1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Jemeni - shesh i ri beteje i luftës antiterror

Përpjekja për atentat ndaj një avioni pasagjerësh para uljes së tij në Detroit e ka tërhequr vëmendjen te Jemeni si fole terroristësh. Ky është megjithatë një rol që struktura labile shtetërore ka kohë që e luan.

Anëtarë të Al-Kaidës pas kangjellave në një sallë gjyqi në Jemen, 29.12.09

Anëtarë të Al-Kaidës pas kangjellave në një sallë gjyqi në Jemen, 29.12.09

Jemeni po kthehet në qendër të simpatizantëve të Al-Kaidës

Gjatë stërvitjeve të njësisë anti-terror të Jemenit përdoret municion i vërtetë dhe jo mësimor. Skena të tilla bëhen për t'u treguar vizitorëve të huaj vendosmërinë e vendit për të luftuar terrorizmin. Ajo që nuk duket në pamjen e parë është se stërvitja bëhet nën drejtimin e ekspertëve amerikanë. Ata kanë vite që punojnë në Jemen, sepse ky vend po kthehet gjithnjë e më tepër në qendër të pasuesve dhe simpatizantëve të Al-Kaidës.

Në Jemen nuk ka një pushtet të vërtetë qendror dhe vendi ka kohë që kërcënon të shpërbëhet. Kjo jo vetëm për shkak të kryetarëve të fiseve që sundojnë në një rajon të caktuar dhe përpiqen të ruajnë pavarësinë e tyre ndaj qeverisë në Sana'a, por para së gjithash për shkak të përpjekjeve separatiste në jug të vendit dhe të një lufte në acarim e sipër me klanet shiite në veri të vendit. Zhvillimi i ndryshëm i zonave jugore, që deri në vitin 1990 deri sa u bashkuan me Jemenin e ribashkuar ishin pjesë e "Republikës Demokratike“, i bën banorët e saj më të djeshëm për rezistencë dnaj pushtetit qëndror. Kurse lufta me fiset e veriut është edhe më e vjetër.

Këto probleme të brendshme, të shoqëruara me varfërinë e madhe, nivelin e ulët të shkollimit, prapambetjen dhe rrënjët tradicionale-fetare të popullsisë e kanë çuar Jemenin në kufi të një "shteti të dështuar" („failed state“) si dikur Afganistani.


Pozitë gjeografike e përshtatshme për terrorin

Pikërisht kjo situatë përbën një truall ideal për grupet terroriste. Një element tjetër favorizues është pozita gjeografike e Jemenit: ai kufizohet me Arabinë Saudite, prej nga e ka origjinën bërthama e „Kaidës“. Po ashtu Jemeni nuk është larg Somalisë dhe zonave të tjera në Lindje të Afrikës dhe në ujërat e tij kalojnë rrugë detare me rëndësi strategjike të madhe.

Ish-ambasadorja e SHBA-së në Jemen, Barbara Bodine, mendon se është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të bëhet aktive në Jemean:

"Çështja tani nuk është për ta konsideruar Jemenin si shtet të dështuar apo në dështim e sipër. Ne duhet të shikojmë se si mund ta ndalojmë këtë vend që të mos marrë rrugën e gabuar në kthesën e dështimit“.

Për vite të tëra Uashingtoni dhe aleatët e tij nuk kishin bërë shumë në këtë drejtim, edhe pse zhvillimet e përshkruara më lart në Jemen kishin filluar që përpara 11 shtatorit. Në janar të vitit 2000 gjetën vdekjen prej sulmit me gomone të atentatorëve vetëvrasës 17 ushtarë amerikanë të anijes luftarake "USS Cole“ që gjendej në brigjet jugore të Jemenit. Që nga kjo kohë SHBA është në ndjekje të atyre që fshihen pas këtij atentati, por nuk janë kujdesur shumë që Jemeni të mos rrëshkasë, sepse kanë qenë të zënë me Afganistanin, Irakun dhe së fundi edhe me Pakistanin.

Rreth 25 të burgosur nga Jemeni, që gjendeshin në kampin e Guantanamos u kthyen pas lirimit në Jemen, rifilluan punën duke u bashkuar me pasuesit e "Kaidës" nga Arabia Saudite apo me "Al Kaidën e Gadishullit Arabik", që vepron në Jemen. Sinjalet nga Jemeni nuk kanë munguar: le të kujtojmë rrëmbimin e të huajve dhe lirimin e pengjeve vetëm pas pagimit të parave, apo edhe vrasjen e tyre. Të gjitha këto akte kishin motive politike apo fetare. Por sinjale të tilla kaluan pa u vënë re në botën e jashtme deri sa erdhi rasti i sulmit që ishte përgatitur për avionin në Detroit.

SHBA do të forcojnë bashkëpunimin me Jemenin

Pas këtij rasti presidenti amerikan Barack Obama deklaroi jo vetëm hetimin e punës së organeve të sigurisë në vend, por edhe forcimin e bashkëpunimit me Jemenin :

"Forcimi i partneritetit me qeverinë e Jemenit dhe shkollimi dhe pajisja e forcave të sigurisë ka për ne prioritet, që të këmbejmë informacionet e shërbimeve sekrete dhe të sulmojmë bashkë me ta terroristët e Al-Kaidës.“

Kryeministri britanik propozoi që në fund të janarit të thirret në Londër një takim ndërkombëtar për të shqyrtuar zhvillimet në Jemen. Pas deklaratës së Al-Kaidës që merr përgjegjësinë për atentatin dështuar ndaj avionit në Detroit, Jemeni mund të kthehet në një fushë të re beteje kundër terrorizmit.


Autor: Peter Philipp/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 04.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LJXI
  • Data 04.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LJXI