1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Izolimi i tre fshatrave kosovarë në Veri

Gjendja e vështirë ekonomike, por edhe pasiguria e mungesa e lëvizjes së lirë janë pjesë e përditshmërisë së banorëve të tri fshatrave shqiptare të komunës së Leposaviqit, e administruar nga strukturat paralele serbe

Fshati Bistricë në veri të Kosovës

Fshati Bistricë në veri të Kosovës

Fshatrat Bistricë e Shalës, Cerajë dhe Koshtovë shtrihen përgjatë magjistralës Mitrovicë-Leposaviq, në veri të Kosovës. Në kushte normale, në të tri fshatrat e banuara me shqiptarë, të cilat kufizohen me fshatra serbe, shkohet për një orë e gjysmë me një minibus të ofruar nga ministria përkatëse. Mirëpo, me vënien e barrikadës në Rudarë dhe hapjes së një rruge alternative nga komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, rruga është zgjatur në tri orë.

Kjo gjendje vazhdon që prej 25 korrikut, kur filluan përpjekjet e para të qeverisë së Kosovës për të vënë nën kontroll dy pikat kufitare Bërnjak dhë Jarinjë, në veri të Kosovës, shpjegon për Deutsche Welle-n Lulzim Hetemi, përfaqësues i këtre tri fshatrave. “Pas vënies së barrikadës në Rudare, po udhëtojmë në drejtim të fshatrave të Shalës së Bajgorës. Prej Cerajës, Koshtovës dhe Bistricës ka një largësi deri në 35 kilometra, e cila u ndërtua duke ju falenderu kryetarit të komunës së Mitrovicës dhe qeverisë së Kosovës. Tash, prej këtu deri te Miniera e Stari Tërgut ecim në këmbë nga 5-6 orë nëpërmjet shtatë fshatrave serbe. Vështirësitë dihen...”.

Lulëzim Hetemi, pëfaqësues i fshatrave në veri të Kosovës

Lulëzim Hetemi, pëfaqësues i fshatrave në veri të Kosovës

Barrikadat në veri bllokojnë një jetë normale

Bllokadat e vëna nga serbët në veri të Kosovës për më shumë se tri javë, kanë bllokuar çdo pore të jetës së banorëve të fshatrave, të cilët qarkullonin nëpërmjet magjistrales Mitrovicë-Rashkë. Ndër to është edhe mungesa e qasjes në shërbime shëndetësore, thotë Mursel Mruseli nga fshati Koshtovë, i cili punon si tektnik medicional në ambulancën e cila i ka nën përkujdesje këto tri fshatra. “Rruga alternative mund të jetë e kalueshme deri në rënien e shiut të parë dhe që nga ai moment jemi të bllokuar për automjete. Kjo për një ambulancë është e pakapërcyeshme, se nëse pacienti është në gjëndje të rëndë, deri në arritjen në qëndrën emergjente në Mitrovicë, mund të vdes se si të ketë riga shiu, automabulanca nuk kalon në këtë rrugë. Mjeku s´osht tuj na ardhë prej datës 25 korrik dhe për momentin jemi në kushte shumë të vësthira”.

Banorët e tri fshatrave veriorë të braktisur

Fshatrat Cerajë, Koshtovë dhe Bistricë e Shalës janë në kuadër të komunës së Leposaviqit e cila udhëhiqet nga strukturat paralele serbe. Banorët e tyre që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, nuk kanë ku t´i adresojnë shqetësimet e veta. Këtu mungon mbështetja e institucioneve të Kosovës, përderisa nga komuna e Leposaviqit ata ndjehen të përjashtuar.

Driton Hetemi, arsimtar në shkollën e tri fshatrave në Bistricë shpjegon: “Komuna e Leposaviqit nuk do me na pa me sy, veç pse jemi shqiptar!"

Sipas Hetemit për shkak të vendosjes së Zyrës së Regjistrimit Civil, Zyrës për Komunitete dhe Kthim, ambulancës dhe policisë brenda një objekti të vetëm, ka pengesa të vazhdueshme në procesin mësimor.

Driton Hetemi, mësues në Bistricë

Driton Hetemi, mësues në Bistricë

Si funksionon Zyra për Komunitete dhe Kthim e komunës së Leposaviqit?

Haki Imeri shef i Zyrës për Komunitete dhe Kthim në komunën e Leposaviqit, me seli në Bistricë, shpjegon se arsye e mungesës së iniciativave nga kjo zyrë për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të këtushëm është mënyra e funksionimit të kësaj zyre, e cila praktikisht nuk është e lidhur direkt as me pushtetin lokal as nën pushtetin qendror. “Me gjithë përpjekjet, për shkak të rrethanave, as unë nuk jam i kënaqur me punën time, sepse ne si zyrë nuk kemi kompetenca për shkak se kemi mbet jashtë sistemit ligjor të Kosovës, kundr të cilit nuk jemi të itneresuar të punojmë. Me vendimin e 2008-s të kryeministrit të Kosovës nuk njihen institucionet e dala nga zgjedhjet serbe të Majit të vitit 2008. Këtu është këputur zinxhiri dhe ne nuk kemi kontakte me komunën, përvec me disa drejtori, shpjegon Imeri.

Deri në shpërthimin e luftës në Kosovë në 1998-´99 në tri fshatrat në veri të Kosovës jetonin rreth 1.300 banorë. Aktualisht, jetojne vetëm 350 prej tyre. Sipas z. Imeri, pak është bërë edhe në kthimin e këtyre banorëve, pjesa dërmuese e të cilëve edhe më tej jetojnë si refugjatë përbrënda Mitrovicës apo rajonit të saj.

Pasiguria dhe munges e përpjekjeve për kthim nxisin shpërngulje masive

Mursel Murseli nga fshati Koshtova

Mursel Murseli nga fshati Koshtova

Shqetësim i vazhdueshëm në këto zona është pasiguria dhe pengimi i lëvizjes së lirë. “Siguria nuk është në nivel për shkak se në tri fshatrat nuk ka polici të vazhdueshme as trupa nga KFOR-i, prandaj është kriju një lloj paniku, për faktin se këtu janë në mes të fshatrave serbe. Vetëm në ndërrimin e parë është një nënstacion i policisë i cili funksionon veç në ndërrimin e parë, pesë ditë prej orës 8 deri në ora 16-të. Pasdite dhe natën banorët janë në mëshirën e askujt dhe janë organizuar vetë për t´u mbrojtur nga ndonjë e papritur”, thotë z.Imeri, sipas të cilit janë drejtuar kërkesa të vazhdueshme në institucionet përgjegjëse t´i kenë nën mbikëqyrje këto fshatra për të parandaluar eskalimin e situatës.

Pasiguria është gjithashtu edhe arsyeja kryesore e shpërnguljes së banorëve të këtushëm, thotë Lulzim Hetemi, përfaqësues i këtyre fshatrave: “Thonë se ka siguri dhe nuk është e vërtet! E vërteta është se ne gjithmonë jemi maltretu dhe dikujt i ka konvenu që ta mbaj problemin të izoluar."

A ëshë ndërprerë vërtet kontrabanda nga Serbia në veri të Kosovës?

Haki Imeri, drejtor i zyrës për komunitetin Leposavic

Haki Imeri, drejtor i zyrës për komunitetin Leposavic

Mungesa e shtrirjes së pushtetit të Prishtinës në veri të Kosovës, për 12 vjet mundësoi lulëzimin e kontrabandës dhe të krimit. Pas vendimit të qeverisë për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, qeveria e Kosovës pohon se masat e reciporocitetit në fushën e tregtisë me Serbinë po zbatohen me përpikmëri dhe me këtë është ndaluar kontrabanda. Deklarata të tilla i vënë në dyshim banorët e këtushëm, të cilët janë vrojtues të drejtpërdrejtë të asaj që po ndodh në veri. “Ndoshta qeveria e Kosovës ia ka dalë të ndalojë kontrabandën në pikat kryesore të kufirit, të cilat tashmë janë zona ushtarake dhe deri më 25 shtator janë nën mbikqyrje të KFOR-it. Mirëpo, rrugët anësore prej qyteteve të Republikës së Serbisë janë tërësisht jashtë kontrollit. Vetëm në komunën e Leposaviqit janë dy-tri rrugë që nuk janë të kontrolluara as nga Policia e Kosovës as nga KFOR-i. Ndërsa, një rrugë më kryesore përmes fshatrave Rudine dhe Rragozne në drejtim prej Novi Pazarit deri në Banjskë të komunës se Zveqanit, çdo natë ka lëvizje të pandërprera të kamionëve, kerreve e automjeteve të ndryshme transportuese. Pra, vazhdon kontrabanda nga Serbia”, dëshmon Mursel Murseli nga fshati Koshtove. Përkundër të gjithave, shpresa se një ditë institucionet e Kosovën do të fusin nën ombrellën e vet edhe këto fshatra, qëndron. “Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës duhet të vinë ta njohin këtë vend, ta shohin ku jemi tuj rrnu se jam i bindur se nuk e dinë ku jemi e qysh rrnojmë,se nuk kanqë qënë asnjëherë. Dhe, mesazhi për ta është që t´i kthejnë sytë prej këtyre fshatrave se edhe ne nëse shpërngulemi, atje nuk po mbetet asnjë shqiptar...“, thotë Murseli.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Mimoza Kelmendi