1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jahjaga: Paaftësia për ndërtimin e institucioneve po lëkund partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, ka shfaqur shqetësimin e thellë, që për shkak të paaftësisë për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, po lëkundet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pret nga liderët e partive politike që të dalin me propozime shumë konkrete për të dalë nga situata e krijuar e bllokadës për krijimin e institucioneve të reja. Arbër Vllahiu, shefi i kabinetit të presidentës, Atifete Jahjaga, i tha DW-së, se “Presidentja ka shfaqur shqetësimin e thellë, që për shkak të paaftësisë për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, po lëkundet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.

Moskrijimi i institucioneve të reja po lëkund partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare

”Presidentja Jahjaga u ka bërë me dije të gjithë liderëve të partive politike parlamentare, gjatë takimeve të kaluara në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve, gjendjen në të cilën ndodhet vendi aktualisht dhe rrezikun nga kriza jo vetëm institucionale dhe politike, por mbi të gjitha buxhetore dhe financiare.

Presidentja ka shfaqur shqetësimin e thellë, që për shkak të paaftësisë për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, po lëkundet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare sidomos me partnerët tanë strategjikë në fushën e sigurisë, ku Kosova ka treguar shembull në ruajtjen jo vetëm të sigurisë së saj kombëtare por edhe si një partner i fuqishëm në luftën globale kundër terrorizmit”, tha Arbër Vllahiu. Sipas, këshilltarit të Presidentes, “Anashkalimi i Kosovës nga agjenda e partnerëve ndërkombëtarë, për shkak të bllokadës për të ndërtuar institucionet, është shqetësues dhe e vë Kosovën në një gjendje të rëndë që pengon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj”.

“Presidentja Jahjaga pret në ditët në vijim, që liderët e partive politike parlamentare të reflektojnë mbi gjendjen e krijuar dhe të vijnë me propozime shumë konkrete për daljen nga situata e krijuar”, tha Arbër Vllahiu.

PDK kërkon bashkëbisedime për të gjetur zgjidhjen e përshtatshme

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Përfaqësuesit e dy tashmë blloqeve politike, nuk po lëkunden nga qëndrimet e tyre. Udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) që doli partia e parë në zgjedhje, vazhdojnë të këmbëngulin se zgjidhja duhet të gjendet mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Kështu ka deklaruar lideri i PDK-së, Hashim Thaci. Por, në rast se nuk gjendet një zgjidhje, zyrtarët e PDK-së, nuk e përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve si zgjidhje e fundit e ngërçit politik. "Kërkohet një bashkëbisedim për të gjetur zgjidhjen e përshtatshme, të pranueshme në përputhshmëri me rezultatin zgjedhor, duke e respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese", ka thënë Hashim Thaçi.

Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, propozimi i kandidatit për kryetar të kuvendit të Kosovës i përket grupit më të madh parlamentar, që në këtë rast nënkupton Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

V-LAN ne kemi shumicën në parlament, s'ka nevojë për zgjedhje të reja

Nga ana tjetër, partitë politike në koalicionin paszgjedhorë, (V-LAN), Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lëvizja Vetvendosje, vazhdojnë ta kundërshtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke thënë se ata tashmë e kanë shumicën parlamentare dhe është e panevojshme mbajtja e zgjedhjeve të reja. Lideri i lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti, ka vënë në dyshim nëse ka bazë ligjore dhe kushtetuese që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtzakonshme .

"Mundësia e zgjedhjeve të reja është një prej opsioneve që përmenden. Ne asnjëherë nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi të vetëdijshëm se në Kosovë nuk ekziston baza kushtetuese e ligjore për zgjedhje të reja", ka thënë Albin Kurti pas takimit të fundjavës së shkuar me presidenten Atifete Jahjaga.

Albin Kurti

Albin Kurti

Ndërkohë, analistët politikë duke parë qëndrimet barrikaduese të dy kampeve politike, PDK në njërën anë dhe V-LAN në anën tjetër, nuk e përjashtojnë mundësinë që vendi në fund të fundit të shkojë serish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mirëpo, Naim Rashiti, nga Instituti “Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit”, i tha DW-së, se “Para se te shkojme tek zgjedhjet, Presidentja mund të ndërmarrë hapa tjerë”.

Roli i Gjykatës Kushtetuese

“E para, të marre përgjegjesinë për vazhdimin e seancës konsitutive, pra që seanca të jetë e hapur, si kërkesë kryesore e bllokut V-LAN dhe që lideret të takohen paralelisht, si kërkesë kryesore e PDK-se. Kështu të ndahet çështja e konstituimit, të ndahet nga formimi i qeverise. Situata rreth shpalljes së zgjedhjeve është shumë e paqarte dhe ndoshta vetem Gjykata kushtetuese mund ta sqaroj. Më së miri kishte qenë që Presidentja ta ketë këtë ceshtje nën diskrecionin e saj pas konsultimeve me partite politike”, thotë Naim Rashiti.

Ngecja në konstituimin e parlamentit të ri, kthim prapa

Sidoqoftë, kanë kaluar më shumë se katër muaj që nga mbajtja e zgjedhje të përgjithshme, ndërkaq, pos betimit të deputetëve në kuvend, akoma nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të krijimit të institucioneve të reja, që janë zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit dhe më pas formimi i qeverisë. Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, që u publikua javën e shkuar, autoritetet në Kosovë janë kritikuar për siç thuhet “dështimin me kohë në konstituimin e Parlamentit të ri”. Kjo ngecje u cilësua “kthim prapa”.