1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Izraeli vazhdon ndërtimin e gardhit të sigurisë

Gardhi rrethues në kufi me Jordanin perëndimor duhet të mbajë larg atentatorët palestinezë. Por vija e tij gjeografike është e kontestuar.

Lugina Cremisal ka thuajse pamje piktoreske në diellin e mëngjesit, me manastiret, pemët e ullinjve dhe fushat në formë brezaresh. Murgeshat e urdhrit të salezianëve kanë këtu një shkollë fillore për fëmijë palestinezë, murgjit prodhojnë verën e njohur Cremisan. Lugina mes Jeruzalemit dhe Betlehemit konsiderohet një oaz i gjelbër. Por ky idil së shpejti mund të marrë fund.

Një gjykatë e posaçme në Tel Aviv e ka cilësuar "të përshtatshëm" ndërtimin e planifikuar të një gardhi kufizues mes për mes zonës. Teorikisht tani mbi luginë mund të vijnë ekskavatorët, një shuplakë e hidhur për banorët palestinezë. Gardhi kufizues mes Izraelit dhe Jordanit perëndimor të pushtuar nga izraelitët, është sipas të dhënave të OKB-së rreth 708 kilometra i gjatë. 62 për qind e tij ka përfunduar. Prej më shumë se gjashtë vjetësh banorët palestinezë të luginës Cremisan përpiqen të ndryshojnë vijën ku kalon gardhi kufizues: me peticione dhe padi në gjykatat izraelite dhe me një meshë të përjavshme në qiell të hapur.

Muri izraelit në mes të pemëve të ullinjve në Betlehem

Muri izraelit në mes të pemëve të ullinjve në Betlehem

"Konfirmimi nga gjykata i vijës ku kalon gardhi kufizues, do të thotë se murgeshat me shkollën palestineze mund të qendrojnë në anën palestineze por do të jenë të rrethuara me mure nga tri anë", thotë Anica Henlein, këshilltare pranë organizatës katolike për të drejtat e njeriut "Society of St.Yves". Murgjit salezianë aty pranë dhe manastiri i tyre do të mbeten në anën e Jeruzalemit. Aksesi në secilën anë do të jetë i mundur përmes një porte, e cila do të kontrollohet nga ushtarë izraelitë. "Na mbetet vetëm rruga në Gjykatën Supreme në Izrael", thotë Anica Henlein. Ajo shpreson se atje do të merret një vendim tjetër.

Pengesë apo mbrojtje?

Gardhi kufizues për palestinezët do të thotë para së gjithash më shumë kufizime në jetën e përditshme. Të prekur janë fshatarët, tokat e të cilëve papritur gjenden në anën tjetër të gardhit dhe banorët e Jeruzalemit, të cilët janë të shkëputur nga qyteti i tyre, përshkruan Ray Dolphin nga Zyra e OKB-së për Koordinim Humanitar në Jeruzalem. "Autoritetet izraelite thonë vërtet se do të ndërtojnë porta në gardh, në mënyrë që fshatarët të mund të shkojnë në fushat e tyre", thotë Dolphin, i cili prej vitesh dokumenton ndërtimin. "Por për këtë atyre iu duhen fletëkalime të posaçme dhe ato është shumë e vështirë të merren."

Për izraelitët gardhi kufizues është para së gjithash një gardh sigurie, i cili ofron mbrojtje efektive ndaj atentateve terroriste. Dhe kjo është ajo që ka rëndësi, thekson Peter Lerner, zëdhënës i Ushtrisë Izraelite: "Nëse hedhim vështrimin dhjetë vite prapa, ishte e pamundur të uleshe në një kafene apo autobus apo të shkoje në një qendër tregtare. Jetoje me kërcënimin se dikush pranë teje papritur mund të hidhte veten në erë." Pamjet nga atentatorët vetëvrasës gjatë Intifadës së dytë në vitin 2000 janë të ngulitura në kujtesën kombëtare izraelite. Gardhi kufizues ka kontribuar në masë të konsiderueshme "që ne në Izrael të jetojmë në siguri dhe liri relative, si diku tjetër në botë", thotë Lerner.

Vijë e kontestuar gjeografike e barrierës së sigurisë

Vija gjeografike që ndjek gardhi i sigurisë është shkaku kryesor për tensione. Ai gjarpëron përmes kodrash dhe luginash, pret mes për mes fshatra dhe lagje banimi arabe në lindje të Jeruzalemit. Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, në një ekspertizë të vitit 2004 gjykoi se Izraeli vërtet duhet të sigurojë mbrojtjen e qytetarëve të tij, por gardhi i sigurisë do të ishte vetëm atëherë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare nëse do të ngrihej përgjatë të ashtuquajturës "vijë e gjelbër". Kjo është vija e armëpushimit të vitit 1949. Organizata izraelite për të drejtat e njeriut si B'Tselem mendojnë megjithatë se rreth 85 për qind e gardhit të sigurisë është ndërtuar dhe planifikuar në territore të pushtuara palestineze brenda Jordanit perëndimor dhe pra jashtë vijës së gjelbër.

Suheir Hashimi

Gardhi para derës së shtëpisë - Suheir Hashimi nga Jeruzalemi

Edhe pjesa më e madhe e palestinezëve nuk kritikojnë kufizimin në vetvete por vijën që ndjek gardhi. Kështu edhe Suheir Hashimi, shtëpia e së cilës në  Azariyeh, pranë Jeruzalemit lindor, gjendet sot në anën tjetër të gardhit kufizues. Para dhjetë vjetësh ajo mund të shkonte ende në këmbë nga shtëpia e saj në lagjen fqinjë  A-Tur, një periferi e Jeruzalemit lindor. Prej aty i duheshin vetëm dhjetë minuta me autobus deri në qendër të qytetit. Sot një mur i lartë betoni e bllokon rrugën direkte. "Kur filluan të ndërtojnë mendova se nuk ishte e vërtetë. Kisha ndjenjën se do të ngrinin pak beton por jo një mur të vërtetë!", kujton ajo. Palestinezët druajnë se Izraeli me vijën gjeografike të gardhit kufizues synon të krijojë fakte, duke përfshirë brenda tij blloqe ngulimesh hebreje. "Unë e kuptoj shumë mirë nevojën për siguri", thotë Suheir Hashimi. "Por nëse duan të ndërtojnë atëherë le ta bëjnë në anën e tyre. Këtu ata po ndërtojnë në mes të lagjeve arabe dhe ndajnë familje palestineze.“

Skenarë të rinj kërcënimi për Izraelin

Pjesë e gardhit të sigurisë në Jeruzalemin lindor

Pjesë e gardhit të sigurisë në Jeruzalemin lindor

Sot gardhi kufizues konsiderohet si sukses në Izrael. Vitet e fundit numri i atentateve terroriste ka rënë ndjeshëm. Por vazhdimi i punimeve për gardhin kufizues zvarriten. Arsyet sipas ekspertëve janë të ndryshme. Ndërtimi është i shtrenjtë dhe i vështirë. Gjykata e Lartë në Izrael ka në proces shumë padi, me të cilat palestinezët përpiqen të arrijnë një spostim të gardhit. Pjesë të tjera të tij konsiderohen delikate politikisht për të vazhduar ndërtimet.

Por para së gjithash vitet e fundit skenari i kërcënimeve për Izraelin ka ndryshuar. Në vendin fqinj Siri vlon lufta civile, regjimi i vjetër i Hosni Mubarakut në Egjipt i përket së kaluarës. Ndaj këtyre ndryshimeve Izraeli reagon me forcimin e kufijve të tij. "Tendencat në rajon shkojnë në një drejtim negativ", thotë eksperti izraelit për terrorizmin Boaz Ganor. "Zhvillimet e Pranverës Arabe i kanë afruar me kufijtë e Izraelit elementët terroristë si Al-Kaida dhe grupet terroriste salafiste. Barrierat janë si dhe më parë një element i rëndësishëm i mbrojtjes izraelite, për të penguar infiltrimin e terroristëve".