1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jahjaga: Vetëm në kuadër të pakos së Ahtisaarit

Intervistë ekskluzive me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga në përfundim të vizitës së saj treditore në Mynih, ku ajo ishte e pranishme në Konferencën e 48-të të Sigurisë.

Atifete Jahjaga në Gjermani me ministrin e brendshëm bavarez, Joachim Herrmann

Atifete Jahjaga në Gjermani me ministrin e brendshëm bavarez, Joachim Herrmann

DW: Zonja Jahjaga, ju ishit për herë të parë në Gjermani dhe patët një sërë takimesh me përfaqësues të rëndësishëm të politikës në vend. Me cilat përshtypje po largoheni?

Jahjaga: "Prezencën e Republikës së Kosovës në këtë konferencë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme. Kjo tregon që Kosova është pjesë e arkitekturës së sigurisë globale. Pata një varg takimesh të rëndësishme, por dua të veçoj në radhë të parë takimin me ministrin gjerman të punëve të jashtme, Guido Westerwelle-n. Ai është një mik i mirë i Kosovës dhe një përkrahës i fuqishëm i pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe i agjendës evropiane për Kosovë. Po ashtu unë u takova edhe me përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, siç ishte ministri i punëve të jashtme të Egjiptit, të cilin e njoha me gjendjen e tanishme në të cilën ndodhet Kosova. Por unë pata rastin të elaboroj në mënyrë të hollësishme edhe agjendën evropiane për Kosovën me komisionerin Fuele me të cilin biseduam edhe për çështjen e veriut dhe veprimet e përbashkëta për integrimin e kësaj pjese në shoqërinë kosovare."

DW: Një propozim për çështjen e veriut ka ardhur së fundi dhe nga raporti aktual i Grupit Ndërkombëtar të Krizave: Aty i sugjerohet qeverisë së Kosovës që të bashkëpunojë me të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur të serbëve, pa parakushte dhe retorikë nënçmuese. Cili është mendimi juaj?

Jahjaga: "Zgjidhja e vetme për tri komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës është zbatimi i plotë i pakos së Ahtisaarit. Serbët, qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët jetojnë në pjesë të tjera të territorit të Republikës së Kosovës, nëpërmes procesit të decentralizimit janë integruar në mënyrë jashtëzakonisht të mirë përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës dhe këtë praktikë duhet të aplikojnë edhe në tri komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kjo nuk ka alternativë. Sundimi i rendit dhe ligjit do të jetë i pakompromis në tërë territorin e Republikës së Kosovës, sepse duhen luftuar strukturat e krimit të organizuar dhe të
kontrabandës e të korrupsionit dhe duhet të shuhen strukturat ilegale, të cilat janë të mbështetura nga shteti fqinj i Serbisë. Zgjedhjet duhen bërë në bashkëpunim dhe me përkrahje të faktorit ndërkombëtar në Kosovë në mënyrë që të kemi personat e zgjedhur legalë dhe legjitimë që do të përfaqësonin interesat e qytetarëve përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës."

DW: Një propozim tjetër që vjen nga raporti në fjalë është edhe një kompromis në lidhje me emrin e përfaqësimit të Kosovës në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. A do të pranojë Kosova një emër tjetër, veç atij të Republikës së Kosovës?

Jahjaga: "Procesit të dialogut si presidente e Republikës së Kosovës i kam dhënë mbështetjen e fuqishme, sepse unë besoj që nuk ka rrugë tjetër për të detyruar Serbinë që të sillet sipas normave ndërkombëtare dhe të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës, por edhe sepse të gjitha zgjidhjet që dalin nga procesi i dialogut janë zgjidhje evropiane dhe konform praktikave dhe standardeve më të mira evropiane e do të sjellin
përmirësim të jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Në procesin e dialogut ne kemi hyrë si palë të barabarta dhe Kosova përfaqësohet si subjekt shtetëror në të gjitha nivelet, dhe si e tillë do të vazhdojë të përfaqësohet edhe tash e tutje. Nuk do të ketë asnjë shtesë në emërtimin e Republikës së Kosovës as si 12 44 e as si fusnotë."

DW: Kosova konsiderohet si vendi më i korruptuar në rajon. Ju para pak kohësh keni paralajmëruar ngritjen e një Këshilli për luftimin e këtij fenomeni. Çfarë funksioni do të keni ju konkretisht në këtë detyrë?

Jahjaga: "Unë mendoj që korrupsioni nuk është problem vetëm i Kosovës, por i të gjitha vendeve të rajonit, në mos një sfidë globale. Meqenëse Kosova tani gjendet nën llupën e analizave të shumta dhe pas daljes së disa raporteve që flasin për një perceptim të lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, e kam parë të nevojshme që të ngre një këshill
koordinues në kuadër të zyrës së presidencës. Është një trupë që do të koordinojë të gjitha aktivitetet përbrenda republikës së Kosovës, të arrijë një konsensus brenda institucioneve, në mënyrë që të adresojë sa më mirë dhe sa më drejtë çështjen e luftës kundër korrupsionit."

DW: Kur do të fillojë nga puna ky këshill?

Jahjaga: "Brenda një jave posa të kthehem në Kosovë do të merrem me këtë çështje."

DW: Ministrat e jashtëm të NATO-s në takimin e tyre më të fundit në Bruksel vendosën të mos i reduktojnë forcat e KFOR-it. Mendoni se Kosova ende nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e vet?

Jahjaga: "Që nga viti 99 Kosova ka bërë një progres të vazhdueshëm në krijimin e mekanizmave të sigurisë: Ne kemi Policinë e Republikës së Kosovës, që është një nga institucionet më të respektuara dhe më të pakomprometuara jo vetëm në Kosovë, por në rajon. Ne kemi Forcën e Sigurisë që tanimë është në filizat e saj të avancimit dhe trajnimit, por që siç ka bërë propozim edhe dy muaj më herët komandanti i KFOR-it, duhet të arrijë kapacitetin e plotë të saj. Praninë e KFOR-it në Kosovë unë e shoh më
shumë si garanci të vazhdueshme e të paqes dhe stabilitetit në nivel rajonal."

DW: Deri në fund të vitit Kosovës do t'i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare. Cilat janë sfidat më të mëdha në këtë proces për institucionet kosovare, sipas jush?

Jahjaga: "Procesin e para dhjetë ditëve të takimit në Vjenë të Grupit Ndërkombëtar ne si Kosovë e kemi mirëpritur dhe unë e konsideroj se ky është një sukses i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, prezencës ndërkombëtare në Kosovë e veçanërisht të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne, si institucione të Republikës së Kosovës, kemi shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojmë shumë fuqishëm me prezencën ndërkombëtare në Kosovë, që t'i përmbushim të gjitha detyrat që dalin nga ky proces, konform dy dokumenteve tona strategjike deri në afatin e
mbylljes së mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës."

DW: Edhe pas heqjes së mbikëqyrjes mbetet problemi i mosnjohjes nga ana e pesë anëtarëve të BE-së. Çfarë prisni ju nga BE-ja në këtë drejtim?

Jahjaga: "Edhe përkundër faktit që pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, Kosova ka një agjendë të qartë evropiane. Për këtë ne kemi mbështetje jo vetëm të shteteve që e kanë njohur pavarësinë tonë, por edhe të vendeve të tjera. Për këtë dëshmon vendimi i fundit për masat preferenciale tregtare që prodhimet e Kosovës të mund të eksportohen në BE. Po ashtu dëshmon procesi deri më tash i pritur shumë gjatë për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave, shpresojmë që të vendosen edhe marrëdhëniet kontraktuale. Besoj që qysh brenda
këtij viti Kosovës do t'i hapet mundësia që të ketë benefite nga këto procese."

Intervistoi: Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti