1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ivanoviq : Prania e trupave ndërkombëtare në Kosovë është e domosdoshme

Dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, në Serbi kanë ndryshuar shumë gjëra, por qëndrimi i Beogradit mbetet i njëjtë: Kosova shihet si pjesë e Serbisë. Oliver Ivanoviq thotë se lufta nuk duhet të harrohet kurrë.

Oliver Ivanoviq, sot sekretar shteti në Ministrinë serbe për Kosovën, dikur ish lider i serbëve të Kosovës.

Oliver Ivanoviq, sot sekretar shteti në Ministrinë serbe për Kosovën, dikur ish lider i serbëve të Kosovës.

Oliver Ivanoviq, Sekretar shteti në Ministrinë serbe për Kosovën thotë se lufta nuk duhet të harrohet kurrë. "Është kjo dëshmi se një politikë e marrë mund të prodhojë diçka edhe më të keqe: shkeljen e të drejtës ndërkombëtare dhe agesionin, respektivisht sulmin e NATO-s ndaj njerëzve të pafajshëm. Mesazhi kryesor që duhet të nxjerrim nga kjo luftë është, se dhuna shkakton dhunën. Këtë duhet ta dijnë ata që sot janë në gjendje të ushtrojnë dhunë ndaj të tjetërëve, ose të mbrojnë popullin nga dhuna", pohon Ivanoviq.


Para 10 vitesh në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja tekniko - ushtarake, e cila mundësoi përfundimin e luftës. Serbia pranoi që të tërheqë trupat nga Kosova ndërkohë, që Sllobodan Millosheviqi dhe propaganda i tij pohonin se kanë shënuar fitore ndaj aleancës më të fuqishme të botës. "S'ka dilemë: Ishte kjo disfata e pritur. Ne nuk kemi pasur kurfarrë shancesh në luftën kundër 18 shteteve të atëhershme anëtare të NATO-s. Ishte kjo një politikë e marrë, e cila gjatë viteve 90-të ka bërë një varg gabimesh shumë të mëdha ndaj shqiptarëve dhe vendeve fqinje. Më në fund, kjo politikë e ktheu tërë botën kundër Serbisë dhe gjendja arriti deri aty, sa Serbia të bombardohet edhe nga aleatët e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore."

Ndërkohë Kosova ka shpallur pavarësinë, e cila është njohur prej 60 vendeve, ka kushtetutën dhe dokumentet e saj më të rëndësishme, të gjitha ministritë, po krijohet Forca e Sigurisë dhe janë shënuar rezultate të shumta, por Beogradi ende pohon se serbët në Kosovë janë të cënuar. Institucionet në Prishtinë pohojnë se Kosova është vend i lirë, i sigurt dhe demokratik.

Për Oliver Ivanoviqin: "Nuk do të thosha, sepse ende ekziston një bashkësi etnike me probleme serioze vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, dhe kjo është bashkësia serbe. Problemi është edhe më i rëndë, për faktin se në Kosovë ekzistojnë mijëra ushtarë të KFOR-it dhe policë ndërkombëtarë, ndërsa serbët nuk ndihen plotësisht të sigurt. Prania ndërkombëtare në Kosovë e Metohi duhet të jetë garanci, se nuk do të përsëriten përvojat e mëparshme të dhunës, por zhvillimet në 10 vitet e fundit dëshmuan se rrëzimi me mjete ushtarake i një regjimi jo demokratik, nuk mund të krjojë një regjim tjetër demokratik."

Oliver Ivanoviq shton, se në Kosovë nuk ka forca paramilitare serbe, duke shtuar se pohimet e këtilla janë vetëm justifikim i institucioneve të Prishtinës, ndaj mungesës së kontrollit mbi veriun e vendit. Ndërsa lidhur me mundësinë që trupat ndërkombëtare të tërhiqen nga Kosova, ai pohon se një gjë e tillë është e paimagjinueshme. "Kurrsesi. Trupat ndërkombëtare duhet të mbeten në Kosovë edhe shumë vite. Gjendja është aktualisht goxha e qetë por nuk është stabile. Do të kalojë edhe shumë kohë deri sa organet lokale të jenë në gjendje ta marrin përgjegjësinë për sigurinë. Mungesa e stabilitetit bën të pamundur edhe parashikimet për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet e ardhshme. Institucionet e Kosovës janë shumë më të dobëta se kriminaliteti i organizuar. Andaj, mendoj se prania e trupave ndërkombëtare në Kosovë është e domosdoshme për 10, 15 vite, e ndoshta edhe më shumë."

Autor : Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 09.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I68T
  • Data 09.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I68T