1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jakup Krasniqi rizgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Në Kosovë u bë konstituimi i parlamentit të ri. Kryetar i kuvendit u rizgjodh Jakup Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës. Akoma nuk dihet se kur kuvendi do ta zgjedhë qeverinë dhe presidentin e Kosovës.

Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës

Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash zgjodhi kryetarin e parlamentit. Jakup Krasniqi nga PDK do ta udhëheqë Kuvendin edhe për një mandat. Zoti Krasniqi mori 90 vota pro, ndërsa 17 votuan kundër, 13 të tjerë abstenuan.

“Ju siguroj juve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës që gjithçka në Kuvendin e Kosovës do të jetë mbi bazën e Kushtetutës dhe rregullorës së punës së Kuvendit”, deklaroi Jakup Krasniqi.

Kundër zotit Krasniqi, për kryetar Kuvendi votuan të gjithë deputetët e lëvizjes Vetëvendosja. Ata para se të votohej për kryetar të Kuvendit dhe kryesinë bënë betimin, por para vetës secili deputet kishte nga një flamur kombëtar shqiptar. Njëri nga anëtarët e lëvizjes Vetëvendosja, Visar Ymeri, pas seancës konstitutive paraqiti qëndrimin e Vetëvendosjes se pse votuan kundër Jakup Krasniqit për kryetar kuvendi.

“Jakup Krasniqi e ka pranuar planin e Marti Ahtisarit dhe si kryetar i Kuvendit të kaluar të Kosovës i ka kontrabanduar simbolet e Kosovës, që e mohojnë tërësisht historinë dhe përkatësinë kombëtare të shumicës në Kosovë”, tha Visar Ymeri.

Limaj nuk do të jetë pjesë e qeverisë Thaçi

Sidoqoftë, tash për tash akoma nuk dihet se kur do të zgjidhet edhe qeveria dhe presidenti i vendit. Për seancën e radhës tash vendos kryesia e re. I vetmi kandidat deri tani i nominuar për president të Kosovës është kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, ndërsa, për kryeministër Hashim Thaçi, që të dy si pjesë e marrëveshjes së koalicionit ndërmjet tyre dhe pakicave kombëtare. Tri partitë shqiptare, që do të mbesin në opizitë, LDK-ja, AAK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosja u deklaruan se ato nuk do të votojnë për koalicionin qeveritar me kryeministër Hashim Thaçin dhe as kandidatin për president, Behxhet Pacollin. Para se të fillojë seanca konstitutive e parlamentit, njëri nga ish-ministrat e PDK-së, Fatmir Limaj, i cili po hetohet nga misioni EULEX për korrupsion deklaroi se megjithëse ai është njeriu i dytë më i votuar në partinë e tij nuk do të jetë pjesë e qeverisë Thaçi.

“Apeloj te të gjithë ata, që janë nën hetime dhe që dinë që janë nën hetime, të mos e ngarkojnë të ardhmen e këtij vendi, por le të lejojnë organet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre. Shembulli im të përdoret nga të gjithë”, thotë Fatmir Limaj.

Gjatë kohës kur mbahej seanca konstituive e Parlamentit të Kosovës, disa organzata joqeveritare protestuan para Kuvendit duke kërkuar nga deputetët që të zgjedhin një qeveri me siç thanë ata, “duar të pastra”, dhe në krye të shtetit të zgjedhin figura kredibile. Ata thonë se Kosova nuk duhet të jetë më në faqet e para të mediave ndërkombëtare për korrupsion dhe krim të organizuar, sepse kjo po e dëmton rëndë imazhin e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 21.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10LRF
  • Data 21.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10LRF