1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jeremiqi "përpiqet të destabilizojë Bosnjë-Hercegovinën"

26 Gusht 2011

E pakënaqur me zhvillimet rreth Kosovës në planin ndërkombëtar Serbia përmes Republikës Srpska dëshiron të destabilizojë Bosnjë-Hercegovinën dhe rajonin, vlerësojnë ekspertët duke komentuar qëndrimin e Vuk Jeremiqit.

https://p.dw.com/p/12O18
Vuk Jeremiq
Vuk JeremiqFotografi: picture alliance/dpa

Kërkesa e ministrit të Jashtëm serb Vuk Jeremiq që Republika Srpska të sigurojë mbështetjen e Bosnjë e Hercegovinës që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të votojë për propozimin e Serbisë që të dënohet dhuna në Kosovë, interpretohet në mënyra të ndryshme në Bosnjë e Hercegovinë.

Në Republikën Srpska kërkesa e Vuk Jeremiqit në përgjithësi ka hasur në mirëkuptim dhe mbështetje ndërsa në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës vlerësojnë se shefi i diplomacisë serbe injoroi sërish institucionet e shtetit, në radhë të parë presidencës së Bosnjë-Hercegovinës e cila edhe është e ngarkuar me çështjet e politikës së jashtme.

Jeremiqi deklaroi në Banjallukë se porosia e kancelares gjermane Angela Merkel për heqjen e instituciomeve paralele në veri të Kosovës, "mund të ketë pasoja strategjike për Ballkanin". Ai nuk e saktësoi se për çfarë pasojash mendon por tha se Ballkanin Perëndimor po e presin "kohë të ndërlikuara". Analisti politik Pejo Gashpareviq vëren se fjalët e Jeremiqit përmbajnë edhe elemente të caktuara të kërcënimit.

Shantazhe dhe kërcënime për të destabilizuar Bosnjë-Hercegovinën

"Në këtë fjali të Jeremiqit është një jehonë e vizionit të dikurshëm të Serbisë si një xhandar në Ballkan. Megjithatë, rrethanat kanë ndryshuar, janë formuar shtete të reja, ish-Jugosllavia është shpërbërë dhe kanë ndryshuar edhe kombinimet gjeopolitike në këtë pjesë të botës. Në këtë mënyrë edhe vendet e tjera kanë çka të thonë, jo vetëm Serbia", vlerëson Gashpareviq.

Nënkryetari i Unionit Socialdemokrat, Miro Llazoviq thotë se: kjo nuk është hera e parë që Serbia përmes Republikës Srpska dhe Dodikut përzihet në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës.

Milorad Dodik
Milorad DodikFotografi: picture alliance/dpa

"Pakënaqësinë e tyre me politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës, zyrtarët serbë e shprehin me shantazhe dhe kërcënime për destabilizimin e rajonin përmes Republikës Srpska. Marrëveshja e Dejtonit, Republika Srpska dhe relacionet e saj me shtetin e Bosnjë-Hercegovinës janë problemet kryesore të rajonit", thotë Llazoviq.

Analisti politik, profesori nga Banjalluka Miodrag Zhivanoviq megjithatë nuk është i bindur se qëndrimi i fundit t Jeremiqit është përzierje në çështjet e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës. Ai kërkesën e shefit të dipomacisë serbe e arsyeton me "mosfunksionimin e kryesisë shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës në rrethanat e tanishme".

Si të negociohet me Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës?

"Kreu i shtetit tonë në fakt ka tre pikëpamje të ndryshme për çdo çështje edhe për çështjet më të vogla. Me një shef të tillë shteti nuk mund të mirret vesh as një burrë shteti tjetër bile as një njeri i zakonshëm", thotë Zhivanoviq.

Analistët janë unik në vlerësimin e tyre se marrëdhëniet në rajon mund të dëmtohen nga komentet e Jeremiqit për deklaratën e kryeministres kroate Jadranka Kosor, e cila gjatë vizitës në Prishtinë, tha se shteti kroat është miku më i mirë i Kosovës në rajon.  Jeremiqi tha se: "për atë që Kosor është mikja më e mirë, atij nuk i duhen armiqë."

"Komenti i Jeremiqit është në fakt një shenjë e pasigurisë diplomatike të Beogradit, pas  kërkesës së kancelares gjermane Angela Merkel për heqjen e institucioneve paralele në veri të Kosovës. Por kjo mund të shihet edhe përmes prizmit të marrëdhënieve politike në Serbinë e ndarë politikisht. Sidoqoftë ky është vit  i parazgjedhjeve", thotë Pejo Gashpareviq.

Në debatin e ardhshëm mbi Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Bosnjë e Hercegovina do të ketë qëndrimin e saj, dhe do të mbrojë interesat e veta, e jo interesat e Serbisë apo të Kosovës. Këtë e ka deklaruar edhe kryesuesi i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës Zhejko Komshiq i cili ka theksuar se "Bosnjë-Hercegovina nuk do të propozojë asgjë së bashku me Serbinë në Këshillin e Sigurimit."

Autor: Samir Huseinoviq / Esat Ahmeti
Redaktoi: Bahri Cani