1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Jazenjuk mbetet kryeministër i qeverisë ukrainase

Parlamenti ukrainas zgjodhi për një mandat të ri, Arseni Jazenjuk. Krijimi i koalicionit zgjati më shumë nga sa mendohej. Kritikët nuk e shohin të mënjanuar rrezikun e sëmundjes së vjetër të politikës ukrainase: zënkës.

Arseni Jazenjuk mori 341 vota nga 390 gjithsej të deputetëve, shumë më tepër se 226 votat që duheshin. Pas fitores së forcave proeuropiane të pesë partitë ranë dakord për koalicionin mes Bllokut të presidentit Poroshenko dhe Frontit Kombëtar të Jazenjukut. Por parlamenti i ri ukrainas përballet me shumë sfida ekzistenciale.

Fillim i ri, probleme të vjetra

Në vështrim të parë me parlamentin e dalë nga zgjedhjet e parakohshme në fillim të tetorit, fillon vërtet një etapë e re. Fitimtare kanë dalë parti të reja, disa ishin themeluar vetëm pak muaj më parë. Për herë të parë ka një shumicë të gjerë proevropiane. Partitë proruse këtë herë ose nuk janë aspak të përfaqësuara në parlament, si p.sh. komunistët, ose kanë dalë të dobësuara nga zgjedhjet. Kështu edhe "Partia e Rajoneve" e ish presidentit të larguar në Rusi, Viktor Janukoviç.

Winfried Schneider-Deters

Poroschenko dhe Jazenjuk 10.09.2014

Pritjet janë të mëdha, sfidat ekzistenciale. Parlamenti i ri para së gjithash "duhet të shkatërrojë sistemin e korruptuar administrativ dhe t'i japë fund luftës në lindje të Ukrainës", shprehet gazetari i televizionit nga Kievi Serhij Rudenko në bisedë me DW. Nëse kjo nuk ndodh, në Ukrainë kërcënojnë sërish zgjedhje të parakohshme në 2015.

Publicisti gjerman që jeton në Ukrainë Winfried Schneider-Deters plotëson se parlamenti i ri së bashku me qeverinë duhet të pengojë "katastrofën ekonomike që kërcënon". Prej muajsh ekonomia ukrainase tkurret, valuta kombëtare Hrywna humbet thuajse çdo ditë vlerë. Deficiti buxhetor në vitin 2014 mund të merrte përmasa dramatike. Sipas disa vlerësimeve mungojnë rreth 10 miliardë euro.

Negociata koalicioni disa javë të gjata

Në një sfond të tillë, presidenti ukrainas Petro Poroshenko premtoi krijimin e një koalicioni të ri qeveritar "brenda një deri dy ditësh" pas zgjedhjeve parlamentare. Kjo shpresë mbeti e papërmbushur. U negociua për gati katër javë, derisa pesë nga gjashtë partitë e përfaqësuara në parlament arritën të bien dakord për krijimin e një koalicioni. Atje janë të përfaqësuar "Blloku Poroshenko", "Fronti i Popullit" i kryeministrit Arseni Jazenjuk dhe "Partia e Atdheut" e ish kryeministres Julia Timoshenko, "Partia e Vetëndihmës" me rrënjë në perëndim të Ukrainës si dhe "Partia Radikale" e populistit të djathtë Oleh Ljaschko. Jashtë mbetet vetëm "Blloku opozitar" ku janë shumë përfaqësues të "Partisë së Rajoneve".

Vëzhguesit në Kiev shohin në luftën për pushtet mes Poroshenkos dhe Jazenjukut një shkak për shtyrjen e krijimit të koalicionit. Ukraina është një demokraci parlamentare. Kryeministri ka më shumë pushtet se kryetari i shtetit. Dëshira e qartë e Poroshenkos për të instaluar një kryeministër nga partia e tij, dështoi në rezultatin e zgjedhjeve. Partia e Jazenjukut mori me 22 për qind më shumë vota përmes listave partiake. Aleanca Poroshenko me 21 për qind doli e dyta. Kështu kryeministri i deritanishëm Arseni Jazenjuk duket se do të mbetet në post edhe në qeverinë e re.

Kërcënimi i zënkës për postet ministrore

Winfried Schneider-Deters

Winfried Schneider-Deters

Nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit është planifikuar për të enjten por mund të shtyhet. Më e vonëta në fillim të dhjetorit duhet të jetë krijuar edhe qeveria e re, kjo është dëshira e presidentit.

Por vëzhguesit janë skeptikë. Ukraina ka një traditë negociatash të gjata koalicioni dhe zënkash për shpërndarjen e posteve, të cilat nganjëherë zgjasin me muaj. "Konfliktet mes pushtetmbajtësve mund rrezikojë ekzistencën e shtetit", paralajmëroi së fundi Serhij Rachmanin, zv/kryeredaktor i së përjavshmes të njohur "Dserkalo Tyschnja" që botohet në Kiev. "Rreziku i madh është që të shpërthejë sërish ky konflikt mes Poroshenkos dhe Jazenjukut", tërheq vëmendjen edhe eksperti për Ukrainën Schneider-Deters. Kjo i kujton atij zënkën mes ish-presidentit Viktor Janukoviç dhe ish kryeministres Julia Timoshenko, kur të dy ishin në pushtet mes viteve 2005 dhe 20-0.

Shpresat tek brezi i Maidanit

Këtë herë megjithatë Schneider-Deters ka më shumë shpresë: "Mund të jetë e vërtetë që përmes formulimit shumë të hollësishëm të kësaj marrëveshjeje koalicioni ata të jenë të detyruar të bashkëpunojnë". Veç kësaj në parlament janë zgjedhur politikanë të rinj, të cilët kanë qenë të përfshirë në lëvizjes opozitare të Maidanit dhe një "vazhdim si më parë" nuk do të lejohet, shpreson eksperti. Por duket se ai është më optimist se sa vëzhgues të tjerë në Ukrainë.