1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Javë kritike për Greqinë"- a do të jepet kësti i ri i huasë?

Në qeverinë greke mbizotëron tension përballë pasigurisë nëse kontrollorët financiarë ndërkombëtarë të "troikës" do ta konsiderojnë vendin „të denjë për shpëtim". Populli është i zemëruar me masat buxhetore të qeverisë.

Kryeministri grek Papandreu

Kryeministri grek Jorgos Papandreu

Pak gjëra të reja. Me këto fjalë mund të përmblidhet mbledhja e veçantë pesëorëshe e qeverisë greke të dielën në mbrëmje (18.9.). Ministri i financave Evangelos Venizelos theksoi pas mbledhjes se i gjithë vendi duhet të përpiqet jashtë mase. Ai u bëri thirrje shtetasve, sindikatave, gazetarëve dhe politikanëve të të gjitha partive të demonstrojnë unitet për t'i bindur huadhënësit ndërkombëtarë. Por, pikërisht në unitet nuk është gjendja në Greqi, përkundrazi. Pjesë të mëdha të popullsisë luftojnë me thonj e me dhëmbë kundër taksës së re për pasuritë e patundshme të paralajmëruar një javë më parë, dhe grindjet në politikën e brendshme midis qeverisë dhe opozitës u shtuan edhe një herë në fundjavë. Shefi i opozitës Antonis Samaras:

„Qeveria është një peng i gabimeve të veta, ajo nuk është në gjendje t'i arrijë synimet e saj.”

Prandaj Samaras vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja në Greqi. Samaras argumenton prej muajsh, se taksat nuk duhet të ngrihen, po duhet të ulen për të stimuluar ekonominë. Përgjigjja për këtë nga ministri i financave Venizelos të dielën në mbrëmje (18.9.):

„Nëse zoti Samaras beson se mund t'i entuziazmojë partnerët tanë evropianë me argumentet e tij duke paraqitur një program, që qëndron në kundërthënie të fortë me të gjitha pikëpamjet për zgjidhjen e krizës, atëherë gabohet. Ai nuk e ka të qartë, se me çfarë ka të bëjë.“

Evangelos Venizelos, ministër i Financave të Greqisë

Evangelos Venizelos, ministër i Financave të Greqisë

Vonesë e qëllimshme e kontrollorëve?

Kontrollorët ndërkombëtarë të së ashtuquajturës troikë priteshin të ktheheshin të hënën (19.9.) në fakt në Athinë. Por, që në fundjavë kishte depërtuar ngadalë në publik lajmi, se troika po e shtynte sërish kthimin e vet në Athinë. Megjithatë, u tha se të hënën do të ketë një lidhje telefonike midis Venizelosit dhe krerëve të troikës.

Greqia gjendet nën trysni të jashtëzakonshme për të pasur sukses. Në mbarë Evropën politikanët kanë theksuar: Greqia e merr këstin e caktuar të gjashtë nga paketa e parë e shpëtimit, në qoftë se hapat e miratuar të reformës zbatohen me sukses dhe troika jep dritën e gjelbër. Bëhet fjalë për rreth tetë miliardë euro dhe Greqia ka nevojë për këto para, pëndryshe në fund të tetorit puna ka marrë të tatëpjetën dhe vendi ka falimentuar. Një athinas i papunë ka këtë mendim në lidhje me gjendjen.

„Ne nuk i njohim huatë e politikanëve, nuk i kemi vjedhur ne paratë. Huatë i kanë shkaktuar politikanët. Dhe ata të paguajnë për to, jo ne! Shtetasit e thjeshtë s'kanë faj.“

Gruaja e tij, një mësuese, e formulon më radikalisht:

„Unë pres një revolucion të popullit grek kundër masave të kursimit, që do të vijnë ende. Për mendimin tim për këtë që ndodh këtu nuk e kanë aq fajin politikanët, po ata që qëndrojnë pas politikanëve, kapitali i madh dhe sipërmarrësit, që kanë paratë dhe pushtetin e vërtetë.“

Kontakt i ndërprerë i qeverisë me popullin

Megjithëse këta dy zëra nuk janë përfaqësues, ata pasqyrojnë një tendencë të caktuar: S'ka rëndësi se ç'thotë e ç'bën qeveria greke, ajo nuk e arrin më popullin e vet. Kryeministri Giorgios Papandreou, i cili këtë javë kishte planifikuar në fakt një udhëtim në Uashington dhe tek OKB-ja në Nju-Jork, e ndërpreu udhëtimin e tij në Londër dhe u kthye në Athinë. Papandreou llogarit me një (shprehimisht) „javë kritike“, bëri të ditur zyra e tij. Më saktë vëzhguesit llogarisin disa javë kritike për Greqinë. Sepse pyetja nëse vendi i zhytur në hua do ta marrë këstin e ri të ndihmës nga paketa e shpëtimit, do të vendoset përfundimisht në mes të tetorit.

Autor: Steffen Wurzel/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi