1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jean Claude Juncker - Mr. Euro kandidon për Brukselin

Chrisoph Hasselbach / Vilma Filaj Ballvora22 Maj 2014

Ndër kandidatët për postin më të lartë në Bruksel askush nuk e njeh politikën europiane më mirë se luksemburgasi Jean-Claude Juncker nga Partia Popullore Europiane. Megjithatë kjo nuk është garanci për suksesin.

https://p.dw.com/p/1C40u
CDU Bundesparteitag in Berlin (Jean-Claude Juncker)
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për gati njëzet vjet me radhë Jean-Claude Junker ka qenë kryeministër i Luksemburgut dhe ka marrë pjesë në mbledhje të panumërta të Këshillit të BE-së. Tetë vjet ai ka qenë president i Eurogrupit, e madje pikërisht në kohën kur monedha e përbashkët e madje e gjithë BE-ja po përjetonte krizën më të fortë. Juncker-in që nga ajo kohë e quajnë shpesh si Mr. Euro. Ai vet thotë sot me modesti: "Euro dhe BE-ja kanë qenë në rrezik. Brenda të gjitha mundësive të mia unë kam bërë gjithçka për ta parandaluar katastrofën."

Kriza e drejtpërdrejtë ndonëse ka kaluar, ajo ka lënë pas pasojat. Papunësinë, veçanërisht tek të rinjtë, Juncker e sheh si barrën më të rëndë të kontinetit. Eshtë detyra më e rëndësishme në Europë, që të rinjve të papunë, të cilët rrezikojnë të kthehen në një brez të humbur, t'u jepet shpresë dhe perspektivë."

Atë që thotë ai edhe e kundërshton brenda të njëjtit kontekst

Politikës sociale kristiandemokrati i kushton rëndësi të veçantë. Ai u kundërvihet spekulantëve dhe pagave të ekzgjaruara të menaxherëve. Ai i merr në mbrojtje punëtorët e thjeshtë dhe të drejtat e tyre. Por a nuk janë këto qëndrime që u përkasin më shumë socialistëve? Kanë qenë megjithatë qeveritë konservatore dhe kristiansociale në Europë ato që kanë vënë në zbatim kursin e dhimbshëm të konsolidimit, e mes tyre bën pjesë edhe Jean-Claude Juncker. Nëse nuk do t'i ishte përgjigjur politikës së kursimeve, ai nuk do të ishte bërë kandidati kryesor i Partisë Popullore Europiane. Këtë do ta kishte penguar kancelarja Angela Merkel.

Pra cili është koncepti i Jean-Claude Juncker? Eshtë shumë e vështirë ta përkufizosh atë në aspektin politik, thotë Pia Oppel, redaktore në radion publike të Luksemburgut 100,7. "Ai ia del që të thotë një gjë si dhe krejt të kundërtën e saj madje edhe duke shtuar një pozicion të qendrës brenda së njëjtës përgjigje", thotë gazetarja për DW. Madje Juncker preferon t'i zbukurojë fjalitë e tij edhe me një humor të mprehtë duke përzgjedhur edhe gjuhën herë frëngjisht, e herë gjermanisht apo anglisht.

Brukseli duhet të ndërhyjë më pak

Kritikët e Juncker-it e konsiderojnë si dobësi të tij qëndrimin jo të prerë. Rivali i tij kryesor, presidenti i Parlamentit Martin Schulz që kandidon për socialistët pozicionohet qartë si kandidat i majtë. Por ai që do të bëhet presidenti i Komisionit Europian në një farë mënyrë duhet t'ua bëjë qefin të gjithëve në Europë. Duket se Juncker e ka përvetësuar këtë, e në radhë të parë qëkurse nisi kriza: "Ne duhet t'i shmangim muret e reja, vijat e reja të demarkacionit në Europë. Unë jam alergjik ndaj ndarjes në Veri dhe Jug, në të mëdhenj dhe të vegjël, në të fortë dhe të dobët. Unë dua të vendos ura, të bashkoj dhe të bëhem një makinë e konsensusit në Europë."

Edhe një gjë ka mësuar Juncker: Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës me rregullat e Brukselit atje ku s'është e nevojshme si p.sh. ndalimi i llambave tradicionale apo normimi i dardhave: "Shumë Europë në detaje e vret Europën në tërësi." Madje edhe europianët e bindur, të cilët ëndërrojnë për një supershtet europian e kanë gabim, thotë gazetarja luksemburgase Pia Oppelt: "Juncker është kundër një integrimi të plotë të BE-së deri në një pikë sa të zhduken shtetet kombëtare. Ndryshe nga komisarja jonë, komisarja luksemburgase e Drejtësisë Viviane Reding: Ajo shprehet për 'Shtetet e Bashkuara të Europës'. Ndërsa Jean-Claude Juncker preferon më mirë status quo-në."

Në debate kandidati duket i lodhur

S'ka asnjë dyshim, Juncker i plotëson shumë nga ato që duhet të ketë një president i Komisionit: Ai ka përvojë, është poliglot, ndjek një politikë të moderuar, të paktën ai mund të pranohet si kandidat kompromisi prej shumë qeverive. Por ai ka edhe dobësi të dukshme. Në debatet e deritanishme elektorale Juncker duket si i lodhur dhe pa entuziazëm. Në kontekstin europian ai njihet vetëm brenda qarqeve të BE-së. Veç kësaj ai - me të drejtë - konsiderohet si pjesë tërësisht e sistemit të Brukselit, një sistem ky, të cilit i janë kundërvënë aktualisht pothuajse të gjitha partitë ekstreme dhe antieuropiane kudo në Europë. Michel Barnier, komisar i BE-së për Tregun e Brendshëm dhe që përpara emërimit të Juncker-it ishte vet kandidati kryesor i partive konservatore, përpara zgjedhjeve ka paralajmëruar, se "kjo luftë kundër socialistëve dhe Martin Schulz nuk do të jetë e lehtë. Por ne kemi të bëjmë edhe me kundërshtarin populizëm djathtas e majtas." Edhe kjo luftë do të jetë mjaft e vështirë.

Jean-Claude Juncker dhe Martin Schulz në debatin televiziv më 9 prill 2014 në kuarierin qendror të BE-së në Bruksel
Fotografi: AFP/Getty Images

Përveç të gjitha këtyre Juncker ka edhe një problem tjetër të vogël: Edhe sikur familja e partisë së tij, Partia Popullore Europiane, të dalë pas zgjedhjeve grupi më i fortë parlamentar, jo patjetër ai do të bëhet president i Komisionit. Kjo për faktin, se kryetarët e shteteve dhe të qeverive duhet të marrin parasysh rezultatin e zgjedhjeve, kur të propozojnë presidentin e ardhshëm të Komisionit. Por ato mund të emërojnë edhe dikë tjetër. Juncker ka paralajmëruar, në rast se ndodh kështu demokracia europiane do të pësojë një krizë, sepse zgjedhësit do të ndihen të zhgënjyer. Me këtë ai ka menduar edhe për karrierën e vet.