1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Izraeli vazhdon ndërtimet - cënohen negociatat

Më pak se katër javë pas nisjes së bisedimeve dhe pavarësisht nga presioni ndërkombëtar, sot (27.09.) Izraeli i dha fund moratoriumit për ndalimin e ndërtimin e kolonive të reja. Cili do të jetë reagimi palestinez?

default

Përfundon moratoriumi.

Kolonët e kremtuan fundin e moratoriumit të ndërtimeve në Kiriat Netafim, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të Jordanit. Ata afruan kamionë si dhe gatuesit e betonit dhe vunë gurin e parë për një kopsht të ri fëmijësh. Gershon Mesika, kryetari i këshillit të zonës Samaria, e quajti presidentin Barack Obama, i cili qe angazhuar për një vazhdim të moratoriumit të ndërtimeve me emrin e tij të dytë, arab: "Që nga kjo skenë", tha Mesika, "unë i drejtohem Husein Obamas dhe i them: vendi Izrael i përket popullit të Izraelit".

Leja për ndërtime

Ministri i Transportit, Jisrael Katz tha në fjalën e tij solemne me rastin e përfundimit të moratoriumit të ndërtimeve: "Që prej mesnatës, banorët, që kanë marrë leje të rregullta ndërtimi, kanë mundësi të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të tyre. Unë dëshiroj ta falenderoj kryeministrin Netanjahu, kryetarin e Likudëve, i cili iu përmbajt detyrimeve të tij dhe parimit të bisedimeve të paqes."

Netanjahu / Abbas / Jerusalem

Benjamin Netanyahu dhe Mahmoud Abbas: procesi në sprovë.

Kryeministri izraelit, Netanjahu telefonoi të dielën disa herë me ministren e Jashtme të SHBA, Clinton, me presidentin egjiptian, Mubarak dhe me mbretin e Jordanisë, Abdullah. Kryeministri shpreson se palestinezët do të marrin sërish pjesë në bisedimet e paqes. Presidenti palestinez, Mahmud Abas pati bërë të ditur se do t'i ndërpriste negociatat, nëse Izraeli nuk do ta zgjaste moratoriumin e ndërtimit të kolonive të reja.

Netanjaju synon "bisedime të ndershme"

Në një deklaratë të tij, Netanjahu i bëri thirrje presidentit Abas, që t'i vazhdojë "bisedimet e mira dhe të ndershme", për të arritur një marrëveshje historike paqeje. Izraeli është i gatshëm, tha kryeministri, që në ditët e ardhshme të gjejë së bashku me SHBA dhe palestinezët një rrugë, për t'i vazhduar negociatat. Netanjahu theksoi se synimi i tij për të lidhur një marrëveshje paqeje, ishte "serioz dhe i ndershëm".

Symbolbild Clinton Abbas und Netanjahu

Vështirë edhe ndërtime edhe bisedime...

Sipas informacioneve të kanalit të parë televiziv izraelit, izraelitët, palestinezët dhe negociatorët amerikanë do të kërkojnë javën e ardhshme një kompromis të ri. Dakordimi do të jetë pastaj baza për bisedime të reja paqeje. Bisedat për një kompromis të tillë nisën, sipas të dhënave të gazetës izraelite "Ha'aretz", që natën e kaluar.

Autor: Sebastian Engelbrecht/Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM

  • Data 27.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PNaZ
  • Data 27.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PNaZ