëmurë për vdekje nuk do të ndiqen penalisht. Kritikët megjithatë shohin këtu një problem tjetër: Thjesht edhe ndihma e përsëritur për vdekjen meriton nga ana juridike përcaktimin "kthim në biznes".

Në fund të debatiti projektligji i përgatitur nga deputeti kristiandemokrat Brand dhe deputetja socialdemokrate, Griese i nxjerr jashtë loje që në votimin e parë tre projektligjet e tjera për shkak të numrit të votave. Në votimin përfundimtar ky projektligj merr 360 vota pro përkundrejt 233 votave jo. Me këtë rezultat në Gjermani dënohet me ligj në të ardhmen kthimi në biznes i ndihmës për personat që duan të largohen nga jeta në rast sëmundjeje të rëndë.