1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jahjaga prezantohet në Bavari

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ndodhet në Mynih për të marrë pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, ku ndër të tjera po zhvillon edhe disa takime bilaterale me përfaqësues të diplomacisë ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me ministrin e Brendshëm bavarez Joachim Herrmann.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me ministrin e Brendshëm bavarez Joachim Herrmann.

Vizitën e saj të parë në Gjermani, Jahjaga e shfrytëzoi edhe për t'iu prezantuar nga afër disa politikanëve bavarezë. Në Parlamentin e Landit të Bavarisë, stacioni i parë dhe ndoshta më i lehtë për të, presidentja më re e Evropës, u prit nga dy kolege të vjetra me përvojë: Kryetarja e Parlamentit, kristiansocialja Barbara Stamm, dhe zëvendësja e saj nga opozita e gjelbër, Christine Stahl.

Presidentja kosovare Jahjaga në parlamentin bavarez me kryetaren Barbara Stamm dhe zëvendësen Christine Stahl.

Presidentja kosovare Jahjaga në parlamentin bavarez me kryetaren Barbara Stamm dhe zëvendësen Christine Stahl.



Gjatë një kalimi nëpër ambientet e parlamentit të landit gjermanojugor, i cili vetëquhet me krenari «Shteti i Lirë i Bavarisë», Jahjaga mësoi disa veçori të kulturës parlamentare bavareze, si për shembull rregullin që thuajse të gjitha komisionet parlamentare i zhvillojnë seancat me dyer të hapura për publikun. Por presidentja pati mundësinë të këmbente me koleget e saj më të moshuara edhe përvojën e të qenit me pushtet në një vend ku politika mbisundohet nga meshkujt: «Me sa pata mundësinë ta njihja brenda një kohe kaq të shkurtër, ajo (Jahjaga) jo vetëm që ka shumë sharmë, por ka edhe njohuri të shkëlqyera e instinkt në politikë. Unë gjykoj se ajo vërtet që i paraqet çështjet me njerzillëk simpatik, por është edhe këmbëngulëse. Dhe e tillë duhet të mbetet.»

Kthimi i vizitës në shtator

«Detyra që presidentja e Kosovës i ka vënë vetes përpara për të forcuar demokracinë në këtë vend që para disa vitesh ndodhej në luftë është e jashtëzakonshme», vlerësoi zëvendëspresidentja e parlamentit bavarez Christine Stahl. «Si politikane e gjelbër unë në radhë të parë jam e interesuar që Evropa të vijë duke u bashkuar. Prandaj edhe dua që ata popuj që nuk janë pjesë e BE-së të kenë një shans e të mos kenë përshtypjen sikur janë në anë të këtij kontinenti». Të dyja parlamentaret i siguruan presidentes mbështetjen e tyre ne këtë detyrë dhe premtuan t'ia kthejnë vizitën në shtator të këtij viti.

Ende herët për vizat

Mbështetje për integrimin euroatlantik të Kosovës i dha Jahjagës edhe ministri i brendshëm i Bavarisë Joachim Herrmann. Ai i siguroi edhe më tej përfaqësueses së Kosovës ndihmën e policisë bavareze për ndërtimin e strukturave policore në vend, por për sa i përket çështjes së heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës, ministri bavarez ishte refuzues: Ne kemi pasur mjaft probleme me Serbinë, prej të cilës në tre vitet më të fundit që kur u hoqën vizat ka ardhur një numër i madh ilegalësh në Gjermani, prandaj edhe tani jemi bërë më të kujdesshëm dhe entuziazmi për të përfshirë edhe vende të tjera në këtë proces ka rënë. Sigurisht që heqja e vizave është një perspektivë për të ardhmen, por për momentin ajo nuk
gjendet në rend të ditës», u shpreh në përfundim të takimit Herrmann për Deutsche Wellen.

Vëmendje diasporës

Me profesor Bardhyl Demirajn në degën e Albanologjisë të universitetit elitar Ludwig Maximilian

Me profesor Bardhyl Demiraj në degën e Albanologjisë të universitetit elitar Ludwig Maximilian



Ditën e saj të gjatë në Mynih Jahjaga e përfundoi me një referat të mbajtur në mbrëmje vonë në sallën e senatit të universitetit elitar Ludwig Maximilian, ku ishte ftuar nga dega e Albanologjisë. Publiku përbëhej kryesisht nga përfaqësues të shkencës dhe shoqërisë civile të diasporës shqiptare në Bavari, numri i të cilës e kalon shifrën 30.000 vetë. Jahjaga e informoi diasporën me gjendjen në të cilën ndodhet shteti i ri i Kosovës. Takimi ishte i ngrohtë, shumë shpesh dëgjuesit e ndërprisnin presidenten për të duartrokitur. Dhe ajo u premtoi atyre se
me të kthyer do të interesohet më shumë për problemet e diasporës.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM