1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jo çdo vërejtje u mirëprit

Një bilanc i vizitës së presidenti gjerman Horst Këler në Kroaci dhe Maqedoni

default

Presidenti gjerman duke diskutuar me studentë të gjermanishtes

Nuk ka dallim më të madh mes Dubrovnikut me bukuri madhështore dhe Shkupit gri. Këto dy qytete ishin dy stacione të njëpasnjëshme në itinerarin e Këlerit nëpër këto dy republika ish-jugosllave, të cilat ndryshojnë nga njëra tjetra jo vetëm në aspektin arkitektonik.

Pas ftesës që sapo morën nga Nato-ja kroatëve u është shtuar edhe më shumë vetëbesimi, një tipar karakterizues i tyre. Edhe synimi më i rëndësishëm strategjik i politikës së jashtme kroate, anëtarësimi i plotë në BE, është diçka që do të realizohet në një periudhë të afërt.

Qeveria kroate shpreson që kjo gjë të ketë përfunduar deri në vitin 2010. Deri në këtë kohë, Kroacia do të duhet t'i ketë përmbushur bindshëm detyrat e shtëpisë: reformën e sistemit juridik, e administratës publike dhe luftimin e korrupsionit.

Kjo lloj qasjeje e qetë nuk shihet në Maqedoni: Zhgënjimi që vendit nuk iu bë ftesa e Nato-s ndjehej kudo. Edhe besimi në ndikimin që mund të kenë disa vende miq, të cilët kishin zgjuar shpresa të mëdha për zgjidhjen e çështjes së emrit, është avulluar dukshëm. Ndryshe nga fqinji më në veri, pranimi në BE, është shtyrë për një të ardhme më të largët.

Vizita e presidentit federal erdhi në momentin e duhur. Vërejtja e tij ndaj grekëve, për të treguar më shumë gatishmëri për kompromis ishte evidente. Po aq i qartë ishte edhe mirëkuptimi ndaj këmbënguljes së qeverisë së Shkupit për ta përfshirë në emër identitetin kombëtar.

Këler u la përshtypje të rinjve kudo që shkonte me sjelljen e tij modeste. Ai është i pranishëm, kurioz dhe i hapur. Sjellja e tij autentike dhe e gjallë duke folur për hyrjen e tij të tërthortë në politikë, aftësia e tij për t'i dëgjuar njerëzit dhe për të folur me ta është e besueshme dhe i krijonte respekt.

Por Këleri foli edhe për tema jo shumë të preferuara me të rinjtë: Ai u përpoq të nxiste ata që të kërkonin pajtim mes grupeve armiqësore etnike, në takimet me politikanë ai kërkoi prej tyre që të luftonin korrupsionin që është duke lulëzuar kudo, dhe që të realizonin reformat e nevojshme në drejtësi dhe në administratë. Kjo kërkesë nuk u mirëprit nga të gjithë. Ekspertët e ekonomisë gjermane që e shoqëruan presidentin në këtë udhëtim ishin të habitur nga bashkëbiseduesit e tyre, veçanërisht në Maqedoni, pasi ata ishin të gatshëm të lëshonin pe. Ashtu si edhe në Kroaci, sipërmarrësit, politikanët dhe ekonomistët gjermanë kishin shpjeguar pengesat kryesore për investitorët gjermanë në këto vende: ato janë korrupsioni, diskriminimi i kandidatëve të huaj nëpër tendera, sjellja neglizhente e organeve zyrtare ndaj kërkesave dhe projekteve.

Vizita e presidentit në këtë drejtim vetëm sa mund të hapë portat e mirëbesimit. Këleri këtë e bëri në mënyrë bindëse. Është në dorë të kroatëve dhe maqedonasve që të nxjerrin më të mirën prej kësaj.

  • Data 19.04.2008
  • Autor Verica Spasovska
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dkpm
  • Data 19.04.2008
  • Autor Verica Spasovska
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dkpm