1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Jo hakmarrje, por drejtësi

Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë heton krime të rënda nga luftërat e viteve '90 në Jugosllavi. Këtu synohet të nxirren përgjegjësit para gjyqit.

Tribunali Ndërkombëtar Penal i Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY) u themelua në mars 1993 mbi bazën e rezolutës 827 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Vitin që pasoi gjykata e nisi punën: që atëherë, në Hagë u ngrit aktpadije kundër 161 personave. Proceset zgjasin shumicën e herëve disa vjet. Deri tani janë dënuar 69 të akuzuar dhe 18 janë shpallur të pafajshëm. Kundër 28 të akuzuarve po zhvillohen procese gjyqësore, midis të tjerave kundër ish-dy funksionarëve të lartë serbë: kundër ish udhëheqësit të serbëve, Radovan Karaxhic dhe ish-gjeneralit Ratko Mladic. Edhe ish-presidentit jugosllav, Slobodan Miloshevic iu desh që të përgjigjej para gjykatësve në Hagë. Për t'u dënuar ai nuk u dënua, sepse vdiq në vitin 2006 në qelinë e tij nga infarkti i zemrës.

Tribunali heton disa kategori krimesh: shkelje të Konventës së Gjenevës, gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Fytyrat e luftës

Vetëm persona mund të nxirren para përgjegjësisë në Tribunal, jo shtete ose institucione. Gjatë procesit, të akuzuarit strehohen në një burg hetimor të ngritur në mënyrë të posaçme. Pas dënimit, ai mund të kryhet në njërin nga të 17 vendet, të cilat janë treguar të gatshme që ta marrin përsipër zbatimin e dënimit- midis tyre bën pjesë edhe Gjermania. Dënimi maksimal që mund të japë Tribunali është dënimi me burgim të përjetshëm. Tribunali përbëhet nga tri dhoma penale dhe një dhomë revizioni. 18 gjykatës të përhershëm dhe 12 të ashtuquajtur gjyqtarë të thirrur si përforcim për procese të veçanta gjyqësore emërohen nga e gjithë bota.

Veprimet e fundit të Tribunalit

Tribunali i Hagës financohet pjesërisht nga OKB, pjesërisht nga organizata mbishtetërore si Komisioni Evropian. Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë parashikohet ta përfundojë punën në vitin 2016. Pasardhës juridik për Tribunalin për ish-Jugosllavinë dhe Tribunalin për Ruandën do të jetë Mekanizmi Ndërkombëtar Pasues për Gjykatat Penale ad-Hoc (IRMCT), që e ka nisur punën më 1 korrik 2012.