1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Jeta e Middelhoff në kurriz të kompanisë

New York, Saint Tropez, Bielefeld - udhëtime private, llogaria për shërbim: ish-shefi i Arcandor, Thomas Middelhoff duhej ta rimëkëmbte koncernin në gjendje të keqe. Por ai bënte një jetë luksoze me shpenzimet e firmës.

Në procesin për menaxherin e lartë Thomas Middelhoff prokuroria e Essenit ka kërkuar tre vjet dhe tre muaj burg për abuzim. 61-vjeçari e ka dëmtuar në 44 raste me gjithsej më shumë se 808.000 euro koncernin e falimentuar Arcandor. Middelhoff e ka rënduar koncernin Karstadt Qeulle, që më vonë u quajt Arcandor, me kosto të aktiviteteve të tij të shumta dytësore, thotë prokuroria. Dhe kjo në një kohë kur disa mijëra punonjës të punësuar në sipërmarrjen më të madhe evropiane të tregtisë me korrespondencë druanin për vendin e tyre të punës. Çfarë i ka lejuar vetes në ato kohë krize ish-menaxheri në kurriz të kompanisë?

Fluturime charter të një „Global Player“

Në procesin në vazhdim para gjykatës së landit të Essenit bëhet fjalë para së gjithash për 29 fluturime charter, të cilat thuhet se janë bërë me shpenzime të koncernit Arcandor, megjithëse sipas prokurorisë ato i shërbenin plotësisht ose pjesërisht qëllimeve private të Middelhoff-it. Menaxheri ka shkuar rregullisht në Nju Jork për shkak të mandatit të tij në këshillim mbikqyrës të New York Times Company, nga këshilli administrativ i të cilit ai u largua në shkurt 2014, por fatura për fluturimet është paguar nga Arcandor. Për të shpëtuar koncernin në vështirësi nga falimentimi, shitëset e supermarketit Karstadt kishin pranuar të hiqnin dorë nga 15 për qind e pagës së tyre. Me kostot e një fluturimi të vetëm në Nju Jork Middelhoff, sipas një llogarie shifrash, ka shpenzuar një shumë me të cilën mund të ishte shpëtuar puna e 25 shitëseve, tha prokurorja Daniela Friese.

Deutschland Wirtschaft Einzelhandel Arcandor Karstadt

Megjithëse fluturimet në Nju Jork, Berlin dhe Paris kanë kushtuar pjesërisht deri në 90.000 euro, vëzhguesi i procesit Jörg Marksteiner tha për radion Westdeutscher Rundfunk se gjykatësit do të besojnë shpjegimet e Middelhoff-it.

Middelhoff ka theksuar se ka kombinuar takimet e punës për Arcandor dhe aktivitete dytësore si takimet e këshillave mbikqyrës në firma të tjera.

Fluturime charter për të kursyer kohë

Një tjetër akuzë: në vend që të udhëtonte me makinë, Middelhof ka preferuar të shkojë me helikopter nga vendi ku banonte Bielefeld në qendrën e koncernit rreth 150 km larg në Essen dhe këtë e ka bërë 18 herë. „Bllokimi i trafikur ishte për të gjëja më e keqe“, tha shoferi prej shumë vitesh i menaxherit, si dëshmitar në gjykatën e Essenit. Ndërkaq si menaxher i Arcandor ai ka pasur vazhdimisht në dispozicion një shofer privat dhe një banesë shërbimi në Dyseldorf. Middelhoff ka porositur edhe një avion charter të zbrazët nga Kölni në Boston (SHBA), për të filluar më parë fundjavën.

Udhëtim fundjave në jug të Francës

Tre fundjava të bordit drejtues në shtëpinë e tij të pushimit në Saint-Tropez i kanë shërbyer sipas të dhënave të avokatit të Middelhoff, Udo Wackernagel, në radhë të parë „krijimit të ekipit dhe diskutimeve strategjike“. Prokuroria përkundrazi i ka vlerësuar takimet si krejtësisht me qëllime zbavitjeje, kostot e të cilave i janë faturuar Arcandorit. Gjykimi, nëse një shef i një firme mund të ftojë kolegë për t‘u njohur dhe të ofrojë një program shoqërues me shopping, darkë dhe udhëtim me jaht, sipas vëzhguesve të procesit do të ketë efekt sinjali edhe për kryetarë të tjerë bordesh.

"Takim shokësh klase" në luks

Veprimet e tij kanë qenë për të mirën e Arcandor? Këtë argument të mbrojtjes prokurorja Daniela Friese nuk e pranon në rastin e artikullit homazh për ish shefin e Bertelsmann-it Mark Wössner dhe qendrimin e lidhur me këtë të Middelhoff në resortin luksoz austriak të skive Kitzbühl. Shumë më tepër bëhej fjalë për një „takim të ish shokëve të klasës Bertelsmann“, mendon Friese. I padituri ka ndjekur interesa thjesht personale. Homazhi për ish shefin e Bertelsmann Wössner i kushtoi Arcandorit 180.000 euro. Por këto kosto nuk sillnin asnjë dobi për koncernin.

Middelhoff duhet të dalë në shumë procese gjyqësore për abuzim si i paditur, dëshmitar apo paditës. Nëse Middelhoff i ka shërbyer gjithnjë me besnikëri koncernit të falimentuar Arcandor, mbetet ende pa përgjigje. Një shije e hidhur megjithatë mbetet: Middelhoff duhet të ketë marrë një bonus prej 2,3 milionë euro për punën e mirë dhe vetëm gjashtë muaj më vonë Arcandor falimentoi. Megjithë problemet financiare Arcandor sponsorizoi universitete elite në Gjermani me shuma milionëshe. Ish shefi i Arcandor nuk pranon asnjë përgjegjësi për falimentimin spektakolar të koncernit.

Në procese të tjera të ndryshme atij iu desh të bënte një betim për deponim dhe të jepte të dhëna për të gjitha pasuritë e tij. Arcandor ndërkohë nuk është i vetmi koncern që ka prentendime ndaj Middelhoff. Në takimin me përmbaruesen e gjykatës në të cilin duhej të paraqiste situatën e tij pasurore, ai nuk u shfaq. Argumentimi i tij: sigurimi i tij do të paguajë për pretendimet e lindura nga koha e tij tek Arcandor.