1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Jo Gjermania, por SPD-ja po vetëeliminohet ! Thilo Sarrazin mbetet tek socialdemokratët

Pas botimit të "Gjermania po vetëeliminohet" i cili shkaktoi mjaft debat në Gjermani, kryetari i SPD-së Sigmar Gabriel kërkoi që autori i librit Thilo Sarrazin të përjashtohej nga partia. Por SPD ndryshon tani qëndrim.

default

Thilo Sarrazin para një pllakati me librin e tij

Ai që do të kishte vënë bast muajt e fundit, nëse Thilo Sarrazin do të vazhdonte të mbetej anëtar i partisë SPD, nuk do të merrej seriozisht. Ish-anëtarin e bankës Federale Gjermane dhe ish-senatorin e Berlinit për Financat e kishte kritikuar ashpër edhe vetë kryetari i partisë Siegmar Gabriel. Por në fund doli fitues instinkti populist i politikës dhe gjykata e SPD-së mori vendim që Thilo Sarrazini të mos përjashtohet nga partia. Por me këtë partia nuk e zgjidhi problemin, por krijoi një të ri. Në radhët e SPD-së ka filluar një valë daljesh nga partia, sidomos e anëtarëve të krahut të majtë. Gabrieli hesht me forcë, kurse sekretarja e përgjithshme e partisë Andrea Nahles po përpiqet për të kufizuar dëmet.

Çfarë e bëri kryesinë të ndryshonte qëndrim?

Sqarimi i thjeshtë i Sarrazinit, se me beststeller-in e tij "Gjermania po vetëeliminohet" nuk synonte të diskriminonte migrantët, ishte për Andrea Nahlesin si përfaqësuese e kryesisë së partisë në gjykatën e SPD-së i mjaftueshëm, për të votuar kundër përjashtimit të tij nga partia. Sarrazini kishte shtuar se ai donte të tërhiqte vëmendjen për deficitet e mëdha në fushën e migramit dhe të integrimit si dhe për zhvillimet e gabuara demografike në Gjermani.

Baha Güngör komenton

Baha Güngör komenton

Në rast se SPD nuk e përjashton nga radhët e saj Sarrazinin, e bën këtë sepse mendon se shumica dërmuese e anëtarëve dhe e elektoratit të saj mendojnë si ai. Kjo do të thotë se një përqindje e madhe e gjermanëve ndajnë paragjykimet ndaj turqve, arabëve dhe hebrejve. Për këtë flet edhe fakti që libri i Sarrazinit është prej muajsh në listat e bestseller-ve. Po a nuk do të ishte më e përshtatshme për përfytyrimet e një partie të majtë, në rast se SPD do të tregonte guxim dhe do të ndahej prej një njeriu, tezat e të cilit ofrojnë madje slogane për fushatën elektorale të partive ekstremiste të djathta?

Gjermania nuk vetëeliminohet, por SPD-ja me qëndrimin e ri ndaj Sarrazinit

Gjermania nuk do të vetëeliminohet, sikurse deklaron titulli i librit të Sarrazinit. Por SPD gjendjet përpara një grumbulli të madh problemesh dhe duhet të ketë frikë se mund të vetëeliminohet prej besnikërisë ndaj shokut Sarrazin, ose se mund të rrezikojë humbje të mëdha votash në zgjedhjet lokale. Se ç'taktikë elektorale e bëri SPD që të mos mbante pozicion të qartë ndaj Sarrazinit, mbetet sekret i krerëve drejtues të partisë nën drejtimin e Gabrielit. E qartë është se qindramijëra gjermanë me sfond emigracioni që deri tani kanë votuar në shumicë socialdemokratët, do të fillojnë të kërkojnë për alternativa. Të tilla vërtet nuk mungojnë dhe ka kohë që edhe partitë e tjera e kanë kuptuar se emigrantët që kanë marrë nënshtetësinë gjermanejanë një grup elektoral tërheqës dhe aktualisht i madh.

Sarrazini e ka acaruar polarizimin mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të një shoqërie multikulturore mbi bazën e barazisë dhe të pranimit në Gjermani. Paragjykimet reciproke janë çimentuar dhe tani mund të flitet edhe më pak për shtensionim në problematikën e integrimit.

Atyre që u vjen për shtat ky zhvillim janë ekstremistët politikë dhe fetarë. Sfidat për paqen e brendshme dhe sigurinë në Gjermani kërkojnë që të gjithë njerëzit të bashkohen krah për krah - me ose pa sfond emigracioni. Një politikë e arsyeshme migrimi dhe integrimi në Gjermani i ngjan figurativisht shpimit të një druri të trrashë. Thilo Sarrazin - dhe pasuesit e tij në SPD - e kanë trashur edhe më tepër atë.

Autor: Baha Güngör

Redaktoi: Pandeli Pani