1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jagoda Marinic: Gjermania ime

Jagoda Marinic18 Shtator 2016

Sfidat e Gjermanisë sot të para nga këndvështrimi i gjermanëve me sfond migrimi. Ata ndjehen gjermanë dhe e duan Gjermaninë njësoj. Jagoda Marinic reflekton me “Gjermania ime”.

https://p.dw.com/p/1K455
Deutschland Freiburg Jagoda Marinic
Fotografi: picture-alliance/ROPI/A. Pisacreta

Qëndrimi i tretë në Detin Mesdhe këtë vit: Athinë. Tani jam ulur në tavolinën e punës pas orësh të gjata diskutimi për demokracinë dhe migrimin. Nga distanca gjërat tingëllojnë më të lehta. Mendoj për Kroacinë dhe Barcelonën. Ndërsa lajmet e fundit që vinin nga Gjermania ishin se votuesit në Meklenburg-Forpomerani e kishin ndëshkuar politikën e Merkelit me mosdhënie vote. Demokraci, mund të thuash duke ngritur supet. Po, por qe se nuk bëhet fjalë për të drejta themelore dhe atë që Gjermania do të humbiste shumë. AfD, doli sërish partia e dytë më e fortë. Edhe kjo është demokraci. Po, por kjo është demokraci – (të bëhet e qartë sidomos në rrënojat e Akropolit) pa kohë për diskutime, pa hapësirë për të reflektuar mbi informacionin, pa lidhje direkte me qeveritarët. Kush ndërmjetëson?

Politika e Gjermanisë merret këtu si shembull, si gurthemel për të drejtat e njeriut. Në të njëjtën kohë shumë qytetare dhe qytetarë nuk e shohin këtë si politikë të drejtë. 82% e gjermanëve dëshirojnë ndërrimin e kursit të kancelares. Kjo është edhe arsyeja pse një votim landi si ai në Meklenburg-Pomerani ia arriti të futet në mediat ndërkombëtare, duke shkaktuar një ortek analizash e opinionesh. Çfarë do të ndodhte nëse Gjermania do të shkelte shtigje të tjera, ndryshe nga dekadat e shkuara? Që nga koha e Adenauerit, Gjermania është drejtuar nga politikanë që e shihnin veten si europianë, dhe që e kanë çuar përpara projektin europian. Gjermania është deri më sot një nga vendet e pakta në Europë, që nuk ka të ulur në parlament një parti djathtiste. E për këtë vendi ka qenë krenar. Pjesa tjetër e Europës është ndjerë e qetë. Për një kohë të gjatë mendohej se vendi ka qenë në rrugën e duhur, sidomos me përballimin e reflektimin që i është bërë historisë. Por në muajt e fundit diskursi gjerman ka marrë të tatëpjetën. Duket se ligjërimi negativ nuk njeh kufij. Me dokumentin e ri të CSU-së- toni është ashpërsuar. Në gazetën spanjolle „La Vanguardia“ lexoj një opinion, që më bën të qartë se Gjermania ende shihet në pasqyrën e së shkuarës. Hyrja e një partie të djathtë në parlamentin gjerman, do të ishte një hap i ri drejt një Europë tjetër, lexoj. Pyes veten, si është e mundur që një vend që ka ndjekur me kaq sukses integrimin, të jetë kaq pak krenar për veten.

Gjermani i moralshëm dhe gjermani i demoralizuar

Në Meklenburg-Pomerani jetojnë shumë pak të huaj apo njerëz me sfond të huaj. Ky është një nga landet me popullsi më homogjene, por edhe këtu me një axhendë ksenofobe, mund të bëhesh partia e dytë më e fortë. La Vanguardia citon një autor francez të shekullit të 19-të, Ernest Renan, që duket se ka thënë se në botë nuk ka gjë më të mirë se gjermani i moralshëm dhe nuk ka gjë më të rrezikshme se gjermani i demoralizuar. Ndoshta është kjo, ndoshta kjo fjali sintetizon më së miri atmosferën e 12 muajve të fundit, për të sqaruar kthesën djathtas e me këtë edhe dëshpërimin e politikës.

Para një viti, kancelarja gjermane, Angela Merkel lejoi të hynin refugjatët në Gjermani përmes kufijve të hapur. Në stacione treni gjermanët i duartrokisnin, i mirëprisnin, i ndihmonin refugjatët, ditën e natën. Vera e ngrohtë e kulturës së mirëseardhjes! Gjermanët e bënë këtë, jo politika. Madje erdhën më shumë vullnetarë të ndihmonin se sa duheshin. Po ta thuash me fjalët e Ernest Renanit: Nuk ka gjë më të mirë se gjermani i moralshëm. Qartësia se në nevojë ndihma është flori. Angela Merkel dukej në vjeshtën e shkuar si kancelarja e duhur në kohën e duhur. Me ndihmën e qytetarëve që ndihmonin, të dukej afërmendsh përdorimi i një fjalie të tille: “Ne ia dalim mbanë”. Por sot kjo është pikërisht fjalia që po e trondit mandatin e saj. Ajo e zëvendësoi atë tanimë me fjalinë “Gjermania do të mbetet gjermane”.

Por a mbetet Gjermania gjermane nëse i largohet përgjegjësisë? Nëse debati publik zhvillohet i tillë, sikur nuk na intereson se çfarë bëhet me 28 milionë fëmijë në arrati? Mbetet Gjermania gjermane nëse histeria për refugjatët lë jashtë tema të rëndësishme si banimi, arsimi dhe pensione të sigurta? Ndoshta Merkeli tani indirekt ndëshkohet për politikën e saj ekonomike në dhjetë vitet e fundit: Gjermanët ndjehen të pasigurtë dhe të hapur ndaj pseudo-zgjidhjeve. Por politika nuk grindet për zgjidhjet e duhura, duket se është më e kollajtë të merresh me frikën për të huajt. Aktualisht kemi një million refugjatë kundrejt 80 milionë gjermanëve.

Gjermania është një vend i veçantë, në çfarëdo lloj kuptimi. Kjo më bëhet e qartë edhe në Barcelonë kur shoh në mbrëmje legjendën e aktrimit, Hannah Schygulla. Regjisori i saj që ka ndërruar jetë, Rainer Werner Fassbinder që ndihmoi atë drejt skenës ndërkombëtare ndjehet në sallë. Ajo këndon në kinematekën para një publiku tjetër për një vend që nuk gjendet askund në hartë. Një gjermane që flet rrjedhshëm spanjisht dhe e mrekullon publikun. Mes këngëve ajo tregon diçka, ndërsa kur flet për regjisorin Fassbender, bën fjalë papritur për ne, „fëmijët pas Hitlerit“. Për këta fëmijë, Gjermania ka qenë e padurueshme. Ishte e nevojshme të gjeje një “tokë” jashtë kësaj toke (Gjermanisë) për të marrë frymë lirisht. Aktorja reciton një poet gjerman me origjinë rumune, Paul Celan. Me zërin më të trishtuar të mundshëm ajo reciton vargjet e para të “Fugës së vdekjes”:

“Qumështin e zi të agut/Ne e pijmë darkave/E pijmë drekave e mëngjeseve/E pijmë netëve/Ne pijmë dhe pijmë/hapim një varr në qiell/ku nuk je shtrënguar…"

Ne fëmijët pas Hitlerit, thotë ajo edhe njëherë e kthehet tek këngët gjermane. Por këtë moment nuk mund ta harrosh.

Gjermania ime

Gjermania ime është tërësisht ndryshe. Atë e kam pare në pasqyrën e njerëzve si Hannah Schygulla, që dinin të rrëfenin historinë duke bërë të dukshme se Gjermania ime është tjetër. Gjenerata ime ka njohur një Gjermani ndryshe. Ndoshta ne nuk do të arratisemi dot ndonjëherë nga ky realitet me talent të madh, si gjenerata e Fassbenderit, sepse nuk jemi fëmijët pas Hitlerit. Ne jemi fëmijët e Kohlit dhe Merkelit. Kemi privilegjin të rritemi në një kohë dinamike e demokratike, në një kohë kur muret ranë dhe besohej në një të ardhme të përbashkët. Një kohë, në të cilën vendi u hap, e shfuqizoi të drejtën e gjakut gjerman dhe u bë vatër për të huajt që lindën këtu. Qumështin e zi e kanë trajtuar gjeneratat para nesh. Shumë gjëra janë reflektuar. Tani duket se ka ardhur jonë. Ne e kemi dorë për t'ia dalë mbanë. Kjo është sfida e parë e rëndësishme e gjeneratës sime. Ne jemi këtu për t'ia dalë mbanë.