1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Izraeli nuk është Iran - Protesta kundër ultrortodoksisë në Izrael

Në ditët e fundit në Izrael janë shtuar tensionet mes hebrenjve fetarë dhe laikëve. Rreth 10% e gati tetë milionë izraelitëve janë ultraortodoksë, që interpretojnë rreptë parimet fetare, madje angazhohen me forcë për to.

Izraelitë ultraorthodoksë duke ndjekur një ritual

Izraelitë ultraorthodoksë duke ndjekur një ritual

Çfarë i shtyu të martën (27.12) mijëra izraelitë që të dalin e të protestojnë në rrugë? Zemërimi kundër ultraortodoksëve që nuk frikësohen që në pikë të ditës të pështyjnë fëmijët e vegjël, sepse ata nuk ndjekin këto rregulla arriti kulmin. "Mos lejoni që Izraeli të bëhet Iran!", shkruan në pankartat e protestuesve - ose: "Çlironi Izraelin nga detyrimet fetare!". Me mijëra njerëz u mblodhën në Beit-Shemesh, një qytet me 80 000 banorë, i cili shtrihet në gjysmë të rrugës ndërmjet Jerusalemit dhe Tel Avivit. Demonstruesit erdhën me autobuzë nga të gjitha pjesët e vendit për të protestuar për të drejtat themelore dhe lirinë.

Kërkesat e ultraortodoksëve

Kjo për faktin sepse në Beit-Shemesh shumica e qytetarëve hebrenj janë ultra-ortodoks. Tani ata duan që të gjithëve, edhe banorëve jofetarë t'iu diktojnë mënyrën e tyre të jetesës si për shembull: gratë duhet të ulen mbrapa në autobus. Po ashtu edhe në trotuare duhet të pjesë të ndara për gratë dhe për burrat - dhe ata më radikalët në mesin e ortodoksëve kërkojnë që të bëhet ndarja sipas gjinive edhe në radhët e gjata në arkat e supermarkateve.

Protestuesit i dënojnë këto rregulla të ultra-ortodoksëve si rikthim në kohërat para-demokratike, dhe jo vetëm ata. Edhe presidenti Peres u distancua gjithashtu: "Askush nuk ka të drejtë që të kërcënojë një vajzë të vogël ose një grua në asnjë mënyrë. [Ekstremistët] nuk janë sundimtarë, por qytetarë të Izraelit si gjithë të tjerët. Nuk ka asnjë grup që mund të vendos që të qeveris askund. Ne luftojmë për shpirtin e popullit, për esencën e shtetit", tha Peres.

Ultraortodoksë në Jeruzalem

Ultraortodoksë në Jeruzalem

Viktima më e njohur e ultraortodoksëve të Beit Shemeshit është shtatëvjeçarja Na'ama. Përgjatë rrugës së saj për në shkollë rregullisht ajo pështyhet në fytyrë dhe ngacmohet nga burrat e veshur me të zeza për shkak se ajo sipas mendimit të tyre nuk qarkullon në anën e duhur të trotuarit dhe nuk vishet "për së mbari". Një ekip i kanalit të dytë televiziv izraelit ka dokumentuar këtë duke shkaktuar zemërimin në mesin e izraelitëve laikë.

Sulme kundër mediave

Një hebre fetar nga Beit Shemeshi justifikoi sjelljen e ultra ortodoksëve në një intervistë me kanalin e dytë televiziv me këto fjalë: "Është e drejtë të pështysh një vajzë shtatë vjeçare, nëse ajo nuk sillet konform ligjeve hebraike. Ku është problemi? Ka rabinë që na autorizojnë dhe na thonë se si njerëzit duhet të ecin në rrugë dhe si duhet të sillet një grua kur ajo ecën nëpër rrugë."

Ultra-ortodoksëve nuk u pëlqen që mediat izraelite raportojnë për tendencat fundamentaliste në Beit-Shemesh. Ata kërkojnë fajtorët në televizion dhe kundërgodasin. Gjatë ditëve të fundit grupe të mëdha të tyre kanë sulmuar dy ekipe kameramanësh, njëra prej tyre ishte e kanalit të dytë televiziv.

Përveç kësaj ata kanë gjuajtur me gurë policinë dhe i kanë vënë flakën koshave të plehrave. Ata protestuan në këtë mënyrë kundër tri përpjekjeve të administratës së qytetit për të larguar nga rruga një tabelë të vendosur nga ata. Tabela tregon anët e trotuarit se nga duhet të ecin burrat dhe nga gratë.

Autor: Sebastian Engelbrecht/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM