1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jeremiç dhe Shtajnmajer pro nënshkrimit të MSA-së më 28 janar

Anila Shuka10 Janar 2008

Për Serbinë, Kosova dhe MSA kanë të njëjtën rëndësi, deklaroi ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç.

https://p.dw.com/p/Cnw4
Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter ShtajnmajerFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter Shtajmajer (Frank-Walter Steinmeier) e ka mbështetur propozimin slloven për ta nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Serbinë qysh më 28 janar. "Një hap i tillë do të ishte i dobishëm për të gjithë", tha Shtajnmajer mbas një takimi në Berlin (10.01.) me homologun e tij serb Vuk Jeremiç.

Por ai vuri në dukje se si parakusht do të mbetet bashkëpunimi i plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Shtajnmajer tha se ky parakusht do të verfikohet deri në takimin e ministrave të jashtëm më 28 Janar në Bruksel. Ai propozoi që para se të marrin vendim, ministrat të konsultohen me kryeprokurorin e ri për krime lufte në Ish-Jugosllavi Serzh Bramerc (Serge Brammertz), i cili që nga fillimi i vitit është pasardhësi i Karla del Pontes.

Holanda dhe Belgjika e gjykojnë të pamjaftueshëm bashkëpunimin e Serbisë me Hagën, përsa kohë që nuk është kapur Ratko Mladiç. Ndryshe mendon ministri serb i punëve të jashtme, Vuk Jeremiç: "Serbia po bashkëpunon plotësisht me Gjykatën e Hagës, prandaj edhe ne besojmë se i plotësojmë kushtet për nënshkrimin e MSA-së", tha ai.

Dallime pati mes dy ministrave përsa i përket çështjes së Kosovës. Dërgimi i misionit të BE-së në Kosovë do të jetë një pikë tjetër e rendit të ditës në takimin e ministrave të jashtëm më 28 janar, krahas nënshkrimit të MSA-së me Serbinë. "Beogradi e mirëpret misionin evropian në Kosovë, por ne mendojmë se për të duhet të ketë një kornizë ligjore të përcaktuar me një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit", tha Jeremiç.

Por, ndryshe nga kryeministri i vet, ai nuk e kushtëzoi çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes me atë të misionit: Ruajtja e integritetit territorial të Serbisë dhe e ardhmja evropiane e saj janë dy prioritete strategjike me rëndësi të barabartë për qeverinë serbe, tha ai.

Pjesa dërrmuese e parlamentit serb dhe kryeministri Koshtunica deri tani janë shprehur për të mos e nënshkruar marrëveshjen, në rast se BE-ja dërgon misionin në Kosovë pa mandat të Këshillit të Sigurimit. Se sa seriozisht i marrin këto kërcënime vendet antare të BE-së: "Ne njëherë duhet të bihem dakord për vete se a do t'ia ofrojmë Serbisë nënshkrimin e marrëveshjes. Se a do ta pranojë ajo këtë ofertë, ky është një vendim që mund të merret vetëm në Serbi," thotë ministri gjerman Frank Valter Shtajnmajer.