1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Jemeni si bazë e re për El Kaidën?

Jemeni lufton me problemet e sigurisë: Luftimet në Veri, përpjekjet për secesion në jug të vendit. Kësaj i shtohet edhe forcimi i El Kaidës. Nuk duhet përjashtuar fakti, që Jemeni i shërben si bazë rrjetit terrorist .

Harte e Jemenit, me kryeqytetin Saana

Njoftime të fundjavës së kaluar (30./31.1.) se luftimet ndërmjet trupave qeveritare jemenitase dhe kryengritësve shiitë në zonën kufitare jemenite-saudite po përfundojnë, ishin siç duket të shpejtuara. Abdul-Malik al-Houthi, udhëheqësi i kryengritësve, sipas njoftimeve të para nga Sana'a ishte shprehur i gatshëm për një armëpushim, qarqet qeveritare kishin këmbëngulur shpesh, që al-Houthi të ndërpresë çdo aktivitet armiqësor ndaj sauditëve. Përderisa të mos jetë kështu, nuk ka armëpushim.

Që prej më shumë se gjashtë vjetësh forcat jemenite të sigurisë luftojnë kundër rebelëve Houthi në Veriperëndim të vendit, të cilët i përkashin sektit shiit Zaidi. Dhe shpesh ka patur përpjekje, për të vendosur armëpushim, por luftimet kanë vazhduar pa ndërprerë. Për shkak të kalimeve në territorin saudit prej një farë kohe është përfshirë këtu edhe fqinji i veriut dhe aviacioni saudit ka kryer herë pas here sulme kundër kryengritësve në Jemen. Dëshmi të qarta deri tani nuk ka, por spekullime të panumërta. Edhe Irani përzihet në këtë çështje në anën e al Houtis, i cili merr nga Teherani armë, municion dhe mbështetje propagandistike.

Luftimet në Jemenin verior janë vetëm njëri prej problemeve akute, që e ngarkojnë vendin. Një tjetër janë përpjekjet secesioniste të Jemenit të Jugut, i cili dikur ka qenë republikë popullore socialiste dhe në vitin 1991 u bashkua me Veriun. Në jug shtohet pakënaqësia për shkak se ata ndihen të lënë pas dore në krahasim me Veriun dhe shpesh ka incidente me grupimet, që duan të kthejnë mbrapsht ribashkimin.

Presidenti i Jemenit druhet nga një lidhje e ngushtë me SHBA

Problemi i tretë i sigurisë, i parë nga këndvështrimi ndërkombëtar ndoshta më akuti, është forcimi i El Kaidës në Jemen. Një pjesë e madhe e atentatorëve dhe e organizatorëve të 11 shtatorit vijnë nga Arabia Saudite dhe Jemeni dhe terroristët, që kthehen në atdhe, gjejnë këtu lidhje dhe mbështetje. Që prej vitesh shtohen shenjat që El Kaida do ta kthejë Jemenin në një bazë të re. Disa herë janë sulmuar caqe amerikane dhe të vendeve të tjera perëndimore dhe pika e fundit kulmore ishte sulmi i dështuar ndaj një avioni amerikan. Atentatori nigerian qe përgatitur në Jemen.

Qeveria qendrore jemenitase është shumë e dobët, për t'u prerë rrugën këtyre fenomeneve. Presidenti Ali Abdullah Saleh ka frikë nga një lidhje më e ngushtë me SHBA. Ai është në pushtet që prej 30 vjetësh, por e di, që nuk është në gjendje të dalë hapur si aleat i SHBA-së. Kështu Saleh refuzon në mënyrë demonstrative një angazhim direkt amerikan në vendin e tij, gjë që i vjen shumë përshtat Presidentit Barack Obama. Por që të dy e fshehin, që ushtria amerikane është prej kohësh aktive në Jemen. Amerikanët nuk kryejnë vetëm trajnimin e forcave të armatosura jemenitase, ato ndërhyjnë edhe me sulme direkte ajrore.

Një shkak për ashpërsimin e sulmeve amerikane është bashkimi i përkrahësve të Kaidës në Arabinë Saudite dhe Jemen në „El Kaidën e Gadishullit Arabik“. Ky fuzion mund të bëhej i rrezikshëm për Arabinë Saudite, e cila vepron në mënyrë masive kundër terroristëve në territorin e saj, por që nuk ka mundur të pengojë, që ata të gjejnë mbështetjen e pandërprerë të rretheve islamiste-konservatore.

Sulmet me raketa nuk janë mjete efektive kundër terroristëve

Jemeni si bazë e re e mundshme për El Kaidën do të ishte edhe një rrezik për shkak të kooperimit, që ekzston sot me Somalinë përmes Detit të Kuq. Radikalë nga të dyja anët e detit mund të bashkëpunonin më ngushtë për të penguar transportin detar ndërkombëtar – ndër të tjera edhe të cisternave të naftës – në këtë mënyrë ata mund të shtonin presionin ndaj vendeve të huaja, të cilat që tani janë të pafuqishme kundër piratëve somalezë. Për të mos folur për rreziqet, që mund të paraqiste një bashkëpunim i tillë për Afrikën Lindore. Ajo mund të rigjallëronte përpjekjet, për të tërhequr vende si Kenia dhe Tansania në "luftën e madhe" përmes popullsisë së tyre muslimane.

Ajo që ndodh në Jemen dhe në Afrikën Lindore, është nga ana tjetër në Pakistan prej kohësh realitet. Me shfuqizimin e dikurshëm të talibanëve në Afganistan, qendra e pushtetit të tyre është zhvendosur në Pakistan, prej nga erdhën dikur talibanët dhe prej nga po marshojnë sërish për në Afganistan. Përpjekjet amerikane, për ta kufizuar dhe për ta frenuar këtë deri tani kanë dështuar. Ndër të tjera sepse sulmet me raketa nuk janë mjetet efektive kundër terroristëve. As në Afganistan dhe as në Pakistan, as në Somali dhe as në Jemen.

Autor: Peter Philipp

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 03.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LqJM
  • Data 03.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LqJM