1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jens Stoltenberg në Prishtinë "duhet të bashkohen të gjithë në luftën kundër terrorizmit"

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës (23.01) në Kosovë, tha se NATO do të qëndrojë në Kosovë në mision të kushtëzuar deri në atë moment që e sheh se është arritur një stabilitet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, e cilësoi histori suksesi misionin e KFOR-it në Kosovë, duke thënë se para 16 vjetësh në Kosovë ka pasur luftë, ndrësa tash - sipas tij - Kosova është një vend i sigurt. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, vizitoi në Kosovë shtabin e përgjithshëm të Forcave Paqeruajtëse dhe takoi udhëheqësit më të lartë të vendit. Stoltenberg, tha se NATO do të qëndrojë në Kosovë në mision të kushtëzuar dhe do të qëndrojë deri në atë moment që e sheh se në këtë vend është arritur një stabilitet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së gjatë vizitës në Kosovë foli edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), duke saktësuar se janë autoritetet kosovare ato që do të vendosin sesi do të zhvillohet këto forca. "Ajo çfarë KFOR-i dhe NATO-ja kanë bërë është përkrahja për Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) për t'u zhvilluar dhe për t'i ndërtuar kapacitetet përgjatë mandatit të saj dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë. Nuk është vendim i NATO-s, por vendim i autoriteteve vendase se si duan ta zhvillojnë FSK-në më tutje", tha Jens Stoltenberg, pas takimit që pati me komandantin e KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, në Prishtinë, takoi edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrin, Isa Mustafa dhe ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se "institucionet e Kosovës dhe NATO-ja duhet të punojnë në partneritet të plotë drejt synimit strategjik që Kosova të zhvillojë forcat e saj në përputhje me standardet e NATO-s dhe vizionin që Kosova të anëtarësohet në aleancë, si vlerë e shtuar për sigurinë rajonale dhe globale, dhe nevojën që ky partneritet të shndërrohet në marrëdhënie kontraktuale mes Kosovës dhe NATO-s".

Kryeministri, Isa Mustafa, ndërkaq, tha se "institucionet e Kosovës do të bëjnë përpjekje që të arrijmë pajtueshmërinë e brendshme, të të gjithë qytetarëve, të gjitha subjekteve edhe të serbëve, që Forcat e Armatosura të Kosovës të bëhen me pëlqim të plotë, në interes të të gjithëve dhe të shtrihen në tërë territorin".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pas interesimit të mediave foli edhe terrorizmin, fenomen ky që sipas tij, nuk i përket asnjë feje apo kombi, por që duhet luftuar. "Terrorizmi nuk njeh kufi, nuk i përket asnjë kombi të caktuar apo feje dhe ne jemi duke e luftuar terrorizmin bashkë me kombet dhe bashkë me shumë institucione tjera ndërkombëtare. Sulmet që i pamë në Paris ishin shumë serioze, sepse ishte një sulm ndaj njerëzve të pafajshëm dhe për më tepër sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe shoqërisë sonë të hapur. Ne jemi aleatë të krijuar për t'i mbrojtur shoqëritë demokratike të hapura. Prandaj ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë dhe të vazhdojmë të punojmë me tjerët për të luftuar terrorizmin", tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

E pikërisht në ditën kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, po qëndron në Kosovë dhe ku foli edhe për terrorizimin, kuvenndi i Kosovës e miratoi në parim projektligjin për ndalimin e shtetasve të Kosovës që t'u bashkohen konflikteve të armatosura jashtë territorit të vendit.

Mediat në Kosovë shkruajnë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar përkrah organizatave tashmë të shapllura terroriste, IS dhe Al-Nusra. Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në konfliktet në Lindjen e Mesme".

Ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi tha se "projektligji është modern dhe përfshin elementet që duhen për luftimin e terrorizimit kësaj të keqeje globale", duke u rikujtuar deputetëve që edhe Kosova është përfshirë në luftën globale kundër terrorizmit.

"Dispozitat e këtij ligji do të zbatohen ndaj çdo personi i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës".

Projektligji parashikon dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

Dispozitat e këtij ligji ndërkaq, nuk zbatohen ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë shtetësi të ndonjë shteti tjetër dhe janë pjesë e ushtrisë ose formacionit ushtarak të tyre ose shërbejnë në formacionet ushtarake nën kontrollin e qeverive ndërkombëtarisht të pranuara apo organizatave ndërkombëtare.