1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jehona në Serbi e vizitës së Merkelit

Serbia mendon se mesazhet e kancelares gjermane Merkel gjatë vizitës në Kosovë kanë të bëjnë kryesisht me Prishtinën dhe se për Beogradin nuk është thënë asgjë e re.

Angela Merkel (CDU)

Kancelarja Angela Merkel

Mesazhet e dërguara nga kancelarja Angela Merkel në Prishtinë nuk janë të reja, thotë Bratislav Grubaçiq, pronar i revistës VIP. Edhe në Bruksel dëgjohen zëra që thonë se autoritetet e Prishtinës duhet të bëjnë detyrat e veta, ndërsa Beogradi nuk duhet të jetë peng i politikës kokëfortë ndaj Kosovës, shton ai. "Të dy palët duhet të kryejnë detyrat e veta për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, por edhe çështjeve të tjera në Kosovë. Kjo nuk është asgjë e re. I ri është fakti që këto gjëra janë thënë hapur. Tani dihet shumë qartë se çfarë kërkohet nga Serbia", pohon Grubaçiq.

Jehonë e dobët e mesazheve

Mesazhet e dërguara nga Prishtina nuk do t'i kontribuojnë qetësimit të situatës, pohon Grubaçiq. Që tani dihet se pjesa që i takon Serbisë është shumë e vështirë për t'u realizuar. „Mendoj se sikur Prishtinës t'i dërgoheshin disa mesazhe më të ashpra, Beogradi do të kishte një alibi për lëshime të mëtejshme. Por aktualisht as kjo nuk do të ndikonte shumë në opinionin serb apo në vendimet e qeverisë serbe".

Angela Merkel dhe Hashim Thaçi

Angela Merkel dhe Hashim Thaçi

Koordinimi më i mirë me EULEX-in

Kosova do të duhej të kontribuonte për zgjidhjen e situatës në veri, që nënkupton edhe hapjen e kufijve me Serbinë. Ky ishte edhe mesazhi i kancelares Merkel, mendon Nenad Vasiq duke shtuar se nga Prishtina kërkohet një bashkëpunim më i mirë edhe me EULEX-in. "Kjo do të thotë se nga Prishtina pritet zgjidhje paqësore e të gjitha problemeve dhe se aktivitetet duhet të koordinohen me bashkësinë ndërkombëtare. Elementi më i rëndësishëm është zgjidhja e krizës në veri. Nga ana tjetër të gjitha aktivitetet duhet të shkojnë drejt implementimit të marrëveshjeve me Serbinë dhe Brukselin", tha ai.

Mundësia e shkarkimit të strukturave paralele

Hapi i parë dhe më i rëndësishëm për pushtetin serb është heqja e barrikadave dhe mundësia e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, pohon Grubaçiq. Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në takimet rajonale ndoshta edhe mund të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme. Por më e vështira për Serbinë do të jetë heqja e të ashtuquajturave struktura paralele serbe në Kosovë, nënvizon Grubaçiq: "Do të jetë shumë vështirë të gjesh ndonjë modalitet pasi pushteti në Serbi ka humbur kredibilitet ndër serbët e Kosovës, pa të cilët nuk mund të ketë zgjidhje. Masat më të ashpra ndaj tyre nuk do të priteshin mirë tek opinioni serb. Besoj se qeveria serbe nuk do të ndërmarrë masa më të ashpra."

Analistët në Beograd janë të mendimit se sipas të gjitha gjasave Serbia as në prill nuk do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian, konstaton Grubaçiq.

Autor: Ivica Petroviq/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi