1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jabllanoviq: Nuk kam dashur të ofendoj nënat e viktimave

Në Kosovë ende ka protesta me kërkesë dorëheqjen e ministrit, Aleksandar Jabllanoviq, nga Lista Serbe. Në bisedë për DW ai kërkon falje për ofendimin ndaj nënave të viktimave, por hedh poshtë opcionin e dorëheqjes.

Deutsche Welle: Zoti ministër Jabllanoviq, këto ditë ka pasur dhe do të ketë sërish protesta për shkak të ofendimit tuaj ndaj nënave të viktimave nga Gjakova. Pse i keni quajtur nënat e viktimave "egërsira" dhe cili është qëndrimi juaj ndaj protestave?

Aleksandar Jabllanoviq: Unë që në fillim dua të them që më vjen shumë keq që një deklaratë e imja nga 6 janari, e dhënë me qëllim që të dënoj sulmet ndaj njerëzve të zhvendosur dhe që kanë dashur të futen në kishën e tyre, ka shkaktuar gjithë këto reagime. Unë kam dashur që të denoj sulmet ndaj të zhvendosurve. Mirëpo disa media e kanë interpretuar gabimisht deklaratën time dhe i kanë dhënë një konotacion politik, me shpjegimin se unë kam ofenduar gjoja të gjithë qytetarët e Gjakovës, si dhe familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Si ministër dhe politikan unë nuk mund të lejoj që deklaratat e mija të përdoren si shkas për demonstrata. Për këtë shkak, para disa ditësh, unë i kam kërkuar falje të gjitha nënave që kanë humbur më të dashurit. Deklarata ime nuk ka të bëj fare me këto nëna.

Por ju me siguri qe e keni të qartë që forcat serbe kanë bërë krime në Kosovë, në veçanti në disa rajone të Dugagjinit, ku janë vrarë familje të tëra ntga forcat serbe. Ju me siguri që i dini këto të dhëna, ndaj befason ofendimi i familjarëve të viktimave?

Mesazhi im ka qenë i adresuar në drejtim të një grupi të njerëzve, të cilët kanë qëlluar me gurë autobosët me serbë të zhvendosur. Ndërsa nënat kanë protestuar në mënyrë shumë dinjitoze, të qetë dhe plotësisht të pranueshme. Ato kanë të drejtë demokratike të protestojnë. Gjatë luftërave, për fakt të keq, ka viktima të shumta. Organet e drejtësisë dhe gjykatat speciale duhet të përcaktojnë se kush është fajtor për krime, që të gjejnë fajtorët dhe t'i dënojnë ata, sepse kjo është në të mirën e të gjithë neve që duam fitoren e drejtësisë.

Do të thotë ju mendoni se të gjithë ata që kanë bërë krime duhet të dënohen?

Duhet të dënohen, pavarësisht nga përkatësia kombëtare apo fetare. Krimet janë të papranueshme. Unë mund të pranoj dhe të kuptoj që gjatë luftës të vriten ushtarë, policë apo persona të armatosur që marrin pjesë në luftë. Por është fakt që në luftërat e ish-Jugosllavisë janë vrarë me mijëra e mijëra persona që kurrë nuk kanë pasur armë në dorë. Kjo është e papranueshme, është një njollë shumë e madhe nga e kaluara për serbët, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët.

Zoti ministër, fillimi juaj në qeverinë e Kosovës nuk ka qenë fare i mirë, të paktën sa i përket qëndrimit ndaj shqiptarëve. Kjo me siguri do ta vështirësojë punën tuaj në qeveri. Si mendoni t'i realizoni prioritetet tuaja, në këto kushte?

Mendoj se askush në Kosovë nuk e ka kuptuar gabimisht mesazhin tim. Por momenti politik është i tillë, se mesazhi im që i adresohej një grupi që ka kryer veprime të dhunshme, po përdoret për qëllimet e politikës së ditës dhe me synim destabilizimin e qeverisë, e cila nuk u pëlqen partive opozitare. Ministria që unë drejtoj nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e interesave të serbëve por të të gjithë qytetarëve - serbëve, romëve, goranëve, shqiptarëve... Fakt është që në Kosovë kemi rajone ku edhe shqiptarët janë pakicë, ndaj dyert e kësaj ministrie janë të hapura për të gjithë.

A keni menduar për dorëheqje?

Jo, unë në asnjë moment nuk i kam shkelur detyrimet e mia qëkurse kam marrë këtë detyrë. Ndaj nuk shoh asnjë shkak pse të jap dorëheqje. Deklaratat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, por deklaratat tek e fundit nuk janë të detyrueshme për askend. Puna jonë vlerësohet përmes punës sonë në ministri dhe mbi bazën e kësaj pune duhet të vendoset nëse unë do të mbetem apo të largohem nga ky vend.

Pak më parë ju thatë se detyra juaj është që të kujdeseni për të gjithë. Çfarë po bëni ju për kthimin e shqiptarëve të larguar nga komunat e veriut të Kosovës?

Situata në komunat e veriut është ashtu si edhe në komunat e tjera në jug të lumit Ibër, ku është evidente se ekziston një numër i familjeve shqiptare që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe në vendet ku kanë jetuar. Kjo punë do të jetë një prej prioriteteve të ministrisë, të cilën drejtoj unë. Për fat të mirë, numri i këtyre familjeve shqiptare është shumë më i vogël se sa numri i familjeve serbe që janë zhvendosur. Kjo është një punë që na pret dhe ne me siguri që do të merremi me këtë çështje.

A keni plane të sakta: sa serbë mendoni të ktheni në Kosovë gjatë mandatit tuaj?

Unë do të shpresoja që gjatë mandatit tim të realizoj më shumë se të gjithë ministrat e mëparshëm. Por situata është shumë e vështirë, sepse kanë kaluar 15 vjet nga largimet e dhunshme. Ndërkohë shumë familje janë ambientuar në vendet ku jetojnë tani. Është shumë vështirë të ktheni dikë në Kosovë e Metohi, për faktin e thjesht që situata ekonomike këtu është katastrofale për të gjithë qytetarët - si serbët ashtu edhe shqiptarët. Evidente është që një numër i madh i qytetarëve të Kosovës dhe Metohisë po largohet nga vendi dhe po kërkon azil në vendet e tjera në kërkim të sigurimit të ekizistencës. Ka dhe vende ku siguria nuk është në nivelin e duhur edhe e kufizon mundësinë e kthimit. Një problem tjetër është edhe gjuha.

Së shpejti në Kosovë duhet të themelohet edhe Gjykata Speciale për krime lufte. Çfarë prisni ju nga kjo Gjykatë?

Pres që të zbardhen sa më shumë krime lufte që janë bërë në vitet 1998, 1999 dhe 2000, si dhe që ata që kanë bërë krime të nxirren para drejtësisë. Krimet e luftës nuk vjetrohen, ndaj kur të gjenden dëshmitë personat që kanë bërë krime do të dënohen.

Një prej marrëveshjeve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është edhe krijimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Çfarë përgjegjësishë duhet të ketë ai?

Bashkësia e komunave serbe është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, e arritur në dialog mes përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Brukselit. Marrëveshja është arritur nga tri qendra shumë të rëndësishme dhe ato garantojnë themelimin e kësaj bashkësie. Unë jam i sigurt që kjo bashkësi do të ketë edhe detyra ekzekutive, në fushat e arsimit, shëndetësisë, mbrotjes sociale dhe planifikimit hapësinor.

Si e shihni ju rolin tuaj, pra si përfaqësues të serbëve në Kosovë, në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit?

Lista serbe është vetvetiu pasojë e marrëveshjes politike mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo marrëveshje ka rezultuar me pjesëmarrjen e serbëve të veriut të Kosovës e Metohisë për herë të parë prej vitit 1999 në zgjedhjet lokale. Për herë të parë qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës e Metohisë kanë marrë pjesë edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të vazhdojë, ndonëse ai është një proces shumë i vështirë për të dyja palët. Qëllimi i dialogut është që sa më shumë të jetë e mundur t'i plotësojë kushtet e të dy palëve, sepse nuk është e mundur që një popull të fitojë të gjitha, e populli tjetër t'i humbë.

Nuk më jeni përgjigjur në pyetjen se a do të jeni pjesë e delegacionit të Kosovës apo të Serbisë në dialog?

Unë personalisht kam shumë punë në këtë ministri, por pres që dikush nga Lista serbe të jetë pjesë e delegacionit të Prishtinës në dialog me Beogradin. Ne nuk do të kërkojmë asgjë më shumë se sa të drejtat që garantohen në vendet e zhvilluara demokratike.

Në Kosovë ka shumë njerëz që kanë frikë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të jetë vetëm filimi i procesit për ndarjen e Kosovës. A është ky qëllimi juaj?

Krijimi i bashkësisë së komunave serbe ka për qëllim vetëm realizimin e interesave të qytetarëve serbë në Kosovë e Metohi. Qëllimi i kësaj bashkësie është që në një periudhë prej një dekade apo një dekadë e gjysmë të sigurojë të drejta specifike për serbët dhe vendet ku ata janë shumicë. Por duhet thënë se 90-95 % e problemeve të serbëve dhe shqiptarëve janë të njëjta.

Zoti ministër, këto ditë po flitet shumë për Trepçën. Cili është qëndrimi juaj lidhur me pronësinë e këtij kombinati?

Trapça ashtu siç është sot, nuk i takon askujt. Trepça është një subjekt shumë i madh ekonomik, i cili mund të jetë motor i zhvillimit ekonomik jo vetëm të Kosovës dhe Metohisë por edhe më gjerë. Ajo ka mbetur në funksion minimal vetëm falë një grupi të punëtorëve dhe menaxhmentit. Hapsirë për zhvillim të prodhimi ka, por zgjidhjet e shpejta për Trepçën nuk mund të realizohen. Ndaj kemi arritur marrëveshje brenda koliaiconit qeveritar që Trepça të zgjidhet me një ligj të posaçëm, sepse ajo është një çështje shumë serioze, një çështje që duhet trajtuar në mënyrë të veçantë.

Zoti ministër, nuk më jeni përgjigjur në pyetjen se si duhet të zgjidhet çështja e pronësisë së Trepçës. Qeveria e Kosovës mendon se Trepça duhet të jetë pronë publike, ndërsa Beogradi pretendon se ajo i takon Serbisë?

Trepça është një kompani, e cila ka një preajardhje, prejardhjen e kapitalit, ekzistojnë rrjedhat e qarta të parave me të cilat është financuar. Trepça ka edhe kërkesat dhe detyrimet e veta financiare. Kryeministri Isa Mustafa ka bërë të ditur se borxhet e Trepçës janë rreth 1,4 miliardër dollarë amerikanë, që është gati sa buxheti i Kosovsës për një vit. Mendoj se çështja e pronës duhet të zgjidhet nga ata, që e dinë mirë këtë problematikë, por mendoj se Trepça nuk është një kombinat ad hoc, që është krijuar para pesë vitesh. Ekzistojnë dëshmi të qarta që dëshmojnë se kush çfarë pronësie ka dhe si e ka realizuar këtë pronësi në Trepçë.

Por me siguri që keni të dhëna për kërkesën që Kosova të ketë forcat e veta të armatosura. A duhet të ketë Kosova ushtrinë e saj?

Më duhet t'ju zhgënjej, sepse vërtetë nuk kam informacione zyrtare për formimin e forcave të armatosura të Kosovës dhe shndërrimit të tyre në ushtri, përveç informacioneve nga mediat. Për të biseduar për këtë, duhet të kemi dokumente zyrtare apo një projektligj për krijimin e forcave të armatosura. Zyrtarisht pra mund të flasim kur të shohim projektligjin. Ushtria duhet të jetë faktor i ruajtjes së paqës dhe sigurisë. Por personalisht nuk shoh ndonjë arsye të natyrës së sigurisë, pse Kosova duhet të ketë ushtri. Vendet e dala nga ish-Jugosllavia po shkojnë drejt zvoglimit të ushtrive deri në një numër minimal. Ndaj formimi i një force të re të armatosur, me siguri që do të nxiste dëshirën e vendeve të rajonit që të rrisin nivelin e gatishmërisë për luftë. Kjo është një praktikë gjithandej në botë dhe jo vetëm tek ne.

Në Kosovë mendohet se ju jeni plotësisht nën ifnluencën e Beogradit dhe se për çdo mendim shkoni atje. A do të thotë kjo se ju vareni në tërësi nga Beogradi?

Lista serbe e ka autonominë e plotë. Për faktin që dikush është i irrituar me shkuarjen tonë të shpeshtë në Beograd për kosultime që kanë të bëjnë me nevojat tona - unë nuk mund të përgjigjem. Por për serbët është e domosdoshme që të bëjnë një politikë që ka kontinuitet dhe jo që secila garniturë politike të fillojë nga zeroja. Njohësit e rrjedhanave në Kosovë, të cilët e ndihmojnë politikën tonë janë në Beograd. Ndaj kontakti yonë me Beogradin është mëss normal dhe i pakontestueshëm.

Zoti minsitër, ju kam dëgjuar me vëmendje dhe të shumtën e kohës keni përdorur emrin "Kosovë e Metohi", ndërkohë që ju jeni pjesë e qeverisë së Republikës së Kosovës. A e njihni ju pavarësinë e Kosovës?

Unë nuk jam kompetent dhe nuk e kam fuqinë që të njoh apo të mos e njoh pavarësinë e Kosovës. Por unë u përmbahem të gjitha detyrimeve që kam si ministër.