1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jeremiç nuk u takua me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi në Brdo

Në takimin e MPJ të BE-së që përfundoi të shtunën në Slloveni mori pjesë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, u kthye në Beograd para se të fillonte seanca për Ballkanin.

default

Hashim Thaçi me ministrin e jashtëm të Kroacisë Gordan Jandrokovic

Jeremiç tha se Serbia vazhdon të jetë pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ajo do ta vazhdojë "luftën diplomatike" kundër pavarësisë së Kosovës. "Ne nuk do të bëjmë asnjë kompromis që cenon sovranitetin dhe tërësinë tonë territoriale. Por ne mbetemi të lidhur me vlerat e Evropës." - theksoi Jeremiç, ndërsa në hollin e ndërtesës po hynte kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi: Drejtoj një qeveri shumë-etnike

Hashim Thaçi falenderoi në fjalën e vet 18 vendet e BE-së që tashmë e kanë njohur Kosovën dhe theksoi aspiratën e vendit të tij për anëtarësim në NATO dhe BE: "Jam shumë krenar që jam në krye të një qeverie shumë-etnike. Po punojmë shumë për t'i integruar serbët në institucionet tona, jo vetëm në qeveri, por edhe në parlamente dhe përfaqësitë lokale", shtoi ai. Thaçi hodhi poshtë idenë e ndarjes së Kosovës: "Kosova është një vend i pavarur dhe integriteti territorial i Kosovës është i garantuar dhe i njohur nga bashkësia ndërkombëtare."

Megjithë divergjencat Serbia duhet të vazhdojë rrugën evropiane

Në tryezën e rrumbullakët të Ministrave të Jashtëm me përfaqësuesit e Ballkanit, ku për herë të parë merrte pjesë kryeministri i ri i Kosovës së pavarur, Jeremiçi mungonte. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank Walter Steinemeier, tha se megjithë divergjencat aktuale, Serbia duhet të mbetet në rrugën evropiane. Por ai shtoi: "Kjo nuk do të varet vetëm nga vendimet e evropianëve, për këtë nevojitet edhe vullneti i shumicës së popullsisë dhe qeverisë së Serbisë. Shpresojmë që ky vullnet të shprehet me anë të zgjedhjeve të ardhshme".

Për të mbështetur krahun demokratik të presidentit Tadiç dhe ministrit të jashtëm Jeremiç, komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olli Rehn, i pati sugjeruar që Serbisë t'i ofroheshin që para zgjedhjeve të 11 majit lehtësime për vizat. Sllovenia, që është kryetare e radhës së BE-së, është për një interpretim më të gjerë të kushtit të vendosur nga BE-ja për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ky është bashkëpunimi i plotë me Hagën.


Holanda dhe Belgjika paralajmëruan që para zgjedhjeve në Serbi të mos bëhen lëshime ndaj Beogradit, pa u dërguar në Hagë i kërkuari kryesor për krime lufte. Pikërisht kjo do të ndodhë së shpejti, tha ministri serb Vuk Jeremiç: "Jam i sigurtë që ky bashkëpunim në një të ardhme shumë të afërt do të sjellë edhe arrestimin dhe dërgimin në Hagë të gjithë të kërkuarve për krime lufte, në radhë të parë, gjeneralin Ratko Mladiç." Se ku e merr ministri serb këtë besim, kësaj pyetjeje të një gazetari të huaj, Jeremiçi nuk pranoi t'i përgjigjej.

Greqia kërcënon Maqedoninë

E pazgjidhur vazhdon të mbetet grindja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Ministrja greke e punëve të jashtme Dora Bakojanis, mbas një takimi me homologun e saj maqedonas, kërcënoi me veton e Greqisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, në rast se kjo e fundit nuk e ndryshon emrin. Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, nuk tregoi mirëkuptim për qëndrimin grek: „Kur morëm pjesë në trupën paqeruajtëse të Nato-s në Afganistan me emrin Maqedoni, pse të mos ftohemi me emrin Maqedoni edhe në tryezën e gjelbërt të Nato-s në Bukuresht? Nuk e kuptojmë, se si dikush mund të ketë problem me këtë", tha Miloshoski.

Takimi joformal i ministrave të jashtëm të BE-së zhvillohet dy herë në vit në vendet që kanë në dorë kryesinë e radhës dhe i shërben këmbimit të mendimit për çështje aktuale të sigurisë dhe politikës së jashtme. Krahas Ballkanit ministrat diskutuan edhe çështje të tjera, si atë të Tibetit dhe për Lindjen e Mesme.






  • Data 30.03.2008
  • Autor A. Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DX7h
  • Data 30.03.2008
  • Autor A. Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DX7h