1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Jezidët një vit pas sulmeve të Shtetit Islamik: "Na lanë në baltë"

Një vit pas dëbimit të jezidëve në Irakun verior nuk janë çliruar ende territoret e pushtuara nga Shteti Islamik. Sulmet ajrore amerikane nuk po japin ndonjë efekt. Ndërkohë rritet kritika ndaj kurdëve Peshmerga.

Jesiden auf der Flucht in Nordirak 11.08.2014

Eksodi i jezidëve në ditët e para të gushtit 2014

"Ne duam që njerëzit e mirë t'i dëgjojnë lutjet tona dhe ta çlirojnë sa më parë vendin tonë"; thotë kryepeshkopi katolik-sirian i Mosulit, Johann Boutros Mosche. Të enjten në mëngjes ai i bashkoi klerikët e tjerë katolikë në rrënojat e një manastiri të shekullit IV për të bërë një lutje të përbashkët për kthimin në vendlindje. Mar Matai është me shumë gjasa manastiri më i vjetër në botë. Aktualisht ai mund të vizitohet vetëm me leje të posaçme, sepse ndodhet në një territor ushtarak të bllokuar. Ata që kryepeshkopi i quan çlirimtarë janë stacionuar në afërsi të manastirit. Shtabi qendror i brigadës së 12 të kurdëve peshmerga ndodhet përballë në një varg kodrash, gati 100 kilometra në veriperëndim të metropolit kurd, Erbil.

Ka kaluar një vit nga sulmi i dytë që ndërmorën milicët terroristë të Shtetit Islamik (IS) në Irakun Verior. Më parë në fillim të qershorit ata kishin vendosur nën kontroll qytetin dymilionësh Mosul, kryeqytetin e provincës, Tikrit dhe pjesë të mëdha të provincave, Salahudin, Ninive dhe Dijala. Katër javë më vonë u shpall "Shteti Islamik". Por xhihadistët nuk e lanë me kaq. Më 3 gusht ata sulmuan qytetin e jezidëve, Sindxhar me rreth 100.000 banorë, katër ditë më vonë qytetin me të krishterë, Karakosh me rreth 60.000 banorë. Pak para Erbilit dhe Dohukut u ndal uria ekspansioniste e xhihadistëve. Amerikanët dërguan avionë luftarakë. Mori kështu udhë sërish angazhimi ushtarak i Uashingtonit në Irak.

Jesiden auf der Flucht in Nordirak 13.08.2014

Eksodi i jezidëve - të mbledhur për ujë

Bilanc i dobët

Qindra sulme ajrore janë kryer që atëherë në Irak dhe Siri nga aleanca ndërkombëtare që përfshin 20 vende dhe drejtohet nga SHBA. Por bilanci i sukseseve le për të dëshiruar. Sa vjen një lajm suksesi nga Uashingtoni, nuk kalon shumë kohë dhe IS sulmon sërish. Një javë pas rimarrjes së Tikrit, u mor kryeqyteti në provincën perëndimore Anbar. Në dhjetor Pentagoni bëri të ditur që Shteti Islamik mund të goditej në mënyrë vendimtare, pasi kurdët Peshmerga pak para krishtlindjeve filluan ofensivën në Irakun verior. Vërtet shumë territore deri në malësitë Sindxhar u rimorën, por vetë qyteti Sindxhar nga ku u larguan mijëra jezidë ndodhet akoma në duart e xhihadistëve. Edhe në Karakosh, Bashika, Bartela valëvitet flamuri i zi i IS. Ofensiva nr 2 e kurdëve peshmerga ende në pritje.

Jesiden auf der Flucht in Nordirak 10.08.2014

Eksodi i jezidëve në Irakun verior

Nga shtabi kryesor i brigadës 12 të kurdëve pershmerga para manastirit Mar Matai të shfaqet një panoramë e gjerë në luginën e Ninive, një vend biblik. Me dylbitë e gjeneralit të brigadës mund ta dallosh qartë flamurin e IS. Ai valëvitet në xhami, shtylla telefoni dhe kulla kishash në Bashika për të treguar se kush sundon këtu. "Kemi ngritur pirgje dheu, kemi hapur llogore dhe prapë pirgje dheu për të forcuar pozicionet tona", sqaron komandanti. "Ndërsa ata në anën tjetër kanë mina dhe eksploziv TNT." Më shumë se 1.500 kurde peshmerga kanë dhënë jetën. Kur kalojnë në territoret e pushtuara dikur nga IS, ushtarët gjejnë gjithmonë mina. Gjenerali shpreson që së shpejti të vijnë ekspertë për të demonstruar deaktivizimin e minave.

Një vit vuajtjesh për jezidët

Nareen Shammo është nga Bashika, e kur mendon për qytetin dhe fatin e saj i dalin lotë në sy. "Bashika ishte Iraku i vogël", rrëfen 28 vjeçarja. Aty kanë jetuar etni të ndryshme për qindra vjet. Nareen është jezide. Në përzierjen kulturore në Bashika, kjo nuk kishte rëndësi, miqtë e saj i përkisnin kulturave të ndryshme. Kur ngjitej si fëmijë në kodrat e qytetit shihte xhami, kisha, varreza jezode. "Isha e lumtur që jetonim kështu bashkë." Tani ajo jeton në Erbil, dhe nuk ka ndonjë shpresë të madhe për kthim në Bashika. Aty janë tani kurdët Peshmerga, të cilët Nareen i bën përgjegjës për vuajtjen e jezidëve. Pa tërheqjen e ushtarëve nuk do kishte kaq vuajtje për jezidët.

Nareen Shammo, Aktivistin der Organisation Wadi

Nareen Shammo

Edhe turkmenët dhe të kishterët flasin për dështim të kurdëve që u kishin premtuar mbrojtje. Pasi në qershor 2014 ushtarët e ushtrisë irakiane dezertuan dhe ua lanë në dorë gati pa asnjë rezistencë milicëve terroristë si territorin, ashtu edhe njerëzit, kapitulluan dy muaj më vonë edhe kurdët peshmerga. Arratia e 8.000 deri në 10.000 peshmergëve la pas një shije të hidhur. 700 lufëtarë kurdë kaluan në anën e IS. Fajësimet vijnë nga shumë anë. Miti i luftëtarit kurd të lirisë pësoi krisje të rënda. Turpi për peshmergët ishte i madh. Teoritë e konspiracionit lulëzojnë - sipas tyre amerikanët i kanë urdhëruar kurdët të tërhiqen, shërbimi sekret izraelit, Mosad është bërë bashkë me IS. Apo se ish-kryeministri Nuri al-Maliki donte të hakmerrej dhe urdhëroi sulmin e dytë kundër kurdëve. Por vetë ushtarët peshmerga në kodrinat mbi Bashika thonë se "ne nuk kemi qenë të përgatitur si duhet dhe nuk kishim municion ushtarak për t'i dalë ballë këtij kundërshtari".

Në një ceremoni përkujtimore në Dohuk për sulmin e xhihadistëve para një viti, presidenti kurd, Masud Barsani thotë se "do t'i ndjekim ata që kanë bërë krime ndaj jezidëve deri tek më i fundit." Por Nareen Shammo nuk beson më. "Ka ikur besimi pas këtyre mizorive të IS", thotë ajo për atmosferën që sundon tek etnia e saj ndaj kurdëve. "Ata na lanë në baltë dhe na dorëzuan kështu tek IS."