1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Jo dhe kaq të pafuqishëm!

Kurrë më parë një tufan nuk ka pasur fuqi të tillë shkatërruese si Taifuni Haiyan. Fenomene të tilla natyrore ne vërtet që nuk mund t'i ndalojmë në të ardhmen, por më mirë prej tyre mund të mbrohemi, mendon Judith Hartl.

Ne foto eshte fjala koment ne gjuhen shqipe

Taifunet për Filipinet nuk janë të jashtëzakonshme. Në të vërtetë. Çdo vit, të paktën 20 prej tyre kalojnë mbi këta ishuj. Njerëzit jetojnë me taifunet dhe janë mësuar me këtë fenomen natyror. Por Haiyani është ndryshe. Një furtunë e tillë e dhunshme nuk ka ekzistuar më parë, as në vende të tjera të botës. Me një shpejtësi prej 350 km në orë, furtuna mbërriti në vend dhe shkatërroi fshatra dhe qytete. Njerëzit atje nuk mund t'i kritikosh. Vërtet që shumë shtëpi janë ndërtuar keq, por një furtunë e tillë do të kish marrë me vete edhe shtëpi të ndërtuara enkas për t'u mbrojtur nga furtunat, ose të paktën do t'i kish dëmtuar rëndë. Edhe sistemi i paralajmërimit në Filipine funksionon shumë mirë; mbrojtja nga katastrofat konsiderohet model. Pa masat parandaluese që u morën punët do të kishin vajtur shumë më keq. Megjithatë, vende që preken rregullisht nga tufanet duhet të mendojnë nga e para për to dhe të vendosin, si duhet të përgatiten për të ardhmen. Kjo prek shtete aziatike si Filipinet, Indinë, Meksikën ose Karibikun. Sepse një gjë është e sigurt: furtunat e tufanet në të ardhmen edhe nëse nuk do të shtohen, do të bëhen më ekstreme ose të dhunshme.

Ndoshta kjo ka të bëjë me ndryshimin e klimës, thonë shkencëtarët, por nuk e thonë dot këtë me siguri. Ajo që dihet është se temperaturat e ujit janë në ngjitje. Dhe sa më i ngrohtë të jetë oqeani, aq më shkatërruese qarkullojnë masat e ajrit në krijimin e tufanit dhe aq më tepër sasi uji mbledhin me vete. Ne njerëzit jemi të pafuqishëm këtu. Por ne mund të mbrohemi më mirë dhe të zhvillojmë strategji të caktuara përshtatjeje: për shembull, përmes një sistemi të sofistikuar paralajmërimi dhe evakuimi. Ose përmes një mbrojtjeje më të mirë të bregdetit, me diga më të larta dhe mundësi më të mira kanalizimi të ujërave në rajonet më të thella bregdetare.

Vendet që preken më fort nga furtuna duhet të shtrojnë gjithashtu pyetjen, nëse duhet të jenë të banuara, apo të jenë të banuara pak rajonet ku furtuna godet më fort. Dhe së fundi, edhe një pyllëzim më i mirë i rajoneve, me lloje të ndryshme pemësh do t'u rezistonte më mirë furtunave dhe në këtë mënyrë do t'i mbronte më mirë njerëzit se monokulturat aktuale. Edhe për këtë duhet të flasin përfaqësuesit në konferencën e OKB-së për klimën, dhe më e mira është të veprojnë.