1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Izrael: Urrejtje dhe ashpërsim i dhunës

Gjashtë izraelitë u arrestuan nën dyshimin për vrasjen e një të riu palestinez. Në Izrael shumë njerëz po reagojnë me tmerr për këtë krim dhe pyesin veten se si do të vazhdojnë më tej.

"Turp që ndër ne ka ndodhur një gjë e tillë" - shkruante të hënën një gazetare në të përditshmen Yedioth Ahronoth, pasi u bë i qartë identiteti i vrasësve të të riut Mohammed Abu Khdeir. Lajmi për arrestimin e gjashtë të rinjve izraelitë e ka troditur vendin. Tre prej tyre e kanë pranuar se kanë qenë pjesëmarrës në vrasjen e tmerrshme të palestinezit 16-vjeçar Mohammed Abu Khdeir, të cilin e dogjën të gjallë.

Përfytyrimet për vetveten

Vrasja që konsiderohet si hakmarrje për vrasjen para tri javësh të tre të rinjve izraelitë, po dënohet në të gjithë kampet politike të vendit. Pas këtyre vrasjeve situata në vend është acaruar.

Dhe shumë izraelitë po i vënë në pikëpyetje përfytyrimet që kanë për veten dhe për palestinezët. Po dëgjohen zëra se jo vetëm palestinezët janë ata që vrasin fëmijë dhe organizojnë atentate. Racizimi dhe hakmarrja gjenden edhe në radhët e izraelitëve dhe kjo po trondit idenë e superioritetit moral kundrejt palestinezëve.

Tension dhe protesta

Para rezidencës së kryeministrit Netanjahu pati gjatë fundjavës protesta të simpatizantë të grupimeve të djathta dhe ultra të djathta. Ata kritikuan qeverinë që po merret kaq shumë me vrasjen e një të riu palestinez, kurse pas vrasjes së tre të rinjve izraelitë nuk ndërmori asgjë. Ata refuzojnë çdo lloj bashkëjetese me arabët.

Kurse në Sheshin e Sionit në qendër të qytetit, demonstruan rreth 40 vetë kundër dhunës dhe përshkallëzimit të saj. "Dhuna në Jeruzalem është shtuar shumë dhe ne duhet të protestojmë kundër dhunës dhe urrejtjes" - thotë Oron Elior nga organizata "Combatants for Peace" që angazhohet për bashkëekzistencë me palestinezët.

Humnera të thella mes popujve

Matan Israeli, artist nga Jeruzalemi perëndimor, thotë se është i tronditur nga gjithë kjo urrejtje dhe ashpërsim i dhunës. Ai organizon projekte artistike të përbashkëta izraelito-palestineze, por këtë verë ato ndoshta nuk do të organizohen. "Do të ishte një katastrofë që ne të bëjmë diçka tani, sepse do të bënim sikur ka bashkëjetesë. Për fat të keq, realiteti është ndryshe," thotë i riu. "Tani është krijuar një e çarë e thellë në mes të dy palëve, dhe do të duhen vite për të arritur sërish pak besim."