1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Jo luftë, po luftë

Për të parën herë ushtria gjermane përdori gjatë një operacioni ushtarak në Afganistan autoblinda dhe mortaja. Megjithatë ministri i Mbrojtjes Franz Josef Jung flet për "mision stabilizimi", jo për luftë.

Tanke gjermane ne luftime ne Afganistan

Tanke dhe autoblinda të Bundeswehrit në "mision stabilizimi" Afganistan

Nëntë ditë zgjati operacioni ushtarak në Afganistan, i cilësuar si ofensiva më e madhe e ushtrisë gjermane, Bundeswehr, dhe përfundoi të enjten e kaluar. Për të parën herë u përdorën autoblinda dhe mortaja, për të parë herë vlenin direktivat e reja të misionit, të cilat bëjnë të mundur një përdorim më të shpejtë të armëve të zjarrit. Ministri i Mbrojtjes Franz Josef Jung flet megjithatë për "mision stabilizimi", jo për luftë. A është luftë kjo në Afganistan, ku ushtarët gjermanë luftojnë, apo nuk është luftë?

Kjo luftë nuk është luftë. Luftë është kur një shtet sulmon me ushtarë një shtet tjetër. Të paktën kështu e sheh e drejta ndërkombëtare. Luftë ishte kur një aleancë ndërkombëtare nën udhëheqjen e amerikanëve sulmoi Serbinë për t'i dhënë fund gjenocidit në Kosovë.

Por në Afganistan nuk luftojnë shtete kundër shtetesh. Në Afganistan ka luftë civile dhe shumë shtete, ndër to Gjermania, luftojnë në anën e njërës prej dy palëve të luftës civile. Ato luftojnë në anën e qeverisë Karzai, të njohur prej tyre, kundër kryengritësve talibanë.

Edhe lufta civile është luftë, megjithëse jo në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare. Përjashtim përbën rasti kur një shtet lufton në anën e kryengritësve kundër qeverisë së ligjshme. Atëherë në pikëpamje ndërkombëtare ky shtet lufton kundër shtetit, që përfaqëson kjo qeveri. Megjithatë, çështja e qeverive të ligjshme nuk është gjithnjë aq e thjeshtë. Në luftën civile në Spanjë Gjermania naziste dhe Italia fashiste mbështetën puçistin Franko, qeverinë e të cilit e njohën si të ligjshme. Bashkimi Sovjetik mbështeti qeverinë e rrëzuar socialiste, që vazhdonte ta shihte veten si legjitime.

Në Afganistan talibanët e shihnin veten si qeveri të ligjshme, kur u sulmuan nga aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Qeveria e talibanëve ishte njohur nga disa shtete, por jo nga amerikanët dhe evropianët. Në luftën e gjatë civile talibanët kishin vënë në kontroll pothuajse gjithë Afganistanin, vetëm në një pjesë të vogël rezistonte Aleanca e Veriut. Nga këndvështrimi perëndimor në atë kohë nuk kishte qeveri të ligjshme në Kabul, Afganistani shihej si "failed state", si shtet i dështuar.

Gjatë luftës civile mizore në Kinë në fund të viteve dyzet komunistët përzunë nga kryeqyteti Nanxhing qeverinë republikane, të njohur ndërkombëtarisht, dhe vunë nën kontrollin e tyre pothuajse gjithë vendin; vetëm në ishullin Tajvan arritën të rezistonin republikanët. Por në vitet shtatëdhjetë, shtetet perëndimore e konsideruan të nevojshme, t'i njihnin komunistët në Pekin, të cilët kishin hyrë në konflikt me Moskën, si qeverinë e ligjshme të Kinës.

Kur talibanët morën pushtetin në Kabul, Bashkimi Sovjetik nuk ekzistonte më. Kush e di, ndoshta Perëndimi do t'i kishte njohur ata në mënyrë të ngjashme, për të krijuar një kundërpol kundrejt Moskës. Atëherë ndërhyrja ushtarake kundër tyre do të ishte luftë e rregullt. Meqënëse Al Kaida me tolerimin e talibanëve i planifikoi atentatet e 11 shtatorit 2001 nga Afganistani dhe po planifikonte të tjera, ekzistonte edhe një arsye tjetër e ligjshme për luftë. Me që bie fjala, atëherë amerikanët dhe aleatët e tyre në vend të kampeve të dyshimta në Guantanamo dhe gjetiu duhet të kishin ngritur kampe të rregullta për të burgosurit e luftës, të cilat do të vëzhgoheshin prej Kryqit të Kuq.

Por kështu siç është, kjo luftë nga ana formale nuk është luftë. Megjithatë mbetet luftë.

Autor: Peter Stützle
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 03.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J2am
  • Data 03.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J2am