1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jahjaga dhe Moore biseduan për tribunalin për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është këshilluar me autoritetet amerikane për çështjen e tribunalit. Ajo pati një bisedë telefonike për këtë çështje edhe gjatë vizitës në Amerikën Latine.

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Presidenca e Kosovës e ka konfirmuar se presidentja Atifete Jahjaga ka biseduar me drejtorin e Departamentit të shtetit të SHBA-së të Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore. Tema kryesore ishin kërkesat për hapjen e një tribunali për gjykimin e të akuzuarve për krime lufte. Tribunali për Kosovën sipas një drafti të publikuar nga mediat në Prishtinë, do të merrte përsipër siç thuhet, hetimin e krimeve të luftës në periudhën 1998-1999, hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve dhe vrasjeve të dëshmitarëve gjatë periudhës 2000-2001. Ky tribunal thuhet se duhet të funksionalizohet pas datës 14 qershor të këtij viti, kur pritet edhe transformimi i misionit të Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi, EULEX.

Zyrtari i lartë amerikan, Jonathan Moore, ishte një ditë më parë në Prishtinë dhe në një intervistë për mediumin publik të Kosovës (RTK) tha se “misioni EULEX-i e ka një të ardhme në Kosovë dhe një prej hapave që duhet të merret nga kjo përbërje e Kuvendit para zgjedhjeve, është pikërisht vendimi për mandatin e ri të EULEX-it”.

Në një komunikatë për media të lëshuar me datën 04.04 nga zyra e presidentes Atifete Jahjaga, thuhet se “Presidentja dhe zotëri Moore biseduan për rëndësinë që Kosova të tregojë kredibilitetin e saj si partner i bashkësisë ndërkombëtare, përmes një procesi të pavarur gjyqësor dhe të përmbyllë një kapitull të vështirë të historisë së Kosovës”.

Presidentja Jahjaga theksoi se “institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe tha se ky proces do të përqendrohet në individë dhe nuk është gjykim i përpjekjeve të përbashkëta të vendit për çlirim”.

Presidentja thotë se Kosova ka treguar kurajo dhe lidership për t'u përballur me të kaluarën dhe theksoi se Kosova do të vazhdojë të angazhohet në përpjekjet për të vendosur rendin dhe ligjin. Debatet jashtë dhe brenda Kosovës për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën, filluan qysh pas raportit të senatorit Zviceran Dick Marty, dhe hetimet e inicuara nga Këshilli i Evropës nën dyshimet për trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hetimet për këto raste të supozuara, po kryhen nga prokurori i ekipit hetues të EULEX-it, John Clint Williamson.