1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Japoni: Abe fiton me shumicë në të dyja Dhomat

Në Japoni zgjedhjet e fundit kanë sjellë risi në drejtim të vendim-marrjeve politike. Kryeministri Abe ka fituat me shumicë në të dyja Dhomat. Ai premtoi një rimëkëmbje të ekonomisë japoneze.

default

Shinzo Abe -Kryeministri i Japonisë

Kryeministri japonez i koalicionit qeverisës i përbërë nga partia e tij liberal-demokratike dhe partia Komeito ka fituar shumicën në Dhomën e Lartë. Me këtë, partia e tij liberalo-demokratike është tani partia më e fuqishme në politikën e vendit të pasluftës prej disa dekadash. Gjithashtu me këtë fitore mori fund edhe ngërçi prej vitesh në Parlament, pasi koalicioni tani ka fituar shumicën në të dyja Dhomat. Abe premtoi në një deklaratë të parë pas fitores se do të ndërmarrë një sërë vendimesh për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Kjo sipas tij do të vijë pas miratimit të një sërë reformash ekonomike duke i dhënë fund stanjacionit afatgjatë. Në aspektin e politikës së jashtme, Abe qëndron për një Japoni të fortë në anën e SHBA-së. Synimi i tij është që të bëjë ndryshime në Kushtetutën e pasluftës së 1946. Por për këtë është e nevojshme një shumicë prej dy të tretash në Dhomën e Lartë.

Partia e tij liberal-demokratike dhe partneri i vogël Komeito kanë marrë sipas rezultateve paraprake 76 nga 121 vende gjithsej dhe me këtë, sipas medies vendore NHK, koalicioni i Abe-së ka tani në dispozicion mbi 135 vende nga 242 gjithësej në Dhomën e Lartë. Ky rezultat për herë të parë pas gjashtë vjetësh bën të mundur që të zgjidhen edhe bllokadat politike në Japoni. Abe dëshiron gjithashtu të vërë në punë përsëri centralet bërthamore, të cilat qenë mbyllur pas aksidentit në Fukushima. Rezultati i këtyre zgjedhjeve shihet edhe si një votëbesim për kryeministrin Abe. Por pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë më e ulët se sa në po të njëjtat zgjedhje të vitit 2010. Ndërkohë tregu i aksioneve këtë të hënë pas fitores së pritur të koalicionit të kryeministrit Abe ka treguar një rritje të vogël.