1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jabllanoviq tërhiqet nga qeveria Vetëvendosja nga protesta

Njoftimin për largimin nga qeveria e Kosovës të ministrit serb Jabllanoviq e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë të jashtzakonshme për media. Vetëvendosje nuk mban protestë të mërkurën.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bëri të ditur se ministi serb për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, nga dita e martë (03.02.2015), nuk është më pjesë e qeverisë së Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa, njoftimin e bëri në një konferencë të jashtzakonshme për media, duke mos saktësuar nëse e ka shkarkuar nga posti i ministrit, zotin Aleksandër Jabllanoviq, apo, ai ka dhënë dorëheqje pas pesionit publik dhe protestave të opozitës, që kërkonin largimin e tij nga qeveria e Kosovës.

Mediat në Prishtinë shkruajnë se Ministri Jabllanoviq, ka thënë se "vendimi i kryeministrit, Mustafa për listën Serbe, është thellësisht dëshpërues".

"Vendimi i kryeministrit është diçka të cilën ai vetë e ka vendosur dhe për ne është i papranueshëm. Mendojmë se nuk është dashur t'i nënshtrohet presioneve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së zotit Ramush Haradinaj. Kryeministri e ka marrë vendimin që ka marrë. Për hapat e mëtejmë të Listës Serbe do të vendosim në ditët në vazhdim, pas konsultimeve brenda Listës", citohet të ketë thënë Aleksandër Jabllanoviq.

Aleksandër Jabllanoviq, vjen nga lista "Serpska", e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës dhe përfaqësohet me 10 deputet në Kuvendin e Kosovës. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të pakicës serbe në ekzekutivin e Kosovës është e përcaktuar me Kushtetutë.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, në qeverinë e Kosovës Aleksandër Jabllanoviq, nxiti reagime duke i quajtur "egërsira" protestuesit në Gjakovë, familjarë që kanë persona të zhdukur e që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në një kishë ortodokse serbe në qytetin e Gjakovës. Deklarata e ministrit Jabllanoviq, çoi në protesta në disa qytete të Kosovës, të cilat kulmuan me protestat e dhunshme të javës së shkuar në Prishtinë, që lanë pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale.

Protest in Pristina Capital of Kosovo

Protesta në Prishtinë më 27.01.2015

Për të merkurën (04.02), ishte paralajmëruar një protestë e radhës nga lëvizja Vetëvendosje, mirëpo, përfaqësues të këtij subjekti politik, njoftuan në një konferencë për media se "protesta e paralajmëruar për të mërkurën nuk do të mbahet. Ajo është shtyrë për kohë të pacaktuar".

Edhe partia tjetër opozitare Nisma për Kosovën, që ishte pjesë e thirrjes për protesta në një njoftim për media bën të ditur se të merkurën nuk do të protestohet në Prishtinë. "Duke e pasur parasysh faktin se njëra nga kërkesat e protestës, që ishte largimi i ministrit Jabllanoviq nga qeveria është plotësuar, konsiderojmë se qëllimi i protestës është arritur, prandaj sa i përket kësaj çështje nuk ka nevojë që më të dilet në protestë. Ndërsa sa i përket kërkesës së dytë, çështjës së Trepçës, presim që qeveria të reflektojë dhe ta sjellë ligjin sa më shpejt në parlament", thuhet në njoftimin e Nismës për Kosovën.

DW.COM