1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Janullatos kundërshton kritikat për "greqizimin" e Kishës Ortodokse të Shqipërisë

18 Maj 2007

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, flet për DW mbi zërat kritikë në Shqipëri, se Kisha Ortodokse e Shqipërisë po "greqizohet".

https://p.dw.com/p/AsBg
Auron Dodi në bisedë në Athinë me kryepeshkopin e Tiranës dhe të Shqipërisë, Anastas Janullatos
Auron Dodi në bisedë në Athinë me kryepeshkopin e Tiranës dhe të Shqipërisë, Anastas JanullatosFotografi: DW

A.Dodi: Gjatë gjithë periudhës kur Ju keni qenë duke kryer një punë rindërtimi në Shqipëri, disa kritikë kanë shtruar pyetjen se pse në krye të kishës shqiptare autoqefale të jetë një grek. Kjo lidhet me një drojë, se Kisha Ortodokse Shqiptare mund të humbasë karakterin e saj autoqefal. Kritikët kanë përmendur kohët e fundit fakte të tilla si metropolitani i rretheve jugore të Shqipërisë është sërish një grek. Tani grekët po përpiqen të vënë njerëzit e tyre në krye të kishës dhe po e greqizojnë plotësisht kishën shqiptare. Cila është përgjigjia Juaj?

A.Janullatos: Kur unë erdha në Shqipëri, erdha në këtë vend si ambasador i Patriarkanës Ikumenike për të parë se çfarë ka mbetur...Pastaj ishin shqiptarët ortodoksë ata që më kërkuan të qëndroj në Shqipëri. Unë nuk qëndrova vetë. Kur erdhi koha që unë të kthehesha në Greqi, sepse tashmë unë isha profesor i rregullt i universitetit të Athinës dhe isha edhe metropolitan, kisha një punë të tërë për të bërë dhe të kandidoja për Akademinë e Athinës, atëherë shqiptarët më thanë: „do të ikni tani, kur Ju i dini hallet dhe vështirësitë tona?“ Kështu që unë u ndodha para një dileme, nuk ishte diçka që e zgjodha vetë. Dhe përgjigja ime ishte: e para, nëse Ju vërtet e doni këtë- dhe unë pyeta vetëm ortodoksët, nuk pyeta të themi myslimanët dhe ateistët- nëse juve ju pëlqen kjo, dhe nëse Patriarkana Ikumenike e pranon vërtet këtë, dhe nëse qeveria e pranon këtë, atëherë këto janë tre predispozita që do të më drejtojnë mua për vendimin tim. Dhe pastaj, një përfaqësi zyrtare e Kishës së Shqipërisë shkuan te Patriarkana dhe i kërkuan që i dërguari i Patriarkanës të qëndrojë te ne dhe të na organizojë ne. Ky ishte fillimi.

Nuk ishte një situatë ku njeriu shkon të marrë pushtet. Dhe kur ti nis këtë crash- dhe nuk gjen asgjë - nuk është një pozitë pushteti, është një pozitë shërbimi dhe sakrifice - kjo ë shtë një gjë që ata nuk e kuptojnë. Ti nuk vjen këtu në Athinë (-intervista me hirësinë e tij Anastasios Janullatos u zhvillua në shtëpinë e tij në Athinë A.D.) ku ke të gjitha mundësitë, financiare e kështu me radhë e të jesh i pushtetshëm, i fuqishëm, ti vjen në Shqipëri për të ndërtuar nga asgjëja. Asgjëja ose ajo që unë përshkrova më parë. Dhe kjo është arsyeja, se pse ortodoksët e Shqipërisë - kur po diskutohej kushtetuta në vitin 1994, e cila përmbante një paragraf jofavorizues për kryepeshkopin ortodoks, ishin shqiptarët që mblodhën mijëra, nuk më kujtohet numri i saktë, por që mblodhën shumë "jo", - që kërkuan që ne nuk duhet të votojmë për këtë kushtetutë.

Kriza shumë herë nuk vjen nga komuniteti ortodoks. Kur ju flisni për autoqefalinë, meqenëse kjo është një fjalë greke, le të shohim se çfarë do të thotë ajo- fjala është "autosefalos", e drejtuar edhe ndaj atyre që nuk janë ortodoksë. Ne nuk mund të pranojmë, që deputetë që janë myslimanë ose ateistë t'i tregojnë rrugën dhe t'i japin këshilla Kishës Ortodokse. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, ka shumë njerëz, shumë patriotikë, shumë të rëndësishëm dhe shumë seriozë. Ata kanë mundësi të vendosin.

Gjithë kjo kritikë që thatë ju vjen nga disa zëra, tipike për zërat radikalë, që shikojnë rreziqe dhe shikojnë armiq. Cila është ekzaktësisht kritika? Kam lexuar disa artikuj jo shumë kohë më parë, në ta thuhej, nuk dëshiroj të përmend emra, në artikull thuhej se ka kaq shumë priftërinj grekë. Sa priftërinj grekë ka tani në Shqipëri? Tre. Janë këta shumë? Tre. Pyet sa ka në Kishën Romane Katolike, sa murgj dhe sa murgesha ka atje. Në Kishën Ortodokse - jo jashtë. Sa shumë mijëra janë nga komuniteti mysliman? Ka një tendencë për të thënë gënjeshtra, gënjeshtra të kulluara. Po pyes sërish, sa priftërinj janë? Dhe kur flasim për kishën, kisha nuk është vetëm kryepeshkopi: kisha janë peshkopët, priftërinjtë- 136 priftërinj shqiptarë, që erdhën prej asgjësë. Kryepeshkopi i edukoi ata, u përpoq t'i mbështesta ata për familjet e tyre gjatë kohë së shkollimit dhe tani ai është një ndihmues, për t'u ofruar atyre një jetë me dinjitet. Atëherë ku është saktësisht problemi? ...dhe për këtë çështje natyrisht- e gjithë kisha ortodokse, ne jemi një e vetme. Kështu që unë nuk i kuptoj frikërat.

Le të jemi pak më të saktë dhe provokativë. Natyrisht ka njerëz që shohin sërish në mënyrën e vjetër, me dyshim që kryepeshkopi është një i huaj. Unë asnjëherë nuk i kam bërë bisht të them- është e qartë, që unë nuk kam lindur në Shqipëri. Nganjëherë, me humor unë them se nuk është faji im se ku kam lindur, ishte ndoshta "faji" i prindërve të mi, edhe nëse prindërit e mi, siç mund ta dini, vijnë nga Preveza. Megjithatë, ku qëndron ekzaktësisht problemi? Unë nuk jam në Shqipëri për të krijuar një koloni. Të gjithë njerëzit që kanë qenë këtu e dinë se në kohë kritike unë e kam ngritur i vetëm zërin tim kundër shumë prej këtyre gabimeve që ata dëgjonin këtu. Njerëzit që i dinë punët nga brenda, e kuptojnë shumë qartë, se nuk ka kontribut më të rëndësishëm se i Kishës Ortodokse dhe i këtij kryepeshkopi. Unë jam i vetëm. Vizioni im është saktësisht të shoh brezin e ri të marrë udhëheqjen- kjo është perspektiva. Më thuaj, sa njerëz nga Shqipëria janë graduar si peshkopë në Kishën Romano-Katolike apo tek protestantët- a mund t'i gjesh. Mua nuk më pëlqen të flas për këtë, unë kam një dëshirë dhe respekt të thellë për vëllezërit dhe motrat e mia atje, por e përmend këtë për të vendosur vetëm kontaktin - nuk kemi diçka specifike te Kisha Ortodokse...

Ka njerëz që nuk mund t'i kuptojnë motivet se pse ndodhet këtu kryepeshkopi. E vetmja mundësi që disa po përpiqen të thonë tani është: në mënyrë që të kuptosh kryepeshkopin Anastas ju duhet të studioni qëndrimin e Nënë Terezës. Nënë Tereza e la Ballkanin dhe shkoi në Indi, për cilatdo arsye qoftë. Ajo ishte një person i besimit dhe i dashurisë. Kryepeshkopi la vendin e tij dhe mundësitë e bukura që kishte në Greqi dhe në të gjithë botën dhe erdhi në Shqipëri, për të ndarë me ne vështirësitë, dhimbjen, problemet. Natyrisht, për njerëz që nuk besojnë te Zoti dhe nuk besojnë te dashuria, është e pamundur të kuptojnë, ata përpiqen të bëjnë analizën e të gjithë kësaj me ideologji të analizës marksiste.

A Dodi: Ndoshta një shpjegim për kritikat mund ta gjejmë në histori, me projektimin e një të kaluare historike në situatën e tashme...

A.Janullatos: Ka gjithashtu një shpjegim tjetër: që ata nuk janë shumë të lumtur me zhvillimin e Kishës Ortodokse dhe lidershipin që ajo ka tani në jetën sociale. Shumë nga ata që menduan se Kishës Ortodokse ka vdekur dhe le të ecim në këtë drejtim. Por Kishës Ortodokse është e gjallë dhe ky është një kontribut i madh për Shqipërinë. Sepse tani në Shqipëri ju nuk keni të bëni me një komb tipik mysliman: ne jemi një shoqëri multifetare dhe kjo madje e ndihmon Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. I gjithë ky zhvillim ka qenë një zhvillim shumë i rëndësishëm.

Në fillim të viteve '90 shumë njerëz kuptohet që menduan, që për të pasur një identitet, le të kemi një identitet të ndryshëm nga ai i fqinjëve tanë. Por ishte naive: Shqipëria nuk është në Arabinë Saudite apo në Afrikë, është në Ballkan. Dhe kisha ortodokse është një urë me fqinjët, nuk është kërcënim dhe është bekim. Kur ne shkojmë përshembull në Rumani, dhe ata shohin për herë të parë që gjuha shqipe flitet në Rumani dhe në Rusi nga peshkopi grek, i cili flet shqip kur shkon atje të kremtojë me patriarkun dhe me njerëzit e tjerë. Cdo njeri i di, dhe ortodoksët i dinë shumë mirë këto detaje.

A.Dodi: Sa e fortë nga pikëpamja islamike është Shqipëria në të vërtetë?

A.Janullatos: Ne nuk kemi statistika. Ju e dini që statistikat e fundit zyrtare janë të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë periudhë në burimet italiane jepen këto shifra: 68% myslimanë sunitë e bektashinj, 22% ortodoksë dhe 10-11% romanë-katolikë. Por këto shifra janë shumë relative. Eshtë interesante që në kujtimet e Stalinit ka një diskutim midis Stalinit dhe Hoxhës: Stalini e pyeti Hoxhën se sa ortodoksë jetojnë në vendin tuaj dhe përgjigja e tij ishte "rreth 30%". Ata nuk kanë qenë kaq të saktë me shifra- dhe sot ka njerëz që nuk janë kaq të saktë me shifra. Por është e qartë, që pas periudhës së komunizmit jo çdo njeri u bë një person fetar, që ka shumë njerëz tani që thonë "falemnderit, ne nuk u përkasim komuniteteve fetare“...

A.Dodi: E kam fjalën në qëndrimin e tyre, jo vetëm në shifra, sa myslimanë të fortë janë shqiptarët në vështrimin tuaj?

A.Janullatos: Besoj se për këtë duhet pyetur komuniteti mysliman. Por ajo që dua të them është se gjatë gjithë këtyre viteve, ju folët për kontributin tim, që nga fillimi, në një kohë shumë kritike unë insistova për vëllazërinë midis udhëheqësve të ndryshëm fetarë. Gjatë periudhës që kemi patur gjithë këto shqetësime në Bosnjë- Hercegovinë, në Shqipëria përjetonte kushte ekselente, marrëdhënie ekselente. Që prej fillimit ne nisëm të kemi jo vetëm tolerancë - tolerancë tingëllon disi arrogante, çdomethënë tolerancë, të tolerosh të tjerët - pse duhet të flas unë për tolerancë, ne folëm për bashkëpunim, për vëllazërim dhe ky është me të vërtetë një kontribut i madh për shoqërinë shqiptare dhe natyrisht shumë njerëz thonë se ky është i vetmi vend në Ballkan që kemi këto marrëdhënie.

A.Dodi: Cilat janë hapat në vitet e ardhshëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, përsa i përket hierarkisë dhe përsa u përket zhvillimeve të ardhshme?

A.Janullatos: Siç ju thashë, ka vetëm pak kohë që votuam për një kushtetutë të re dhe ne duhet ta implementojmë këtë kushtetutë, gjë që do të thotë më shumë pjesëmarrje të njerëzve. Dhe midis të tjerash ju e dini se këta njerëz janë shtetas shqiptarë. Natyrisht në Veri ne kemi komunitetin malazez, në Jug kemi komunitetin grek, në Lindje ne kemi gjithashtu një komunitet tjetër sllav- për ta kuptuar Kishës Ortodokse - ne jemi një mozaik, me njerëz të ndryshëm. Sllogani im ishte prej fillimit: një pyll nuk është më i bukur kur ke vetëm një tip pemësh, çështja është që pylli të jetë i shëndetshëm dhe kjo është ekzaktësisht ajo që po përpiqemi të bëjmë. Të gjitha këto që ju tregova, janë programe me perspektivë: për shembull instituti për trajnimin profesional është një projekt shumë i rëndësishëm që duhet të zhvillojmë, të gjithë elementët e tjerë për shëndetin, duhet t'i zhvillojmë më tej. Ka shumë komunitete në fshatra, ne nuk punojmë vetëm në Tiranë, ne punojmë në të gjithë Shqipërinë, në fshatrat e varfër që nuk i viziton askush, as deputetët nuk shkojnë. Unë jam personi që ka vizituar ndoshta më shumë fshatra në Shqipëri dhe ne kemi projekte të ndryshme për zhvillimin e jetës atje. Nëse ne bëjmë rrugë, bëjmë ura dhe bëjmë përpjekje për elektricitetin, pse? Në mënyrë që të shprehim këtë respekt për dinjitetin e këtyre njerëzve dhe ne e shprehim dashurinë tonë jo me shprehje e veprime të përgjithshme, por me plane konkrete.

Intervistoi: Auron Dodi