1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Izraeli do ta zbusë bllokadën në Rripin e Gazës

Izraeli nxori një listë negative, me mallra të palejueshëm për në Rripin e Gazës. Në këtë listë përfshihen armë dhe materiale lufte, ndërkohë të gjitha mallrat e tjera mund të futen në Gazë.

default

Mallra humanitarë në kufirin izraelit

Kabineti izraelit i sigurisë shpalli zbutjen e bllokadës në Rripin e Gazës: Të dielën (20.06) në mbrëmje zyra e kryeministrit, Benjamin Netanjahu komunikoi, se Izraeli do të publikojë një listë me mallrat, që nuk lejohen të futen në brezin bregdetar. Lista do të përfshijë armë dhe material lufte si dhe mallrat e ashtuquajtura "dual use", pra mallra që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe për qëllime ushtarake. Të gjitha produktet e tjera do të lejohen të importohen në Rripin e Gazës.

Megjithë zbutjen e bllokadës, masat aktuale për sigurinë mbeten në fuqi

Kjo përbën një ndryshim të dukshëm nga praktika e deritanishme. Njëkohësisht kabineti i sigurisë kumtoi përmes deklaratës me shkrim, se Izraeli do të zgjerojë kapacitetet e doganave në pikëkalimet kufitare në Rripin e Gazës, për të lejuar kalimin e sasive më të mëdha të mallrave dhe për të nxitur aktivitetet ekonomike në Rripin e Gazës. Synohet gjithashtu që të lehtësohen hyrjet dhe daljet e punonjësve të organizatave ndërkombëtare të ndihmës si dhe të banorëve të Rripit të Gazës, të cilëve u duhet të udhëtojnë jashtë vendit për trajtim mjekësor. Megjithatë do të vazhdojnë të jenë në fuqi kontrollet për të gjitha mallrat, që transportohen përmes rrugëve detare për në Rripin e Gazës. Edhe masat aktuale të sigurisë do të mbeten në fuqi.

Bashkësisë ndërkombëtare i kërkohet të angazhohet për lirimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit

Tony Blair vor Untersuchungsausschuss

Ish-kryeministri britanik Tony Blair, i dërguar i grupit ndërmjetësus për Lindjen e Mesme

Kryeministri Netanjahu pas mbledhjes se kabinetit të sigurisë ia komunikoi vendimet e marra të dërguarit të kuartetit për Lindjen e Mesme, Tony Blair. Ky i fundit në mbrëmje dha një konferencë shtypi në Jeruzalem: "Rëndësia e deklaratës së sotme është, se ajo i lejon Izraelit plotësisht të mbrojë sigurinë e vet, duke penguar futjen në Gazë të çdo lloj arme apo materali lufte. Por kjo deklaratë do të thotë edhe se, jeta e njerëzve në Gazë mund të lehtësohet, pra do të lejohet futja e mallrave të nevojshme si ushqimet, pajisjet shtëpiake, materialet e nevojshme për projektet e OKB-së në sektorin e furnizimit me ujë, të kanalizimeve, energjisë e ndërtimit të shtëpive."

Përmes deklaratës prej një faqe e gjysmë kabineti izraelit i sigurisë i kërkon bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet për lirimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit si edhe që t' i jepet fund kontrabandës së armëve në Rripin e Gazës.

Ministri gjerman i Zhvillimit Niebel vazhdon vizitën në Izrae l

BdT Dirk Niebel in Israel

Ministri gjerman i Zhvillimit Dirk Niebel zhvillon vizita në Lindjen e Mesme

Ministri gjerman i Zhvillimit, Dirk Niebel e përshëndeti në mbrëmje në Jeruzalem këtë deklaratë duke theksuar, se "është e kuptueshme që nuk janë të dëshiruara furnizimet me armë". Por edhe palestinezëve duhet t' u jepet e drejta për eksport e udhëtime jashtë vendit. Niebel e ritheksoi të dielën pasdite kritikën ndaj vendimit të qeverisë izraelite, për të mos e lejuar atë të udhëtojë për në Rripin e Gazës. Radios gjermane, Niebel i deklaroi nga Betlehemi në Jordanin Perëndimor, se Izraeli miqve ua vështirëson situatën duke mos u shpjeguar se përse vepron në këtë mënyrë. Kjo nuk është një bazë e mirë për një bashkëpunim në mirëbesim.

Niebel të hënën (21.6.) zhvillon bisedime me presidentin Shimon Peres dhe më pas viziton memorialin e Holokaustit Yad Vashem. Pasdite është planifikuar një takim me ministrin e Jashtëm, Avigdor Lieberman. Të dyja këto takime me politikanët drejtues të Izraelit, siç mësohet nga qarqet e delegacionit gjerman, u konfirmuan të dielën pasdite.

Autor: Clemens Verenkotte / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 21.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ny6q
  • Data 21.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ny6q